E Diel, 1 Nëntor 2026

Kulti i Edramës në demokraci, si të prashisësh në ujë!

Në një emision televiziv që u pasqyrua si një debat në një bisedë në TV, m’u duk si e pazakontë tema për të cilën diskutohej. Madje edhe e habitshme. Do të ndërtonin figurën e një politikani, i cili për faj të të ftuarve në panel, sikur kishin marrë detyrën dhe përgjegjësinë të ngrinin një kult. Ai që ishte vënë në qendër të vëmendjes ishte pikërisht Edi Rama!
Tema kishte të bënte me rolin e medies për ta bërë të rëndësishëm një politikan. Veçse ata që kishin marrë përsipër të përfaqësonin gazetarinë dhe emisionet televizive ishin, për mendimin tim, të jashtëkohshëm. Kam parasysh revoltën e Nako Spirut kur, me vendim partie, duhej të ngrihej kulti i individit të Enver Hoxhës. Kjo e kishte fryrë diktatorin e ardhshëm shqiptar, gjersa t’i dukeshin njerëzit e kupolës komuniste të kohës, si kokrra meli. N. Spiru dukej se ishte i pakënaqur, se vetë personi i paracaktuar që të merrte përmasat e një njeriu të madh ishte, në të vërtetë, mediokër, i pasuksesshëm si student, me një fizionomi morale të dyshimtë dhe, bash për këto anë negative, ishte i pajisur me doza të rënda të mungesës së karakterit. Ky ves, të cilin shokët e tij të vegjëlisë dhe bashkëstudentët ia njihnin mirë, ishte servilizmi i tij. Iu ishte ngjitur, kështu, emisarëve të huaj në vendin tonë, që do ta vinin luftën tonë për çlirim në themele të shëndosha, duke dhënë ndihmesën e tyre për të organizuar sa më mirë Partinë Komuniste shqiptare, që ishte “krijesë e punës së tyre” (Këtë thënie ia ngarkuan, më vonë, Tuk Jakovës. Kësisoj Nako e kishte pikasur me tamam sesi u kishte hyrë në zemër Miladin Popoviçit dhe Dushan Mugoshës, ambiciozi pa parime, Enver Hoxha.
Pjesëmarrës në debat ishte edhe i pamunguari Preç Zogaj, të cilit ia prishi humorin Shkullaku, që nuk ia duroi dot idolatrinë që ndërruesi i kostumit të ri politik po orvatej të bënte në dobi të Edvinit. Sepse Zogaj na foli me afsh të ngrohtë për cilësitë e EdRamës, si një person që e shkruante (dhe e fliste) mirë e pa gabime gjuhën shqipe, përveçse ishte edhe karizmatik.
Preç Zogaj, në temën që kishte si objekt marrëdhëniet e politikanëve me mediet, përmendi me simpati edhe Spartak Ngjelën, duke e vlerësuar si shakaxhi! Pa dyshim që ishte hokatari i kafeneve. Por duke lënë mënjanë shakatë, ai nuk tha se qoftë Edi, qoftë Taku, janë karrieristë pa fijen e parimeve, pa pikë ndjenje kombëtare, që mund të portretizohen me një fjalë tjetër, më përcëlluese: janë arrivistë. Egocentrikë të kallëpit të atij Luigjit që tha, kur i erdhi fundi politik: “Après moi, le déluge” (Pas meje, kiameti u bëftë”!). Edhe Rama ka nxjerrë nga goja një thënie të përafërt: O Shqipëri, të kam dh....
Të shkruar të bukur e quan Preçi tregimin e EdRamës “Hiqi brekët Ina”, shkrim në të cilin kjo vajzë ishte nxënëse e shkollës tetëvjeçare, që kërkoi të largohej nga banka me një të zi pervers, që i vinte duart nën bankë? Dhe këtu, duke mos pasur asnjë paragjykim racial, se ka evgjitë me koncepte morale më të shëndosha se bashkënxënësi Edi, që tregon se bënte masturbime kolektive nëpër bunkerët e kohës, në Tiranë. Kjo është përmbledhja më e shkurtër që mund t’i bëhet këtij tregimi “letrar”. Kusuri mund të merret me mend, nëse është pornografik apo jo. Por kjo mund të kuptohet, po të ngrihet pyetja nëse prindërit do t’ua lejonin vajzave të tyre të mitura të lexonin një tregim të tillë... E pritmja ia shtoi huqet përdhosëse me unaza në veshë e me lakuriqësitë plazheve, këtij figuranti të prirjeve ekstravagante për të rënë në sy, të cilin askush nuk do të donte ta kishte për dhëndër, me përjashtim të Preçit, në ndërrimin politik të beftë, domethënë si neofit, fill me mllefin se tanimë nuk ishte sërish deputet. Mjerë partia me këta ithtarë të kushtëzuar!
Veçse, meqë Preçi foli edhe për koherencë, askush nga ledhatuesit e Ramës nuk është vënë para kësaj pyetje, prej së cilës do të kërkohej një përgjigje e sinqertë: - “A është dakord me atë që Edvini ka shkruar, të zezë mbi të bardhë, në kohën e proceseve të para demokratike, se “të gjithë komunistët duhen varur në litar, në sheshin qendror të Tiranës? (në librin “Refleksione”). Kurse tani ka mbetur si i vetmi komunist fanatik, në të gjithë ish-Lindjen komuniste europiane, me të gjitha përdhosjet e një mendjeje të zvetënuar: Orgjitë e organizuara në Pezë, për t’i thurur ditirambe Enver Hoxhës ( në çdo 16 shtator), kanë autorësinë e tij! Dhe na flitet për koherencë!
Vërtet që piktori i famshëm Goja ka vdekur i lajthitur në çmendinë. Por Edi Rama nuk ka as gjenialitetin e Gojës, as modestinë e tij. EdRama kishte megalomaninë që të bëhej kryeministër, të mbetej edhe kryetar bashkie, domethënë të bëhej një Enver i dytë në demokraci. Por i personalizoi zgjedhjet (që të mos themi edhe të tjerat, që i kanë analizuar qartësisht anëtarët e Levizjes për Mendimin Ndryshe) dhe i humbi më 28 qershor të 2009-s, duke u katandisur si Piereta e La Fontenit! Dhe eja e bëj kultin e një njeriu të tillë, tani, me ekzaltimet e 41 viteve më parë, kur u mbushën muret e qyteteve tona me “Duce ha sempre ragione”! Edhe Enveri kishte gjithnjë të drejtë dhe vrau Nakon, Mustafa Gjinishin e shumë të tjerë që i bënin hije, emrat e të cilëve kanë dalë në gjysmëdritë, por koha do t’i zbardhë plotësisht, me siguri. Edhe Edvini ka gjithmonë të drejtë, sipas kultit të të mbledhurve në bisedë, por jo nga të gjithë pjesëmarrësit, natyrisht.
Pra, orvatja për të fryrë politikanët në kushtet tona, është e jashtëkohshme. Pamundësi anakronike! Mund të flitet, po, nga ana tjetër, për analogji. EdRama, në subkoshiencën e tij, përçapet që t’i ngjajë Enverit. Por ky rrugëtoi në arrivizmin e tij të shfrenuar, se ishte i kapur nga emisarët e Titos. Kursivi ka kuptimin se mund ta shiste me lehtësinë më të madhe kombin, nën përligjjen e Internacionalizmit Proletar; këtë po bën sot Rama me vendin tonë, sipas shembullit të atit të tij shpirtëror. Edhe Rama manovrohet nga mëkatarë të regjimit diktatorial që lamë pas, natyrisht të pandëshkuar nga krimet që kanë pas bërë në atë kohë terrori shtetëror. Ata të molepsur në bëmat e diktaturës janë suflerë të padukshëm në skenë, por e bëjnë ligjin prapa skene. Po Simon Vizentali në Gjermani, që ka pas vuajtur në Bukenvald, si i ka bërë që të dridhen nga frika nazistët gjermanë që sot janë të fshehur gjer në kontinentin e Amerikës Jugore? Me organizatën që ka krijuar Vizentali dhe me investigimet që ka bërë me fondet vetjake të trashëguara, po çon në gjyq edhe sot, në vitin 2010, kriminelë nazistë, paçka se janë nëntëdhjetëvjeçarë! Rezolucionin e Asamblesë Parlamentare të KE-së, për dënimin e krimeve të regjimeve totalitare, gjermanët e kanë zbatuar në mënyrë të admirueshme. Prandaj janë në atë piedestal ku janë. Ne nuk dashkemi t’i marrim si shembull?
Por si e kemi zbatuar atë vendim, kur E.Rama bie në kundërthënie kur mëton se kutitë kërkon t’i hapë, - pa dhënë një argument juridik sesi mund të hapen, - duke shpallur se nuk synon në ndryshimin e numrit të deputetëve, ndonëse e shpërfill parlamentin dhe e trajton këtë si vend vilexhiature? A nuk është një sfidë që i bëhet demokracisë kur thotë se „kërkon rrëzimin e Berishës“? Ky është qëllimi i bojkoteve për të cilat të gjithë ndërkombëtarët janë shprehur se janë të paparanueshme në kohët e tanishme? Ndërkaq ai shakaxhiu ( përcaktori është i Preçit), i vetëquajturi si liberal i djathtë (mender jush!), me votat tërësore që mund t’i mbajë të gjitha mbi kurriz me lehtësinë më të madhe një mushkë dhe me emrin e partisë së tij të re që ka brenda ligjin (=antiligjin) dhe drejtësinë (= padrejtësinë), na shpërthen nëpër mitingjet e mbjelljes së kaosit se do ta rrëzojë Berishën për tri ditë(!), me pjesëmarrës mitingashësh bashkiakë dhe të paguarish në dritë të diellit, për të bërë gjullurdi . . .Kështu shprehej ky ish-zëdhënës i PD-së, që u zgjodh deputet me kandidaturën që ia mbështeti P. Demokratike se, po të dilte i pavarur, do të kishte marrë votat e kurrizit të mushkës, që përmendëm! Dhe, meqë në këtë tryezë na doli edhe fjala koherencë, mund të shtojmë se ky ish, që përmendëm disa rreshta më lart, na kishte kaluar nga monarkia te antimonarkia, nga aleancist në pëdëist!
Për Preçin na vjen keq se, në kohën që i shërbente PD-së, na u duk si i përkorë, me arsyetime të qarta, madje edhe modest: kishte ngjallur simpati një deklaratë e tij se nuk iu rikthye PD-së me pretendime megalomane, por do t’i përkushtohej asaj partie si ushtar i thjeshtë, paçka se ishte ndër të parët që u ngrit kundër diktaturës. Bukur. Por duket se paska qenë një fasadë. Dhe, sido që me prirje letrare të mirëfillta, shkel mbi vetveten, kur shndërrohet në një fanatik idesh të padenja për të, për ngritjen e kultit të një individi të shthurur. Më keq akoma: i dëmshëm për perspektivat shqiptare të liberalizimit të vizave për shqiptarët e etur për këtë ngjarje të hareshme. Por dëmtues edhe për të ardhmen e vendit tonë në komunitetin europian. Na kujtohet sërish ajo thënia e atij Luigjit që përmban fjalën kiamet!
Kiameti i pllakostë të gjithë atdhemohuesit, jarebi!
Meqë në këtë tryezë të çuditshme u fol edhe për marrëdhëniet e liderëve me gazetarët, duhej theksuar bash aty se Rama është personi arrogant dhe buzëvarur ndaj gazetarëve. S’e ka për gjë që t’i fyejë ata për çdo pyetje që s’i vjen mirë në vesh. Meqë e ëma pikërisht ditën e djeshme ka thënë se Berisha e ka mbushur kupën ndaj të birit, duhet t’i kujtohet asaj zonje se është e kundërta. Berisha u është përgjigjur fjalëve të papërmbajtura dhe ofenduese të Ramës. Dhe e mira do të ishte që mos t’i futet edhe ajo propagandimit të të birit, siç bënë disa në këtë panel, për të cilin folëm. është dikush tjetër ai që ka nxjerrë paudhësitë e të birit ndaj të atit, duke paraqitur edhe dokumentet gjyqësore të incestit, në fjalët e pamatura të të birit. Zonja Anetë e di mirë se cili është ky, por tani s’e përmend se sherrxhiu, pavarësisht se e ka bërë Ramën me turp, është aleat i tij, tashmë!
Ndërsa Berisha (të vijmë sërish në marrëdhëniet me gazetarët), ka qenë kurdoherë i përzemërt, i përmbajtur, i qetë dhe ka ditur të krijojë një atmosferë të kthjellët me ta.
Dy fjalët e fundit për karizmën, për ta mbyllur, me që u përmend në bisedë edhe kjo fjalë. është e vërtetë se Rama ka karizmën e tij. Por mos të harrojmë se edhe Rasputini ishte karizmatik. Karizma e Ramës është populiste: e njerëzve që kishin përfituar nga diktatura dhe e interesaxhinjve, që përbëjnë pjesën më të vogël të popullit. Ndërsa karizma e Berishës është ajo e popullit të shumëvuajtur nga diktatura, siç e kemi parë të filmuar edhe kohët e fundit, në mitingjet e pamasa kundër saj. Vetëm 8 dhjetori i sapokaluar dhe ata të 500.000 vetat t’i kujtohen Spartakut, kur flet për rrëzimin e Berishës me dhunë. Një miting si ai, me protagonist vetveten, Rama s’e ka parë as në ëndërr. Karizma e Berishës është e tillë që ngre në këmbë një popull të tërë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›