Transparenca e zgjedhjeve, Rasmussen “shuplakë” Ramës
“Pretendimet mund të shqyrtohen vetëm në Kuvend, bojkoti rrugë jashtëparlamentare”
“Opozita duhet të jetë në parlament dhe vetëm në këtë mënyrë mund të realizohet hetimi parlamentar i zgjedhjeve”. Kështu është shprehur Presidenti i Partive Europiane Socialiste, Poul Nyrup Rasmussen. Kreu i PSE-ve ka bërë të ditur se mbështet nismat parlamentare të opozitës ashtu sikurse edhe vullnetin e mazhorancës për të trajtuar ligjërisht kërkesat e pakicës. Gjatë një takimi të zhvilluar në Sarajevë me kreun socialist Edi Rama, Rasmussen ka deklaruar se mbështet kërkesën për transparencën e zgjedhjeve, por se pretendimet ngrihen dhe shqyrtohen në Kuvend dhe jo jashtë linjës institucionale. “Unë po u bashkohem përpjekjeve për të arritur transparencë të plotë, se edhe unë do të doja t’i shprehja dëshirën time për ngritjen e një Komisioni Hetimor, një komision hetimor të pavarur, i cili të negociohet dhe të pranohet edhe nga Partia Socialiste e Shqipërisë. Komision i cili mund të përbëhet nga shqiptarë, por edhe nga përfaqësues ndërkombëtarë të pavarur, ç’ka do të garantonte se ky komision hetimor do të shqyrtonte çdo pikëpyetje, dyshim apo çështje të tjera mbi zgjedhjet e fundit. Transparencë e plotë me pjesëmarrje në Komision Hetimor dhe le ta mbarojmë këtë punë”, u shpreh Rasmusen, duke dënuar kështu zgjedhjen e Edvinit, për të inkuadruar edhe njëhera nga e para bojkotin e Kuvendit dhe komisioneve parlamentare. Pas kësaj “shuplake” njeriu i krizës dhe i boshtit kundër integrimit të Shqipërisë, ka hasur në një ‘mur’ rrethues çka ia thellon krizën psikologjike dhe orvatjen e tezave absurde mbi legjitimitetin e zgjedhjeve të qershorit të kaluar.
...