E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret Ambasadorin e Rumanisë në Shqipëri Viorel Stanila

Kryeministri Berisha priti sot në takim Ambasadorin e Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Rumanisë ne Shqipëri, zotin Viorel Stanila, me rastin e fillimit të detyrës.

Kryeministri Berisha, pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen dhe suksese në misionin e tij në Shqipëri, vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira politike midis dy qeverive, si dhe marrëdhëniet shumë të mira tradicionale e miqësore midis popullit shqiptar dhe atij rumun. Kryeministri i shprehu Ambasadorit Stanila angazhimin e qeverise shqiptare për t’i forcuar edhe me tej këto marrëdhënie në të ardhmen.

Ambasadori Stanila e falënderoi përzemërsisht Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe miqësore. Duke theksuar se ky takim zhvillohet në një moment jashtëzakonisht të rëndësishëm për Shqipërinë, siç është anëtarësimi  me të drejta të plota në NATO, Ambasadori  Stanila  i shprehu urimet më të ngrohta Kryeministrit Berisha, duke vlerësuar lart kontributin personal të Kryeministrit për këtë arritje historike për Shqipërinë e shqiptarët.

Më tej, Ambasadori Stanila i shprehu Kryeministrit Berisha angazhimin e tij të plotë si përfaqësues i Rumanisë në Shqipëri për të kontribuar në forcimin më tej të marrëdhënie miqësore midis dy popujve, si edhe marrëdhëniet shumë të mira midis qeverive të të dy vendeve.

Në takim u theksua rëndësia e intensifikimit të mëtejshëm të shkëmbimeve politike në nivelet më të larta, si edhe zgjerimi e thellimi i marrëdhënieve ekonomike dhe në të gjitha fushat. Në veçanti, Kryeministri Berisha i kërkoi Ambasadorit Stanila intensifikimin e përpjekjeve për nxitjen e investitorëve rumunë për të investuar në Shqipëri.

Gjatë takimit u diskutuan edhe çështje të lidhura me zhvillimet në rajon.


05/05/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›