Ministri i Mbrojtjes së Hungarisë Szekeres: Qeveria hungareze do të japë gjithë mbështetjen për integrimin e Shqipërisë në BE
Kryeministri Berisha priti sot pasdite në një takim Ministrin e Mbrojtjes së Hungarisë, z. Imre Szekeres.
Kryeministri Berisha i uroi mirëseardhjen dhe i përcolli urimet më të mira për Kryeministrin e ri hungarez, z. Gordon Bajnai. Kryeministri u shpreh se qeveria shqiptare është mirënjohëse ndaj kombit dhe qeverisë hungareze, për mbështetjen edhe ndihmën për integrimin në NATO dhe procesin e integrimit në Bashkimin Europian.
Ministri Szekeres e falënderoi për mikpritjen dhe i përcolli Kryeministrit Berisha urimet e sinqerta të homologut hungarez dhe të qeverisë hungareze për anëtarësimin në Shqipërisë në NATO, si dhe për hapat drejt integrimit në BE. Qeveria hungareze do të japë çdo lloj ndihme dhe gjithë mbështetjen e saj për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, u shpreh Ministri i Mbrojtjes së Hungarisë, z. Imre Szekeres.
Kryeministri Berisha theksoi se anëtarësimi në NATO ishte e një rëndësie të jashtëzakonshme për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe se anëtarësimi në BE është projekti i dytë madhor për qeverinë shqiptare, të cilin ajo e merr me durim dhe seriozitet, si një proces të pandalshëm, bazuar në arritjet dhe meritat në realizimin e standardeve të kërkuara. 96 për qind e shqiptarëve, u shpreh Kryeministri, e mbështesin anëtarësimin në BE si një realizim të vullnetit të tyre për t’’iu bashkuar familjes së madhe europiane, të vlerave të përbashkëta të cilës i përkasin.
Të dy bashkëbiseduesit u shprehën se marrëdhëniet dypalëshe janë të shkëlqyera, veçanërisht ndihma dhe mbështetja hungareze në fushën e modernizimit të Forcave të Armatosura shqiptare, ka qenë shumë e vyer, duke pasur parasysh se në këtë fushë Hungaria ka shënuar arritje shumë të suksesshme.
Gjatë takimit u diskutua dhe për zhvillimet në rajon dhe në Kosovë. Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Hungaria, duke vlerësuar këtë si një kontribut të rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në rajon.
05/05/2009