E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha diskuton me kryetarin e bashkisë së Romës realizimin e iniciativave të përbashkëta

Kryeministri Berisha dhe zoti Alemano u ndalën në iniciativën e Pranverës Italiane në Shqipëri, një aktivit i madh kulturor, në të cilin do të marrin pjesë mbi 80 aktivitete dhe biznese të ndryshme italiane.
 
Gjatë këtij takimi të përzemërt, u diskutua edhe për vitin e 100 vjetorit të lindjes së Nënë Terezës dhe aktiviteteve të shumta që do të zhvillohen me këtë rast.
 
Në përfundim të vizitës së tij zyrtare në Itali, Kryeministri Berisha u prit në një takim miqësor e të përzemërt nga kryetari i bashkisë së Romës, zoti Gianni Alemanno.
 
Zoti Alemano i uroi Kryeministrit Berisha mirëseardhjen në Campidoglio dhe u shpreh  se ishte shumë i lumtur të priste Kryeministrin e një vendi, me të cilin Italia ka raporte të shkëlqyera bashkëpunimi.
 
Kryeministri Berisha falënderoi kryetarin e bashkisë së Romës për mikpritjen dhe u shpreh se Italia është avokati i parë i vendit tonë në përpjekjet për realizimin e integrimit europian, projektit më madhor të shqiptarëve. Kryeministri Berisha u shpreh se sot kishte firmosur me Kryeministrin Silvio Berluskoni një marrëveshje për partneritetin strategjik, që do të jetë një konsolidim i mëtejshëm i bashkëpunimit të ngushtë midis dy vendeve në të gjitha fushat, veçanërisht në energji, turizëm, transport.  
 
Kryeministri Berisha dhe zoti Alemano u ndalën në iniciativat e përbashkëta midis Shqipërisë dhe bashkisë së Romës në fusha të ndryshme. Kështu, zoti Alemano u shpreh se në Romë jetonte një komunitet i gjerë shqiptarësh, mbi 5 mijë emigrantë shqiptarë, të integruar shumë mirë në qytetin e tij dhe që përbëjnë një kontribut të rëndësishëm për zhvillimin e këtij qyteti.
 
Gjatë bisedës mes tyre, Kryeministri Berisha dhe zoti Alemano u ndalën në iniciativën e Pranverës Italiane në Shqipëri, një aktivit i madh kulturor, në të cilin do të marrin pjesë mbi 80 aktivitete dhe biznese të ndryshme italiane. Lidhur me këtë, zoti Alemano u shpreh se bashkia e Romës do të ishte shumë e lumtur të jepte kontributin e saj në zhvillimin me sukses të këtij aktiviteti të rëndësishëm. Me këtë rast, Kryeministri Berisha i shprehu ftesën e tij kryetarit të bashkisë së Romës për të vizituar Shqipërinë, ftesë, të cilën zoti Alemano e pranoi me kënaqësi, duke u shprehur se në pranverë, gjatë këtij aktiviteti, ai do të vizitonte Shqipërinë.
 
Gjatë këtij takimi të përzemërt, u diskutua edhe për vitin e 100 vjetorit të lindjes së Nënë Terezës dhe aktiviteteve të shumta që do të zhvillohen me këtë rast. Kryeministri Berisha u shpreh se qeveria shqiptare ka ndërmarrë të gjitha nismat dhe do të japë të gjithë mbështetjen e saj që ky të jetë një vit me aktivitete të shumta e të rëndësishme në përkujtim të shqiptares së madhe, Nënë Terezës. Kryeministri tha se lidhur me këtë, do të ishte pozitive të kishte një bashkëpunim edhe me bashkinë e Romës, si kryeqyteti i një vendi, të cilin Nënë Tereza e donte dhe e vlerësonte shumë. Zoti Alemano tha se kjo ishte një ide shumë e mirë dhe iu përgjigj me interes kërkesës së Kryeministrit  Berisha, duke u shprehur se bashkia e Romës, në vlerësim të kësaj figure të madhe të njerëzimit, do të organizojë javën e Nënë Terezës, me aktivitete të shumta nga bashkia e Romës dhe të gjithë strukturave të lidhura me të.
 
Kryeministri Berisha u shpreh më tej se një kontribut jashtëzakonisht i madh do të ishte ndihma në ekspertizë që bashkia e Romës dhe strukturat e saj do të jepnin në ristrukturimin dhe mbrojtjen e monumenteve të kulturës, duke qenë se Roma është qendra e pasurisë botërore të monumenteve të kulturës dhe se ekspertët italianë mund t’u japin një ndihmë të çmuar ekspertëve shqiptarë dhe një kontribut të vyer, në këtë drejtim. Meqenëse këtë vit, Shqipëria ka pasur një rritje të turizmit prej 36 përqind, u shpreh Kryeministri Berisha, është me shumë interes një vlerësim dhe ristrukturim më i madh i qendrave kulturore dhe zonave arkeologjike, të cilat Shqipëria i ka të shumta.
 
Gjithashtu, në takim u diskutua edhe për iniciativa të tjera bashkëpunimi në lëmin e shoqërisë civile, të forumeve të ndryshme dhe shoqatave Shqipëri-Itali lidhur edhe me iniciativat për mbrojtjen e ambientit.
 12/02/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›