E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takohet me Presidentin e Dhomës së Deputetëve të Italisë Gianfranco Fini

-          Kryeministri Berisha theksoi se bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Italisë në fushën e sigurisë, të mbrojtjes e rendit dhe në fushën e gjyqësorit, është në një nivel shumë të lartë dhe duhet të shërbejë si shembull për bashkëpunimin midis vendeve të tjera.
Kryeministri Berisha, i cili ndodhet në Itali për një vizitë zyrtare, u prit në një takim të përzemërt nga Presidenti i Dhomës së Deputetëve të Italisë, z. Xhanfranko Fini, në Pallatin Montecitorio.
Zoti Fini i uroi mirëseardhjen Kryeministrit Berisha, duke shprehur vlerësimin se marrëdhëniet mes dy vendeve janë të shkëlqyera dhe se e gëzonte fakti që këto marrëdhënie po intensifikohen dhe po ngrihen në një nivel edhe më të lartë.
Kryeministri Berisha i shprehu falënderimet e tij Presidenti të Dhomës së Deputetëve të Italisë për gjithë ndihmesën që ai personalisht, parlamenti dhe qeveria italiane, i kanë dhënë Shqipërisë në këto vite, në procesin e saj të integrimit në NATO dhe tashmë në procesin madhor të integrimit në Bashkimin Europian, si dhe në zhvillimin dhe modernizimin e vendit.
Kryeministri Berisha u shpreh se marrëveshja e firmosur gjatë kësaj vizite për Partneritet Strategjik midis dy vendeve, është një marrëveshje që do të konsolidojë bashkëpunimin me interes të përbashkët dhe do ta bëjë këtë bashkëpunim shumë të rëndësishëm akoma edhe më solid.   
Në takim, të dy personalitete diskutuan për fusha me interes të përbashkët për të dy vendet, duke vlerësuar si kryesore bashkëpunimin ekonomik, veçanërisht në fushën e energjetikës. Kryeministri Berisha i bëri me dije zotit Fini se vitin e kaluar u nënshkruan marrëveshje për rreth 4 milionë euro investime në fushën e energjisë, në prodhimin e çimentos, etj. Kryeministri theksoi se është në interesin e përbashkët të dy vendeve shfrytëzimi i potencialeve të mëdha të Shqipërisë, veçanërisht në prodhimin e energjisë nga burimet të ndryshme. Kryeministri tha se janë 440 hidrocentrale të madhësive të ndryshme për t’u ndërtuar në vend dhe bashkëpunimi me Italinë në këtë drejtim është me interes të madh reciprok. Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha nënvizoi rëndësinë e suksesit të projekteve në fushën e energjisë së rinovueshme, duke përmendur këtu  projektet ndërkombëtare të gazit që përfshijnë Shqipërinë dhe Italinë, si një tjetër kusht i domosdoshëm i krijimit të një tregu të qëndrueshëm energji, mbështetjen e projekteve italiane në fushën e energjisë hidrike dhe të erës, domosdoshmërinë e linjën së interkonjeksionit nënujor Shqipëri – Itali, si arterie e domosdoshme e lidhjes së tregut shqiptar me atë europian, nëpërmjet Italisë, etj. Ai theksoi ambicien dhe objektivin e qeverisë shqiptare për ta kthyer Shqipërinë në një nyjë strategjike për prodhimin e energjisë së rinovueshme dhe eksportimin e saj.
Presidenti i Dhomës së Deputetëve të Italisë Fini shprehu vlerësimin e tij për hapat e ndërmarrë nga qeveria shqiptare drejt procesit të liberalizimit të vizave dhe siguroi se Italia do të mbështesë me të gjithë forcën e saj liberalizimin e vizave dhe procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.
Gjithashtu, z. Fini theksoi se një urë shumë e rëndësishme miqësie dhe bashkëpunimi mes dy vendeve janë emigrantët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Itali, të cilët përbëjnë një komunitet shumë të rëndësishëm, janë rreth 22 mijë sipërmarrës shqiptarë të cilët operojnë me sukses në Itali  dhe me mijëra student . Ata janë ambasadorët më të mirë të vendit të tyre, theksoi z. Fini.
Duke ndalur diskutimin në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, Kryeministri Berisha  u shpreh se qeveria shqiptare është e vendosur të vazhdojë të ndjekë politikën e tolerancës zero në luftën kundër këtyre dy fenomeneve. Në këtë drejtim, Kryeministri vuri në dukje vendimin e qeverisë për rinovimin e moratoriumit për skafet, miratimin e ligjit antimafia. Lidhur me kete zoti Fini theksoi se bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Italisë në fushën e sigurisë, të mbrojtjes së rendit dhe në fushën e gjyqësorit, është në një nivel shumë të lartë dhe si i tillë duhet të shërbejë si shembull për bashkëpunimin midis vendeve të tjera.
Kryeministri Berisha shfrytëzoi rastin edhe në takimin me z. Fini për të shprehur falënderimet për forcat e mbrojtes civile italiane, për ndihmën dhe mbështetjen e menjëhershme dhe shumë të sukseshme në përballimin e situatës së përmbytjeve, muajin e kaluar, në zonën e Shkodrës.  12/02/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›