Kryeministri Berisha: Letërnjoftimet elektronike mundësojnë një infrastrukturë zgjedhore ndër më modernet përsa i përket identifikimit të zgjedhësve
Kryeministri Berisha ndoqi nga afër sot në mesditë aplikimin e parë të qytetarëve të Tiranës për pajisjen me letërnjoftimet e reja elektronike.
I pranishëm në qendrën e aplikimeve pranë zyrave të Njësive Bashkiake nr. 3 dhe 4 në Tiranë, Kryeministri Berisha uroi aplikanten e parë për dokumentin e ri të identifikimit, duke e cilësuar nisjen e këtij procesi një moment jashtëzakonisht të rëndësishëm në vendosjen e një sistemi të ri, ndër më modernët që ekziston sot në botë, për identifikimin shtetasve.
“Me këtë sistem qytetarët e këtij vendi pajisen me dokumenta të cilësisë më të lartë për identitetin e tyre, dokumeta të cilat do t`u lehtësojnë punën atyre në çdo akt që nevojitet identifikimi i tyre, dokumenta të cilët do t`ju duhen dhe i lejojnë ata të udhëtojnë të qetë përsa i përket identitetit të tyre në të katër anët e botës”, u shpreh Kryeministri.
Më tej Kryeministri theksoi se procesi po ecën tërësisht sipas programimit, ndërsa e vlerësoi atë si një mision tjetër shumë të rëndësishëm përsa i përket modernizimit të infrastrukturës zgjedhore.
“Do ta quaja këtë proces mision për mundësimin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare me infrastrukturën më moderne të identifikimit të zgjedhësve, listat elektronike, sistemin tërësor të ri të adresave dhe dokumentat elektronike. Këto janë detyrimet e qeverisë para vendit, para shoqërisë”, vlerësoi Kryeministri.
Natyrisht, vijoi më tej Kryeministri, më duhet të them këtu që ata që për afro 3 vjet e gjysëm ndërtuan alternativën e tyre mbi boshin dhe mashtrimin, qershori për ta do të jetë dëshpërues, por kjo është çështja e tyre.
Më pas Kryeministri iu përgjigj interesit të medias lidhur me procesin:
-Pyetje: Z Kryeministër si e shpjegoni interesin e madh të qytetarëve për t`u pajisur me letërnjoftimet e reja pasi në të gjitha pikat e postave janë tërhequr të gjithë kuponat?
Kryeministri Berisha: Është vetëdije e lartë e qytetarëve për rëndësinë e këtyre dokumentave. Me këto dokumenta qytetari shqiptar barazon veten në aspektin e identifikimit me të gjithë qytetarët europianë. E vërteta është se ne kemi përzgjedhur dokumentin ose teknologjinë më të avancuar që ekziston sot në Europë.
Pyetje: Zoti Kryeminister a po i përgjigjet shteti vetëdijes së qytetarëve sepse sot në orën 10:20 janë mbaruar të gjithë kuponat e aplikimit?
Kryeministri Berisha: Natyrisht në çdo orë dhe në çdo ditë nxirret mësim, nëse ka probleme. Ju nuk mund të prisni që aplikimi i parë të ketë shpejtësinë maksimale të aplikimeve, por shteti dhe e gjithë administrata është e vendosur ta mbështesë fuqishëm procesin. Janë krijuar 40 qendra dhe në rast nevoje mund të shkojnë në 60 apo 70 qendra ndihmëse vetëm në funksion të shpejtimit të këtij procesi. Por përshëndes qytetarët për interesin e tyre. Është një nderim i madh që i bëjnë vetes së tyre për të patur dokumentin që meritojnë, por është edhe një kontribut real i secilit prej tyre në modernitetin e kësaj shoqërie, të këtij vendi dhe ky është një rast i veçantë për çdo njeri. Sigurisht që posta do të ketë shumë më tepër pika dhe do të kontraktojë dhe punonjës të tjerë në rast se nevojiten dhe do t`u përgjigjet me shpejtësinë më të madhe kërkesave të qytetarëve me pika shpërndarje të kuponave të grumbullimit të të dhënave.
-Pyetje: Kur do të aplikoni ju z. Kryeministër?
Kryeministri Berisha: Më propozuan të aplikoja sot, por unë preferova t`ju lë radhën qytetarëve. Meqenëse sot u bë aplikimi në media unë do ta bëj aplikimin pa media.
12/01/2009