Kryeministri Berisha: Ndryshimi duhet të jetë procesi më serioz për qytetarët shqiptarë
- “Ne jemi të përkushtuar në një proces të ndryshimit të thellë e të plotë, që konsiston në ndërtimin e rrugëve të reja kombëtare në mbarë vendin, në ndërtimin e infrastrukturës moderne në të gjitha komunat e fshatrat, në rritjen e pagave dhe pensioneve, modernizimin e shkollave.”
Gjatë vizitës në rrethin e Durrësit, Kryeministri Berisha inauguroi përfundimin e punimeve të rrugës së Hardhishtës, investim me vlerë 36 milion lekë.
Kryeministri Berisha tha se zhvillimi rural i vendit mbetet përparësi dhe në këto tre vjet, qeveria ka investuar 1.2 miliard dollarë në përmirësimin e infrastrukturës, ndërtimin e shkollave të reja, ujësjelës dhe kanalizime.
Ndryshimi, theksoi Kryeministri, është procesi më serioz për qytetarët shqiptarë dhe ai vjen përmes veprave, që përmirësojnë cilësinë e jetes së tyre.
“Shqipëria, - u shpreh Kryeministri - ka nevojë për ndryshim më shumë se çdo vend tjetër në Europë, sepse Shqipëria trashëgoi prapambetjen më të thellë dhe të madhe se çdo vend tjetër i kontinetit. Ne jemi të përkushtuar në një proces të ndryshimit të thellë e të plotë, që konsiston në ndërtimin e rrugëve të reja kombëtare në mbarë vendin, në ndërtimin e infrastrukturës moderne në të gjitha komunat e fshatrat e vendit, në rritjen e pagave dhe pensioneve, modernizimin e shkollave. Të gjitha këto janë kushte jo vetëm për të ndryshuar për mirë jetën tonë, por edhe për t’u integruar e bashkuar me kombet e tjera të zhvilluara.”
Kryeministri Berisha se qeveria do të vazhdojë të mbështesë dhe mbrojë prodhimet e fermerëve shqiptarë, do të lehtësojë arritjen e tregjeve, do të modernizojë infrastrukturën e fshatrave dhe vitin e ardhshëm, me rritjen edhe 20 për qind të pensionit në shfat, bëhet realitet zotimi i saj për dyfishimin e tyre.
Në takimin me banorë në kuadër të turit “Shqipëria po ndryshon”, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Erdha këtu për të ndarë me ju kënaqësinë e inagurimeve në komunën tuaj, të cilat në një hark të shkurtër kohor po përmirësojnë ndjeshëm infrastrukturën e kësaj komune. Pak më parë inauguraum shkollën 9-vjeçare në Gjepalaj dhe këtu rrugën që ju lidh me me rrugën kombëtare. Kam kënaqësinë t’ju informoj se ka përfunduar projekti i urës së re, e cila, pas projetit, do të tenderohet menjëherë dhe së shpejti, do të inaugurojmë edhe fillimin e punimeve për shkollën tuaj të re.
Hardhishta, Shijaku, mbarë Shqipëria ka nevojë për ndryshime pozitive. Çdo vend, cilido qoftë dhe sado i zhvilluar që të jetë, ka nevojë për ndryshim. Por Shqipëria ka nevojë për ndryshim më shumë se çdo vend tjetër në Europë, sepse Shqipëria trashëgoi, siç jemi të gjithë dëshmitarë, prapambetjen më të thellë dhe të madhe se çdo vend tjetër i kontinetit. Ndaj dhe ne jemi të përkushtuar në një proces të ndryshimit të thellë e të plotë, që konsiston në ndërtimin e rrugëve të reja kombëtare në mbarë vendin, në ndërtimin e infrastrukturës moderne në të gjitha komunat e fshatrat e vendit, në rritjen e pagave dhe pensioneve, modernizimin e shkollave. Të gjitha këto janë kushte jo vetëm për të ndryshuar për mirë jetën tonë, por edhe për t’u integruar e bashkuar me kombet e tjera të zhvilluara.
Për herë të parë në historinë e vendit, ne, në tre vjet, investiojmë në fshatrat tona 1.2 miliard dollarë në rrugë, shkolla, ujësjellës dhe kanalizime. Ne besojmë se ndryshimi vjen vetëm përmes veprave dhe ndryshimi është ajo çka çdo qytetar shqiptar ka nevojë jetike. Ndryshimi duhet të jetë procesi më serioz për mbarë qytetarët tanë dhe besoj se të gjithë jemi dakord se vendi ynë për të ndryshuar ka nevojë më shumë se çdo vend tjetër për shkolla të reja, rrugë e ura të reja, ujësjellës, kanalizme, për paga e pensione më të larta.
Edhe kryetarit të Partisë Socialiste thërret për ndryshim, por ndryshimi nuk vjen me mashtrime, me falsifikime, nga trillimet dhe shpifjet. Ndaj edhe unë jam i bindur se ndërmjet ndryshimit që ne sjellim me vepra konkrete dhe ndryshimit që ofron zoti Rama me fjalë boshe e shpifje, sa madje për të ndërtuar karrierën e tij mbi çdo gjë, prek edhe aty ku nuk prek kurrë shqiptari, në kodin e vdekjes, ndryshimi që ne ofrojmë është krejt i ndryshëm, si nata me ditën. Ndaj, të dashur qytetarë, ndryshimi ynë është ai që ju besoni, ju duhet dhe ju ofrohet.
Të dashur fermerë, ne e konsiderojmë jetike për ju infrastrukturën moderne, që ju të udhëtoni në rrugë të asfaltuara. Një muaj e gjysëm më parë vizitova komunën Xhafzotaj dhe banorët e saj më thanë se aty ndjeheshin si në qytet, pasi i kishin rrugët të asfaltuara dhe lagjja e tyre ishte më e sistemuar se një pjesë e mirë e lagjeve të kryeyqtetit. Kryetari i bashkisë së Tiranës është kryetar i qendrës, ndaj edhe botën e tij shpirtërore e ka për qendrën e Tiranës.
Si në Xhafzotaj dhe këtu, është ndërtuar kjo rrugë e shkëlqyer, e cila do të asfaltohet e tëra dhe së shpejti do të fillojë menjëherë nga ndërtimi edhe ura e re. Kryetari i komunës kujdeset për ju dhe vazhdimisht komunikon me mua për hallet tuaja dhe qeveria do ta mbështesë atë në çdo projekt. 8 vjet qeverisje asgjë nuk kanë bërë, madje kanë zënë edhe oborrin e shkollës, të cilin ne do ta çlirojmë.
Ne realisht po sjellim ndryshimin. Tre muaj më parë, vizitova Peqinin dhe sërish do të shkoj. Gjatë vizitës sime atje, më thanë se në vitin 2005, përgjatë rrugës kombëtare nuk ka pasur asnjë metër të asfaltuar. Kur kalon nëpër rrugë të asfaltuara, nuk të bie ndërmend se ka rrugë të paasfaltuara në fshatra. Ju jap fjalën se do të asfaltojmë edhe rrugën kryesore që ju lidh me rrugën kombëtare dhe çdo rrugë që lidh fshatrat e vendit me rrugën nacionale, si dhe do të ndërtojmë shkolla që fëmijët tuaj të shkollohen njëlloj si në Shijak, në Durrës e kudo.
Ne, gjithashtu, do të mbështesim prodhimet tuaja, do t’i mbrojmë ato nga kontrabanda, do të bëjmë çdo përpjekje që ju të gjeni treg për to, do të mbështesim pemëtarinë, vreshtarinë, serat me diell dhe me ngrohje, do të mbështesim kulurën e ullirit si një nga kulturat më kryesore të vendit. Ju jap fjalën se në vitin 2009 pensionet e fshatit do të dyfishohen, sikundër ky ka qenë zotimi ynë 4 vjet më parë. Në vitin 2005, jam zotuar para jush se do të dyfishojmë pensionet e fshatit dhe vitin e ardhshëm, ky premtim mbahet plotësisht. Në vitin 2009, pensionet e fermerëve do të rriten 20 përqind dhe unë ju garantoj se nuk do të ndalojmë derisa pensionet tuaja të barazohen plotësisht me ato të qytetit.
Edhe një herë ju përshëndes dhe ju siguroj ju, kryetarin dhe këshillin e e komunës suaj se qeveria do të mbështesë çdo projekt për të përmirësuar jetën tuaj.”
11/11/2008