E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret Princin e Arabisë Saudite H.R.H. Mansour Bin Mogrin Bin Abdulaziz Al Saud

Kryeministri Berisha priti në një takim Princin e Arabisë Saudite H.R.H. Mansour Bin Mogrin Bin Abdulaziz Al Saud, si dhe Dr. Ali Evsen, President i Grupit të kompanive  EVSEN. 

Ata përgëzuan Kryeministrin për vazhdimin e mandatit të tij qeverisës dhe shprehën optimizmin për suksesin e ardhshëm të tij. Princi i Arabisë Saudite i përcolli Kryeministrit përshëndetjet dhe urimet e Mbretit Abdullah dhe premtimin për të vazhduar më tej investimet në Shqipëri. Ai u shpreh se ishte nder për grupin që ata përfaqësojnë të ngrenë lartë emrin e kompanisë ajrore Albanian Airlines, që ata kanë blerë nga Grupi Al Kharaf. Ai tha se emri shqiptar në këtë kompani i bën ata edhe më të përgjegjshëm për cilësitë e investimeve dhe shërbimeve që do të ofrojnë, nëpërmjet zgjerimit të biznesit të tyre. Atmosfera mikpritëse shqiptare edhe në fushën e biznesit, theksoi Princi,  më ka bërë të ndihem shumë mirë në vendin tuaj.

Presidenti i Grupit të kompanive  EVSEN, Dr. Ali Evsen, tha se blerja e linjës ajrore Albanian Airlines është hapi i parë në programin e madh investues që ata kanë bërë si kompani, për Shqipërinë. Ai i prezantoi Kryeministrit portofolin e aktiviteteve që ata mbulonin në vende të ndryshme. Krahas biznesit në transportin ajror, grupi operon në sektorin industrial të prodhimit, si kondicionerë, televizorë, montim automjetesh, edhe në fushën e ndërtimit, si dhe në atë të fibrave optike.

Në sektorin e transportit ajror, ky grup e ka futur Shqipërinë në hartën e biznesit të tij, si një vend strategjik, nyje lidhëse e vendeve nga Europa Jugore përtej oqeaneve, në Azi e vende të tjera. Për këtë qëllim, ata kanë sjellë për kompaninë Albanian Airlines 21 avionë, midis të cilëve 2 të tipit BOING 747. Investimi i tyre në përmirësimin e shërbimit të transportit ajror do të konsistojë jo vetëm në përmirësimin e infrastrukturës, si ndërtimin e hoteleve dhe ambienteve për tranzitin, por edhe të cilësisë, duke synuar rritjen e konsiderueshme të udhëtarëve dhe kthimin e aeroportit të Tiranës në qendër të madhe tranziti të linjës së tyre. 

Kryeministri Berisha falënderoi Princin e Arabisë Saudite dhe Presidentin e Grupit të kompanive  EVSEN për vizitën dhe programin ambicioz investues të kompanisë që ata sapo kanë blerë. Ai u premtoi mbështetjen e plotë nga strukturat e qeverisë së tij, për realizimin e shpejtë e të suksesshëm të programit të tyre. Gjithashtu, Kryeministri u prezantoi potencialet e reja investuese të Shqipërisë në fushën e prodhimit, ku rol lehtësues luajnë parqet industriale të sapo krijuar në vend.  Po ashtu, sektori i energjisë është një sektor në zhvillim të shpejtë, me potencial të madh thithës për investimet e huaja. Kryeministri përmendi edhe sektorin e bujqësisë, si një sektor kryesor për zhvillimin e ekonomisë dhe me shumë mundësi për investitorët e huaj. Në sektorin e transporteve, krahas ndërtimit të infrastrukturës rrugore, Kryeministri theksoi se portet janë një objekt kërkesash për investime nga disa kompani ndërkombëtare. Kryeministri Berisha i ftoi ata të konsiderojnë investimet e mëtejshme në Shqipëri në sektorët e sipërpërmendur.  Nga ana e tyre, Princi i Arabisë Saudite dhe Presidenti i Grupit të kompanive  EVSEN u shprehën të impresionuar për lehtësitë e bërjes së biznesit në Shqipëri dhe siguruan Kryeministrin se do të fillojnë menjëherë punën për identifikimin e mundësive të mëtejshme të biznesit në këta sektorë kaq tërheqës.               


09/10/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›