Kryeministri Berisha pret Shefin e PAMECA 3, zotin Michael Colbourne
Kryeministri Berisha mirëpriti sot, një takim, shefin e misionit të PAMECA 3, zotin Michael Colbourne dhe përfaqësues të këtij misioni, të shoqëruar nga kreu i delegacionit te KE-së ne Shqiperi Helmut Lohan.
Duke iu uruar mirëseardhjen, si dhe një punë të suksesshme në vendin tonë, Kryeministri Berisha vleresoi ndihmën e çmuar qe misioni PAMECA ka dhënë për zhvillimin dhe modernizimin e policisë shqiptare.Kryeministri siguroi se misioni PAMECA 3 do te kete mbeshtetjen e qeverise shqiptare dhe te strukturave shteterore në Shqipëri. Duke vënë në dukje se reformimi i forcave të policisë mbetet një prioritet i qeverisë shqiptare, për konsolidimin e shtetit ligjor, Kryeministri theksoi se në procesin e reformimit janë arritur rezultate të kënaqshme, por më e rëndësishme është konsolidimi i këtyre rezultateve.
Në këtë kontekst, Kryeministri evidentoi ndihmën e madhe që mund të japë misioni PAMECA nëpërmjet trajnimit të punonjësve të policisë dhe mbështetjes financiare për policinë shqiptare.
Gjithashtu, Kryeministri Berisha u ndal në ndihmën e çmuar që misioni PAMECA mund të japë në drejtim te buxhetit të policisë, për ngritjen cilësore të punës së saj, si dhe në luftën kundër korrupsionit të brendshëm në polici. Kryeministri u shpreh se kjo realizohet përmes përdorimit procedurave më të mira ekzistuese për të parandaluar korrupsionin brenda radhëve të policisë. Ndihma e dhënë nga PAMECA në këtë aspekt, theksoi kryeministri, është shumë e rëndësishme, pasi rrit reputacionin e policisë shqiptare dhe besueshmërinë e saj tek qytetarët.
Nga ana e tij, zoti Colbourne u shpreh se vazhdimi i misionit të PAMECA-s në Shqipëri është një aspekt shumë i rëndësishëm në ndihmë të policisë shqiptare dhe theksoi se kjo ndihmë do të bazohet mbi një bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Brendshme dhe strukturat përkatëse.
Përfaqësuesit e PAMECA-s vlerësuan prioritetin që qeveria shqiptare i ka dhënë ngritjes së imazhit të policisë së shtetit, si dhe modernizimit dhe reformimit të saj dhe shprehën bindjen se do të gjenin mbështetjen e qeverisë shqiptare dhe të kryeministrit Berisha, në vazhdimin e punës së tyre në Shqipëri.
Duke theksuar se suksesi i fazës së dytë të misionit, ashtu si i pari është një inkurajim për punën dhe rezultatet e policisë së shtetit, në përballje me krimin, Shefi i PAMECA-s u shpreh se çelësi i këtij suksesi do të jetë në duart e vete policisë së shtetit.
“Misioni PAMECA, u shpreh zoti Colbourne do të jetë pranë policisë shqiptare me trajnimet e oficerëve të policisë përmes ideve dhe projekteve të reja.”
Shefi i PAMECA-s u shpreh ndër të tjera, se do të studiohen të gjitha aspektet dhe mënyrat për të luftuar korrupsionin e brendshëm, duke përmirësuar në vazhdimësi imazhin dhe duke rritur reputacionin e policisë shqiptare.
Nga ana e tij, Kreu i delegacionit te KE-së Lohan përshëndeti fillimin e misionit të dytë të PAMECA-s në Shqipëri dhe u shpreh se BE i jep një rëndësi parësore luftës kundër korrupsionit, në kuadër të të cilit është dhe modernizmi dhe reformimi i mëtejshëm i policisë shqiptare.