Kryeministri Berisha: Mirënjohje vendeve anëtare të NATO-s për mbështetjen për marrjen e ftesës së anëtarësimit
Kryeministri Berisha shtroi sot një drekë në Pallatin e Brigadave në shenjë falenderimi për ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s me rastin e marrjes së ftesës për anëtarësim në Samitin e Bukureshtit. Kryeministri Berisha u shprehu ambasadorëve të vendeve anëtare të NATO-s, mirënjohjen e thellë për mbështetjen e çmuar që vendet anëtare të Aleancës kanë dhënë për integrimin e Shqipërisë.
“Shkëlqesi Ambasadorë së pari do të dëshiroja t`ju falenderoja nga zemra për pjesëmarrjen tuaj në këtë drekë, në të cilën dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të thellë për shkëlqesitë tuaja, për qeveritë dhe kombet tuaja, për mbështetjen e madhe, për besimin që i keni dhënë Shqipërisë duke i ofruar asaj ftesën e anëtarësimit në NATO”, u shpreh Kryeministri në fjalën e tij përshëndetëse.
Duke vlerësuar se shqiptarët kanë patur një histori të vështirë përsa i përket lirisë, Kryeministri Berisha tha se marrja e ftesës për anëtarësim në NATO ishte një ditë historike për të gjithë shqiptarët.
“Me marrjen e ftesës së anëtarësimit në NATO ne kemi siguruar përfundimisht liritë dhe të ardhmen tonë. Ne do të bëjmë çdo përpjekje për të ndërtuar një komb të lirë”, tha më tej Kryeministri Berisha.
Kryeministri theksoi se besimi që NATO i dha Shqipërisë duke i ofruar ftesën e anëtarësimit në Samitin e Bukureshtit, erdhi si rezultat i reformave thelbësore, të cilat e bënë Shqipërinë të gatshme për anëtarësimin në Aleancë.
“Besimi që ju na dhatë erdhi si rezultat i reformave thelbësore, për të cilat kombet tuaja dhanë një ndihmë thelbësore në të gjitha aspektetet për ta bërë Shqipërinë të gatshme për marrjen e ftesës. Dua t`ju shpreh mirënjohjen time të thellë të gjithëve për këtë mbështetje. Ne jemi shumë krenarë që e shohim këtë proces që e sjell kombin tim në një skenë të re të jetës politike”.
Kryeministri vlerësoi se NATO-ja u bë inspirim i madh për të gjitha forcat politike për të dëshmuar një kulturë të standardeve të vendeve të NATO-s. “Zyrtarë shumë të lartë më kanë pyetur nëse këto reforma u ndërmorën për shkak të anëtarësimit në NATO. Mos harroni se NATO është burimi i frymëzimit për këto reforma. NATO-ja ka qenë, është dhe do të jetë Aleanca më e madhe e lirive të të gjitha kohërave”, nënvizoi më tej Kryeministri Berisha.
Gjatë drekës e mori fjalën edhe Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, John L. Withers, i cili u shpreh se do të përshëndeste duke iu referuar fjalës së Kryeministrit në Bukuresht. “Ftesa për anëtarësim në NATO ishte një mrekulli e lirisë” u shpreh Ambasadori Ëithers. Kjo mrekulli-theksoi ambasadori Withers- ka bërë që Shqipëria të shihet në një dritë më pozitive dhe ka ndryshuar vizionin ndërkombëtar për Shqipërinë.