E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha pret Shefin e Shtabit të Ushtrisë Turke, Gjeneral Basbug

Kryeministri Berisha priti sot në një takim, Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Turke, Gjeneral Ilker Basbug. Duke i uruar mirëseardhjen, Kryeministri Berisha i shprehu falënderimet dhe mirënjohjen për ndihmën që Turqia ka dhënë në reformimin e Forcave të Armatosura Shqiptare dhe në tërësi në procesin e integrimit të Shqipërisë në NATO.

Të dyja palët shprehën kënaqësinë që Turqia dhe Shqipëria tashmë janë anëtarë të së njëjtës Aleancë, NATO-s.

Kryeministri Berisha dhe gjenerali Basbug vlerësuan se marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes dy popujve janë reflektuar edhe në bashkëpunimin e frytshëm jo vetëm në fushën e mbrojtjes, por në të gjitha fushat. Ai theksoi se bashkëpunimi mes forcave tona të armatosura do të thellohet më tej, si në fushën e trajnimit dhe arsimimit të kuadrove ushtarakë, edhe në kuadër të misionit ISAF në Afganistan.

Gjenerali Basbug u shpreh se ndjehej i impresionuar nga progresi që Shqipëria ka bërë gjatë këtyre viteve dhe i shprehu Kryeministrit Berisha konsideratën e tij si një ndër politikanët më të suksesshëm në rajon.

Bashkëbiseduesit u shkëmbyen mendime edhe në lidhje me zhvillimet në Kosovë dhe në rajon.


18/06/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›