E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takohet me qytetarë të njësisë bashkiake nr. 3, në Tiranë

-          Me vendosmëri dhe maturi do të ndërtojmë njëri pas tjetrit çdo standard që kërkohet për t’u bërë vend anëtar i Bashkimit Europian

Kryeministri Berisha zhvilloi sot pasdite një takim me qytetarë të njësisë bashkiake nr.3 në Tiranë. Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Të dashur qytetarë të Tiranës,

Përshëndetje vëllazërore për të gjithë ju. Ju shpreh kënaqësinë e madhe që sot mblidhemi në këtë shesh si qytetar të një vendi anëtar të NATO-s, mblidhemi në këtë shesh si qytetar të një vendi që, në katër vite kemi ndryshuar Shqipërinë  më shumë se çdo vend tjetër. Së bashku ia dolëm të bëjmë Shqipërinë  vend aplikant për anëtar në BE, ia dolëm të bëjmë që shqiptarët, brenda vitit të parë të mandatit të ardhshëm, të lëvizin të lirë, pa viza, në mbarë Europën, ia dolëm të bëjmë që ky vend, i cili vetëm pak vite më parë ishte i famshëm për varfërinë e tij në botë, të renditet sot në krye të rritjes ekonomike, me gjithë krizën e madhe europiane dhe botërore, ia dolëm të bëjmë që të ardhurat për frymë në katër vjet të rriten, nga 2300 në 4200 dollarë, ia dolëm të rrisim rroga e pensione më shumë se në çdo vend tjetër në Europë, të dyfishojmë pensionet për rreth 170 mijë fermerë, të rrisim të pensionet e tjera me 50-70 për qind, të dyfishojmë rrogat e infermierëve, mjekëve, mësuesve, të dyfishojmë ndihmën ekonomike.

Qytetarë të Tiranës,

Sot jam këtu tek ju për t’ju kërkuar votën dhe besimin tuaj, që së bashku të ndërmarrim projektin më madhështor, më ambicioz të jetës sonë, projektin e Tiranës europiane, projektin e Shqipërisë europiane.

Me këtë projekt ne parakuptojmë që ju, qytetarë të Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë, kudo që lëvizini në vendin tuaj, të lëvizni në rrugë moderne europiane, kudo që ndodheni, të keni ujë 24 orë, të keni shkolla dhe shërbime shëndetësore të nivelit europian. Me këtë në parakuptojmë që kushtet e jetesës, të punësimit dhe të shërbimeve për qytetarin shqiptar të jenë të një cilësie të njëjtë me kushtet e jetesës dhe shërbimet e së paku të qytetarëve në 6 vende anëtare të Bashkimit Eruopian.

Prandaj edhe ne, me projektin tonë, zotohemi të ndërtojmë të gjitha akset e shkurtra rrugore të vendit, pasi për ne, koha juaj është më e çmuar se çdo vlerë tjetër. Zotohemi të çojmë ujë 24 orë në çdo familje shqiptare. Ne angazhohemi që ju të shpërbleheni, te paguheni  mirë dhe rrogat e pensionet tuaja të jenë më të mëdha sesa ato të qytetarëve, së paku të 6 vendeve anëtare të BE-së.  Filozofia jonë është e thjeshtë, ne duam që, me vepra t’i japim Tiranës dhe Shqipërisë fytyrën europiane, ne duam që shqiptarët të kenë punë. Ne jemi të sigurt se në katër vitet që vijnë do të krijojmë së paku 160 mijë vende pune.

Unë kam kënaqësinë më të madhe t’ju informoj se, nga viti 2005 e deri më sot janë krijuar në Tiranë dhe në mbarë Shqipërinë, mbi 60 mijë biznese të reja, janë ndërtuar mbi 5900 kilometra rrugë, janë ndërtuar të reja apo rindërtuar 1012 shkolla, 720 ujësjellës, qindra e qindra kanalizime, qendra shëndetësore.

Projektin e Shqipërisë europiane ne e kemi në ndërtim e sipër. Le të vazhdojmë së bashku ta ndërtojmë atë.

Unë kam një thirrje për socialistët e Tiranës e mbarë Shqipërisë; bashkohuni me ne në projektin e Tiranës europiane, projektin e Shqipërisë europiane. Ne dalim ballëhapur para çdo shqiptari, sepse ne jemi ata që ëndrrën atlanciste e shndërruam në realitet, ne jemi ata të cilët mbajtëm premtimet tona, dyfishuam rrogat e pensionet, ndërtuam korridorin e kombit dhe mijëra e mijëra kilometra rrugë. Ne jemi ata të cilët, në katër vjet, Tiranën dhe Shqipërinë do ta bëjmë gati për anëtare të plotë të Bashkimit Europian. 

Pyeteni pak kryetarin tuaj se çfarë e detyroi atë të mos dalë në krye të listës. Ju e keni dëgjuar atë për dy vjet rresht, duke ju thënë juve dhe gjithë shqiptarëve; “ejani përtej të majtës dhe të djathtës”. Por çfarë na del tani “përtej të majtës dhe të djathtës”?  Dalin 99-shat, me të cilët ai ndan lejet e ndërtimit. Deri dje u thoshte qytetarëve të Tiranës se nuk jap dorëheqjen, se do të jem kryetar bashkie dhe kryetar qeverie, si Enveri në vitet 50. Pastaj, kur i thanë se me këtë që po shpreh nuk të mbetet gjë tjetër vetëm se të deklarosh se do të jesh edhe Ministër i Brendshëm dhe Ministër i Jashtëm dhe të riprodhosh modelin e 50-ës, tashmë u thotë qytetarëve të Tiranës se do të jap dorëheqjen dhe në kopshtin tim do të lë motamo-kshin tjetër, por kësaj here jo Shalsin, por Veliajn.

Unë ju ftoj që, në 26 qershor, të gjithë pa përjashtim, i madh e i vogël, të mblidhemi në Sheshin “Skënderbej” dhe të këndojmë fitoren. Në datën 28 qershor të votojmë të gjithë së bashku, të votojmë duke kënduar, të votojmë në mënyrën më dinjitoze dhe t’i dëshmojmë Europës se ne jemi ata të cilët, me vendosmërinë më të madhe do të bëjmë zgjedhje të standardeve të saj, me vendosmëri dhe maturi, do të ndërtojmë njëri pas tjetrit çdo standard që kërkohet për t’u bërë vend anëtar i Bashkimit Europian.

Në 28 qershor, ju dhe mbarë shqiptarët, të votojmë 10-ën, 10-a është Shqipëria, 10-a jeni ju, është familja juaj, është Tirana, është Partia Demokratike, është Europa blu që po prêt me padurim fitoren blu në Shqipëri”


18/06/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›