E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Do realizojmë çdo projekt që i jep Shkodrën fytyrën europiane

Gjatë vizitës në Shkodër, Kryeministri Berisha mori pjesë në inaugurimin e rrugës Shkodër-Hani i Hotit. Rruga, me gjatësi 40 kilometra dhe gjerësi 10.5 metra, është financim i qeverisë italiane dhe asaj shqiptare, me vlerë 40 milion euro.

Në përshëndetjen drejtuar me këtë rast qytetarëve të Shkodrës, të pranishëm në këtë ceremoninëKryeministri Berisha u shpreh:

“Shfrytëzoj këtë rast për të përshëndetur vëllazërish të gjithë qytetarët e Shkodrës, Malësisë së madhe e mbarë Shqipërisë. Sot, inauguruam fillimin punimeve të autostradës Shkodër-Hani i Hotit, ngjarje kjo me rëndësi të madhe për vendin në tërësi dhe Shkodrën në veçanti. Me këtë rast, dua ti shpreh mirënjohjen më të thellë qeverisë italiane për këtë ndihmë bujare që i jep Shqipërisë dhe Shkodrës, financimin prej 30 milion euro të kësaj autostrade, e cila ka një kosto prej 40 milion euro dhe pjesa tjetër mbulohet nga buxheti i shtetit.

Ndërtimi i lidhjeve rrugore ndërkombëtare të Shqipërisë është një nga përparësitë më madhore. Me ndërtimin e kësaj autostrade Shqipëria ka një trafik të ri me vendin mik, Malin e Zi. Së shpejti, fillon projekti i autostradës tjetër që lidh Velipojën me Ulqinin. Në këtë mënyrë, ne intensifikojmë lidhjet me Malin e Zi. Një koincidencë shumë e bukur sot, pasi me Kryeministrin e Malit të Zi, inaugurojmë doganën e përbashkët në Murriqan.

Autostrada do të ndërtohet nga një prej kompanive më të njohura në Itali Matarella, e cila merr përsipër një ndër punimet më cilësore dhe sjell këtu teknologjinë më të mirë të ndërtimit të rrugëve. Dua ta përgëzoj këtë kompani dhe t’i shpreh vlerësimin tim të madh se autostradën do t’ia dhurojë Shkodrës, Shqipërisë, por edhe Malit të Zi në një kohë shumë më të shkurtër, sesa është parashikuar. Mikut tim, Presidentit të kompanisë Matarella i rikujtoj se Shqipëria, së paku në dy sezone, është shumë e përshtatshme për të punuar me tre turne dhe në fakt, ka shumë nevojë për këtë, sepse çdo ditë e fituar në këtë rrugë të re është një e ardhur shumë e madhe për ekonominë e Shkodrës dhe ekonominë shqiptare në tërësi.

Para se të vija këtu po lexoja në media sesi kryetari i Partisë Socialiste, deri më datën 28 qershor se atëherë via, shkruante sot: Berisha shiritat 200 milionë. E keni të gabuar zotërinj, janë 600 milionë. Sigurisht që ne inaugurojmë, sigurisht që do t’i gëzojmë këto, sepse kemi nevojë për vepra të reja, për rrugë të reja. Po vij nga Shëngjini, ku inauguruam një rrugë të standardeve ndërkombëtare për Shëngjinin. Tani inaugurojmë këtë rrugë, pastaj do të shkojmë në mol, të inaugurojmë një nga shëtitoret më të bukura. Në këtë mënyrë, ne ndryshojmë Shqipërinë, i japim asaj fytyrën europiane që meriton.

Dua të zotohem edhe një herë para qytetarëve të Shkodrës se unaza e qytetit është një nga projektet më të rëndësishme që do shndërrohet në realitet. Siç ka bërë qyteti shëtitoren, ashtu do jetë edhe unaza e liqenit, një liqen shumë i bukur dhe me një klimë të mrekullueshme, që do shndërrohet në një nga qendrat më të fuqishme turistike të vendit. Përveç kësaj, by pass-i është një vepër tjetër e rëndësishme, që do kompletohet gjatë mandatit të ardhshëm. Unaza i mbetet qytetit, ndërsa by pass-i përjashton të gjithë trafikun ndërkombëtar dhe ndikon fuqishëm edhe në mbrojtjen e tij brenda qytetit.

Ftesa ime miqësore për të gjithë qytetarët e Shkodrës e mbarë Shqipërisë është që më datën 26 qershor e gjitha Shkodra në sheshin “Skënderbe”. Aty, të këndojmë dhe të festojmë fitoren.

Edhe një herë thirrja ime vëllazërore është t’i merrni me shpejtësi letërnjoftimet. Thirrja për të gjithë socialistët e Shkodrës: bashkohuni me ne në projektin europian, sepse ky është projekti më i mirë për ju, për fëmijët tuaj, për qytetin tuaj, për vendin tuaj. Për dy vjet me radhë, Edi Rama bënte thirrje në media e takime të çoheni përtej së majtës e të djathtës dhe në fakt, nuk ju solli as të majtën, as të djathtën, por 99-shat. Kur gjërat dolën në dritën e diellit, na doli specia e 99-shave, që janë një specie pa ngjyrë. Ngjyra e tyre janë lejet e ndërtimit, janë sekserë të lejeve të ndërtimit. Ndaj ta lëmë atë me 99-shat e tij e të bashkohemi në projektin europian të autostradave, rrugëve, ujësjellësve, kanalizimeve, pagave e pensioneve, shërbimeve shëndetësore.”

Më pas, Kryeministri Berisha ishte i pranishëm në ceremoninë e inaugurimit të shëtitores së qytetit, buzë liqenit të Shkodrës.


18/06/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›