E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret Zëvendëskryetaren e Dhomës së Deputetëve të Mbretërisë së Bashkuar, zonjën Sylvia Heal

-Kryeministri Berisha e ftoi zonjën Heal të inkurajojë parlamentarët britanikë të vijnë në Shqipëri në cilësinë e vëzhguesve për të ndjekur nga afër zhvillimin e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare në vitin 2009

Kryeministri Berisha prit sot në një takim zonjën Sylvia Heal, Zëvendëskryetare e parë e Dhomës së Deputetëve të Mbretërisë së Bashkuar.

Pasi i uroi mirëseardhjen, Kryeministri Berisha e falënderoi zonjën Heal për mbështetjen që Parlamenti britanik dhe Mbretëria e Bashkuar i kanë dhënë Shqipërisë gjatë gjithë këtyre viteve në fusha të ndryshme. Në veçanti, Kryeministri Berisha e falënderoi zonjën Heal për mbështetjen që Britania e Madhe i dha Shqipërisë për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO si dhe për njohjen e shpejtë të pavarësisë së Kosovës.

Kryeministri Berisha vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera politike dhe bashkëpunimin shumë të mirë që ekziston ndërmjet dy vendeve, në të gjitha fushat.

Pasi i bëri një ekspoze të reformave të ndërmarra nga qeveria, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit, luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve, reforma në fushën ekonomike, reformat kushtetuese, të ndërmarra në bashkëpunim me opozitën për reformën zgjedhore, si dhe krijimin e një klime të butë dhe favorshme për biznesin , Kryeministri Berisha i bëri me dije zonjës Heal se investitorët britanikë janë të mirëpritur për të investuar në Shqipëri dhe se do të kenë përkrahjen e plotë të qeverisë shqiptare.

Nga ana e saj, zonja Heal e falënderoi Kryeministri Berisha për mikpritjen dhe u shpreh se vlerësimet për nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve janë reciproke. Zonja Heal vlerësoi ndryshimet e mëdha dhe tepër pozitive që kanë ndodhur në Shqipëri në vitet e fundit, si dhe reformat e rëndësishme që ka ndërmarrë qeveria shqiptare.

Zonja Heal vlerësoi gjithashtu edhe arritjet e mëdha të qeverisë shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe reformat në fushën ekonomike, si dhe krijimin e një klimë të favorshme për investitorët e huaj në Shqipëri. Ajo u shpreh se gjatë vizitës së saj në Shqipëri ka evidentuar energji dhe angazhim të përgjithshëm për konsolidimin e reformave dhe për zhvillimin e shpejtë të ekonomisë në vend.

Dy personalitetet vlerësuan rëndësinë që ka rritja e përfaqësimit të gruas në politikë, në këtë moment të zhvillimit të shoqërisë shqiptare.

Kryeministri Berisha, duke folur për angazhimin e qeverisë në realizimin e një infrastrukture moderne dhe të sigurt për zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009, e ftoi zonjën Heal të inkurajojë parlamentarët britanikë të vijnë në Shqipëri në cilësinë e vëzhguesit për të ndjekur nga afër zhvillimin e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare vitin e ardhshëm, duke e garantuar atë se qeveria shqiptare është tërësisht e angazhuar dhe e vendosur qe zgjedhjet e vitit 2009 të plotësojnë standardet ndërkombëtare të zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›