E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Duhet t'u jepet fund qëndrimeve burokratike ndaj intelektualëve shqiptarë

Kryeministri Berisha, në mbledhjen e sotme Këshillit të Ministrave kërkoi nga Ministria e Arsimit favorizimin e të gjithë intelektualëve shqiptarë, të cilët  janë autorë të punimeve të rëndësishme shkencore dhe kanë dhënë kontributin e tyre në universitete të njohura evropiane dhe botërore.

“Zoti Ministër i arsimit gjatë këtyre viteve fatmirësisht janë jo pak shqiptarë që kanë bërë emër të vërtetë në shkencat evropiane dhe botërore, kanë punuar në universitet e huaja, kanë punuar në universitete e Tiranës dhe disa prej tyre kanë publikime me autorësi të parë në revistat më serioze të botës, çka do të thotë se janë zotër të projektit.”

Kryeministri tha se është shumë e rëndësishme që burokracia të mos bëhet pengesë për integrimin e figurave të tilla në jetën akademike shqiptare. Ndër vendimet e marra nga qeveria deri më sot për të vlerësuar njerëzit e këtyre fushave, kryeministri bëri të ditur se do të miratohen vendime të tjera në vazhdimësi në mënyrë që të krijohet një qëndrim sa më fleksibël ndaj kësaj kategorie.

“Burokracia shqiptare duhet të ndryshojë qëndrimin ndaj tyre si  për doktoratën sepse unë ju garantoj se në çdo vend të botës ka prej tyre që edhe me një punim të vetëm e mbrojnë atë, kur ai arrin ta botojë në revistat më prestigjoze. Kam lexuar ditë e fundit një CV të një studiuesi shqiptar i cili kishte të paktën 30 publikime në SHBA dhe në Evropë nga të cilat së paku në tetë ishte autor kryesor dhe kishte vështirësi për tu sistemuar pedagog  në fakultete tona. Kjo duhet ët marrë fund. Qeveria ka marrë disa vendime. Sot ne bëjmë një vendim tjetër për këtë çështje në mënyrë që të hapim rrugë, por nga procesi i brain gain duhet të përfitojnë këta të parët. Duhet të përpiqemi të jemi më fleksibël në qëndrimin ndaj tyre. Kjo është një praktikë botërore dhe ne do të përfitojmë prej këtyre praktikave.”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›