Kryeministri Berisha: Qytetari shqiptar do të mbrohet me të gjithë kuadrin ligjor të nevojshëm ndaj punës në të zezë
- Kryeministri theksoi se duhet të marrë fund shfrytëzimi skllavërues i punonjësve të cilëve nuk u paguhen siguracionet për punën që bëjnë
Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha kërkoi nga Ministri i Financave dhe ai i Drejtësisë përcaktimin e prerogativave të nevojshme ligjore të cilat do të mbrojnë punonjësit nga puna e pasiguruar dhe do të marrin masat më të rrepta kundrejt atyre që favorizojnë punën në të zezë.
Duke garantuar se dialogu mes qeverisë dhe biznesit do të vazhdojë të zhvillohet konstant, nën frymën e mirëkuptimit dhe tolerancës, Kryeministri theksoi se nuk do të lejohet asnjë punëdhënës të përfitojë nga puna e njerëzve në nevojë.
“Ne kemi bërë një revolucion të vërtetë fiskal. Kemi krijuar mundësinë, kemi hequr një barrë të madhe fiskale formale dhe informate ndaj biznesit dhe biznesmenëve. Kemi treguar mirëkuptim dhe tolerant , kemi zhvilluar dhe do të zhvillojmë një dialog konstant me ta, por ka një pikë në të cilën unë kërkoj nga Ministri i Financave dhe nga ju zoti ministër i drejtësisë të përcaktojmë prerogativat ligjore më të rrepta dhe këto prerogativa do të quhen prerogativat antiskllavëri ekonomike. Ka raste të shumta të punëdhënësve të cilët punësojnë një numër të madh punëtorësh dhe paguajnë sigurimet vetëm për disa prej tyre. Këta punëdhënës përfitojnë nga njerëz hallexhinj , djem dhe vajza , të cilët i trajtojnë si skllevër.”
Kryeministri kërkoi nga institucionet përkatëse që çështja në fjalë të mos trajtohet thjesht si një problem civil , por të përfshihet në veprat penale, për ti dhënë në këtë mënyrë përgjigjen e merituar shfrytëzimit skllavërues të qytetarit.
“Ne duhet ti mbrojmë këta njerëz të punësuar. Asnjë prej tyre nuk do të punojë në të zi. Secili prej tyre kërkon të ketë një shumë parash të derdhura për pensionin e tij apo për sigurime të tjera. Ata robtohen dhe nuk derdhet një qindarkë për ta. Nëse do të përfshihet kjo çështje në kuadrin e korrupsionit apo në kuadrin e shfrytëzimit skllavërues të qytetarit ,kjo do të diskutohet. E rëndësishme është se kjo do të shpallet vepër penale.”
Kryeministri u shpreh se do të merren masa që të paguhen sigurimet , jo vetëm për punëtorët e punësuar me afat të gjatë, por edhe për punëtorët sezonale, të cilët janë të shumtë në numër sidomos gjatë sezonit turistik.
Kryeministri theksoi se ulja e sigurimeve shoqërore që duhet të paguajë punëdhënësi nga 1 janari i vitit 2009, të cilat nga 32 % zbresin në 15 %, duhet të ndihmojë së tepërmi që fenomeni i punës në të zezë të shkojë drejt eliminimit të plotë.
Duke vlerësuar rolin e biznesmenëve si gjeneratorë të mirëqenies dhe zhvillimit, kryeministri theksoi se qeveria do të ketë në vëmendje parësore respektimin e të drejtave dhe lirive të plota të qytetarëve.
Kryeministri vlerësoi progresin e deritanishëm të bërë në këtë drejtim, por kërkoi që të shkohet më shpejtësi drejt qëndrimit me zero tolerancë ndaj shfrytëzimit skllavërues të njeriut. “Në rast se në vitin 2005, për një punëtor paguaje 30, duke nisur nga 1 janari i vitit 2009 në për dy punëtorë do të paguhen gjithsej 30. Parësore nuk është çështja e të ardhurave në këtë rast, sepse në se do të ishte e tillë nuk do ti përgjysmonim, por parësore është problemi i madh i trajtimit të këtyre qytetarëve si skllevër. Ai që do të pasurohet në punë të zeze ai të mos e gëzojë pasurinë e tij. Ai do të përballet me ligjin. Nuk jemi në shekullin e 18 dhe të 19, por jetojmë në shekullin e lirive dhe të drejtave të pamohueshme të njerëzve. Ne kemi respektin më të madh për njerëzit e biznesit sepse janë gjeneratorët e mirëqenies dhe të zhvillimit, por ne në do rast të parin kemi qytetarin , të drejtat e tij.”