E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret Zv/Ministrin e jashtëm të Çekisë, z. Tomas Pojar

-Gjatë takimit Zv/Ministri i jashtëm i Çekisë, z. Tomas Pojar u shpreh se Çekia mbështet integrimin e Shqipërisë në NATO dhe Bashkimin Evropian

Kryeministri priti sot Zv/Ministrin e jashtëm të Çekisë, Z. Tomas Pojar. Pasi i uroi mirëseardhjen, Kryeministri Berisha vlerësoi marrëdhëniet politike midis dy vendeve si të shkëlqyera.

Pasi e falënderoi përzemërsisht Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë, zëvendësministri çek,  Pojari, i përcolli Kryeministrit përshëndetjet më të ngrohta dhe miqësore të Kryeministrit Topolanek. Zoti Poyari u shpreh se qëllimi i kësaj vizite është t'i përcjell Kryeministrit Berisha ftesën  e Kryeministrit Topolanek për një vizitë zyrtare në Pragë në kohën më të afërt, të përshtatshme për Kryeministrin Berisha.

Zëvendësministri Pojar e siguroi Kryeministrin Berisha,  se Presidenca çeke e Bashkimit Evropian, ka përcaktuar rajonin e Ballkanit Perëndimor si një prioritet kryesor të saj, si dhe një mundësi për të thelluar e zgjeruar bashkëpunimin e gjithanshëm midis Çekisë dhe vendeve të rajonit.

Gjithashtu, z. Pojar e informoi Kryeministrin Berisha, për vendimin e Kryeministrit Topolanek, për të ngritur Këshillin  e Stabilizim Asociimit siç parashikohet në Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, që pritet të hyj në fuqi në prill.

Më tej, Z. Pojar, i bëri me dije Kryeministrit Berisha, një lajm tjetër të gëzueshëm, se  ish‑Presidenti Çek Havel, mik i shquar i Shqipërisë dhe Kryeministrit Berisha, ka pranuar me kënaqësi dhe po pret ftesën zyrtare për të vizituar Shqipërinë në muajin prill të këtij viti.

Kryeministri Berisha e falënderoi përzemërsisht Kryeministrin Topolanek për ftesën dhe i shprehu zëvendësministrit Pojari mirënjohjen e thellë për mbështetjen qe Republika Çeke i ka dhënë dhe vazhdon ti jap Shqipërisë, si për sa i përket anëtarësimit në NATO, ashtu edhe për integrimin në Bashkimin Evropian. Kryeministri Berisha përshëndeti punën e Presidencën çeke për përballimin e problematikës së madhe të këtij gjashtë mujori, dhe kërkoi, që në cilësinë e presidencës së Bashkimit Evropian, të kontribuoj, që vëzhgues nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian, të vijnë për të monitoruar nga afër procesin e zgjedhjeve në Shqipëri.

Në takim u shpreh vlerësimi për përfundimin e suksesshëm të procesit të privatizimin të shoqërisë së sistemit të shpërndarjes të Korporatës Energjetike dhe blerjen e suksesshme nga ana e kompanisë çeke të energjetikës, CEZ, si një hap i rëndësishëm, që tregon interesimin e madh të investitorëve çekë e të tjerë për tregun shqiptar, si dhe që reformat e realizuara po e kthejnë Shqipërinë përditë e më shumë në një vend tërheqës për biznesin dhe investimet e huaja.


17/03/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›