E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryetarja e Kuvendit:"Në fund të vitit të parë të mandatit të dytë, do të bëjmë të mundur lëvizjen e lirë të shqiptarëve."

  Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli e cilësoi një ditë të veçantë, vizitën në Bruksel, të delegacionit shqiptar, dy javë para se  Shqipëria të bëhet anëtare me të drejta të plota në NATO.  
 Ndër të tjera,  Kryetarja e Kuvendit u shpreh:   "Ndjehemi shumë të nderuar që u pritëm nga Kryetari i Parlamentit belg zoti Patrick Dewal ,i cili ka vizituar Shqipërinë dhe e njeh nga afër. Pata rastin ta falenderoj si Kryetar i Parlamentit, që vetëm katër javë përpara ratifikoi Protokollin e NATO-s, duke u renditur ndër ato vende, që e mbyllën me një shpejtësi të jashtëzakonshme dhe me procedura të përshpejtuara një ratifikim, një votim, që në kushtet e procedurave të këtij vendi, do merrte shumë më tepër kohë.   Padyshim që i shpreha mirënjohjen e shtetit shqiptar dhe Kuvendit të Shqipërisë për këtë mbështetjen që Parlamenti dhe Presidenti Dewal ka dhënë në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO , mirënjohje të thellë për gjithë mbështetjen që i kanë dhënë për shqiptarët në Kosovë dhe për vazhdimësinë e zhvillimeve të reja politike, ekonomike, integruese të Kosovës.
Në mënyrë të veçantë u ndalëm në përpjekjet që Shqipëria po bën, në arritjet që Shqipëria ka realizuar, në mënyrë të veçantë në ambicjen e madhe tonën, në mënyrë që në fundin e vitit të parë të mandatit të dytë shqiptarët të lëvizin pa viza. Kjo ishte një ndër çështjet kryesore, në të cilën ne u ndalëm më shumë dhe për faktin se Kryetari i Parlamenti ka qenë ministër i Brendshëm, ka ardhur në Shqipëri dhe  njeh zhvillimet e fundit në Shqipëri. Zoti Dewal di që Shqipëria është një vend i sigurt dhe njeh përpjekjet e jashtëzakonshme që po bën dhe me ID, me instrumenta të tjera të ndryshme, që janë garanci apo janë detyrime, që Shqipëria duhet të plotësonte dhe që po plotëson.   Fakti që 1/3 e shqiptarëve janë jashtë dhe liberalizimi i vizave është gjëja më e rëndësishme, pas jetës ekonomike në një vend, në mënyrë  të veçantë për shqiptarët. Pa dyshim që merr angazhimin kryesor, të ne politikanëve. Ambicja më e madhe e jona është projektuar pikërisht në mbylljen e liberalizimit të vizave. E kam thënë muaj më parë dhe sa më shumë kohë kalon aq më shumë jam e bindur, që ne do të bëjmë të mundur në fundin e vitit të parë të mandatit të dytë, shqiptarët të lëvizin pa viza.
Dhe në mbështetje të kësaj, mund të them që sot vjen një lajm i mirë nga vetë Kryetari i Parlamentit Belg i cili më premtoi se do të fliste me qeverinë e tij në mënyrë shumë të vendosur, me shumë prioritet, për të mundur pikërisht këtë ambicje të madhe të mundshme për tu realizuar në një kohë sa më të shkurtër. Mirëpo mbështetjen që Belgjika na jep  në procesin e liberalizimit apo heqjes së vizave për shqiptarët, vjen nga  një vend që është në zemër të Europës dhe ku janë të përqëndruar të gjitha institucionet kryesore europiane si dhe ka një influencë shumë të madhe në vendet e tjera. Unë kam arsye për të qenë optimiste, sepse një hap i mirë me Belgjikën, do të jetë një mundësi e jashtëzakonshme për të gjitha vendet e tjera për ta mbyllur procesin e heqjes së vizave të shqiptarëve në një periudhë shumë të shkurtër"
   
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›