E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministrit Berisha takohet me delegacionin e Misionit të Vlerësimit të Nevojave të ODIHR-it

Kryeministri Berisha takoi sot delegacionin e Misionit të Vlerësimit të Nevojave të OSBE/ODIHR, i cili po viziton Shqipërinë për të vlerësuar kuadrin përgatitor të zgjedhjeve ne vend.

Kryeministri shprehu kënaqësinë e tij për vizitën e Misionit dhe siguroi delegacionin për mbështetjen e plotë të Qeverisë shqiptare ndaj procesit zgjedhor. Kryeministri Berisha vlerësoi se zgjedhjet e 28 qershorit 2009 janë shumë të rëndësishme në lidhje me arritjen plotësisht të standardeve ndërkombëtare për zgjedhje demokratike dhe çdo përpjekje do të bëhet në këtë drejtim. Në këtë kuadër, Kryeministri Berisha ftoi përfaqësuesit e ODIHR-it që të dërgojnë një mision vëzhgimi sa më të madh dhe siguroi se ftesa zyrtare për vëzhgim të zgjedhjeve nga OSBE/ODIHR do të prezantohet brenda javës së ardhshme.

Shefi i Misionit të Vlerësimit të Nevojave, Z.Gerald Mitchel falënderoi për mbështetjen e marrë për këtë mision, dhe për rolin e ODIHR-it në përgjithësi në procesin zgjedhor.

Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë për miratimin me konsensus shumë të gjerë të ndryshimeve kushtetuese dhe Kodit Zgjedhor, veçanërisht të sistemit të ri zgjedhor që eliminon përfundimisht fenomenin negativ të “Dushkut”. Gjithashtu ai përshëndeti aprovimin konsensual të KQZ-së së re, me të cilën së shpejti do nënshkruhet një memorandum mirëkuptimi dhe bashkëpunimi.

Kryeministri Berisha bëri një ekspoze të përgatitjeve të infrastrukturës zgjedhore, duke u ndalur në pajisjen për herë të parë të shtetasve me letërnjoftime elektronike, modernizimin e shërbimit të gjendjes civile dhe sistemit të adresave, në bashkëpunim me projektin e Prezencë së OSBE-së në Shqipëri, arritje të cilat përmirësojnë rrënjësisht standardet e zgjedhjeve.

Kryeministri vuri në dukje se procesi aktual i hartimit të listave vazhdon me sukses dhe pa ankesa, në dallim të fortë me të shkuarën kur listat e zgjedhësve, dhe jo alternativat politike, përbënin objekt polemikash.

Takimi u mbyll me shprehjen e vullnetit të mëtejshëm për bashkëpunim.


17/03/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›