Kryeministri Berisha priti përfaqësuesit më të lartë të Delegacionit Italian në Asamblenë Parlamentare të NATO-s
- Senatorët italianë përgëzuan Km Berisha dhe qeverinë e tij për vendosmërinë në reforma që shndërruan vendin dhe i hapën rrugën anëtarësimit në NATO në një kohë rekord dhe që do të lehtësojnë edhe procesin e integrimit të vendit në BE.
Kryeministri Berisha priti në një takim të përzemërt një delegacion të nivelit të lartë të Senatit Italian, të kryesuar nga Kryetari i delegacionit Italian në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, Sergio De Grigorio dhe me pjesëmarrjen e ish Kryeministrit dhe Ministrit të Jashtëm të Italisë, senatorit Lamberto Dini dhe ish Presidentit të Senatit Italian, senatorit Franco Marini. Në takim merrte pjesë dhe Ambasadori i Italisë në vendin tonë, zoti Saba D’Elia.
Kryeministri i uroi mirëseardhjen senatorëve të nderuar italianë dhe shprehu përmes tyre, mirënjohjen për solidaritetin, ndihmën dhe mbështetjen mjaft të vyer të popullit Italian, të qeverive italiane dhe të institucioneve të vendit fqinjë për zhvillimin dhe integrimin e Shqipërisë.
Kryeministri theksoi se Shqipëria po kalon një moment historik, anëtarësimi në NATO, proces i cili nuk do të kishte qenë i mundur pa mbështetjen e plotë të Italisë në çdo aspekt.
Senatorët italianë falënderuan Kryeministrin Berisha për mikpritjen dhe u shprehën se zhvillimi i Shqipërisë është impresionues dhe se Shqipëria ka korrur frytet e konsekuencës së qeverisë në reformat ë thella në shumë fusha.
Më tej senatorët italianë uruan Kryeministrin Berisha për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO në Samitin e prillit, duke nënvizuar se Shqipëria do të jetë një vlerë e shtuar për NATO-n, duke qenë një vend i cili ka ndërmarrë reforma kaq të thella, i cili ka dhënë një kontribut real me forcat e saj përkrah NATO-s në disa vende dhe ka luftuar e vendosur përkrah saj kundër terrorizmit.
Kryeministri Berisha i njohu senatorët italianë me ecurinë e reformave të rëndësishme, me luftën me tolerancë zero kundër korrupsionit dhe krimit, me hapat në drejtim të zhvillimit ekonomik dhe shfrytëzimit të risorsave të shumta të Shqipërisë dhe me veçanërisht në krijimin e një klime sa më të favorshme për investimet e huaja.
Senatorët italianë theksuan se Shqipëria është një vend me shumë interes për kompanitë italiane, interes i cili nuk ka njohur dhe nuk do të njohë rënie, me gjithë krizën ekonomike, duke veçuar bashkëpunimin në fushën e energjisë.
Kryeministri Berisha theksoi se drejt Shqipërisë janë afruar kompanitë më të mëdha të Italisë dhe se qeveria shqiptare do të mbështesë projektet e tyre.
Senatorët italianë përgëzuan Kryeministrin Berisha dhe qeverinë e tij për zgjedhjet thelbësore dhe vendosmërinë në mijëra reforma të rëndësishme, të cilat shndërruan Shqipërinë dhe të cilat i hapën rrugën anëtarësimit në NATO në një kohë rekord dhe që do të lehtësojnë edhe procesin e integrimit të vendit në BE. Ata siguruan Kryeministrin edhe për mbështetjen e plotë të tyre në integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
16/03/2009