E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret Zv/Presidentin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së z. Wolfgang Grossruck

Kryeministri Berisha priti sot në një takim Zv/Presidentin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së dhe Kryetarin e Komitetit të Miqësisë Austri - Shqipëri në Parlamentin Austriak, deputetin Wolfgang Grossruck.  

Kryeministri Berisha e falënderoi zotin Grossruck për ndihmën shumë bujare që Austria i ka dhënë Shqipërisë ndër vite dhe në mënyrë të veçantë për ndihmën për situatën e krijuar gjatë përmbytjeve në qytetin e Shkodrës.

Kryeministri, gjithashtu, e falënderoi atë edhe për asistencën e qeverisë austriake për modernizimin e gjendjes civile në kuadër të projektit të OSBE-së, një projekt i cili, i përmbyllur me sukses, ka garantuar  jo vetëm dokumentet më të saktë të identifikimit në shkallë ndërkombëtare por gjithashtu ka bërë të mundur transparencë dhe saktësi maksimale të paprecedent në hartimin e listave të zgjedhësve, i cili ka qenë një problem kronik gjatë qeverisjes socialiste.

Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha e siguroi zotin Grossruck se prioriteti i tij maksimal është organizimi dhe mbajtja e zgjedhjeve sipas standardeve më të larta ndërkombëtare. Ai theksoi se qeveria shqiptare është e gatshme të japë mbështetjen e plotë financiare dhe logjistike për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, si organi më i lartë i ngarkuar nga Kushtetuta për organizimin e zgjedhjeve si dhe angazhimin e plotë të mazhorancës për të kontribuar me vullnet të plotë politik për një fushatë zgjedhore të bazuar tërësisht tek nevojat dhe interesat e qytetarëve dhe komunitetit. 

Gjithashtu, Kryeministri Berisha siguroi se mazhoranca do të përmbushë të gjithë detyrimet ligjore në procesin e administrimit zgjedhor për mbarëvajtjen e këtij procesi dhe uroi që edhe opozita përfundimisht të heqë dorë nga bllokimi i procesit zgjedhor dhe të marrë përsipër detyrimet e saja ligjore, në interes të garantimit të të drejtës së votës së qytetarëve shqiptar.

Kryeministri theksoi se qëllimi i zotit Rama për të destabilizuar procesin zgjedhor nëpërmjet mos dërgimi  të komisionerëve në Komisionet Zgjedhore dhe regjistrimit të Partisë Socialiste si subjekt garues në afatin fundor, dështuan përballë zbatimit korrekt dhe konseguent të ligjit të miratuar në mënyrë konsensuale dhe mbi bazën e propozimeve të Partisë Socialiste në fundin e vitit 2008. Kryeministri  Berisha u shpreh se tentativat e zotit Rama për të përsëritur skenarin e vitit 2007 për bllokimin dhe shtyrjen e zgjedhjeve, i mirënjohur si nga opinion publik vendas edhe nga ai ndërkombëtar, do të dështojë në çdo rast.

Zoti Grossruck e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen dhe vlerësoi arritjet e mëdha  dhe të jashtëzakonshme që qeveria shqiptare nën drejtimin e Kryeministrit Berisha dhe Shqipëria kanë shënuar gjatë këtyre viteve të fundit në të gjitha fushat, duke e transformuar rrënjësisht Shqipërinë dhe imazhin e saj në botë. Në këtë kontekst zoti Grossruck shprehu keqardhjen që përpjekjet destabilizuese të zotit Rama ndikojnë negativisht për imazhin e vendit dhe ecurinë e Shqipërisë  përpara në rrugëtimin drejt Bashkimit Europian.

Zoti Wolfgang Grossruck e informoi Kryeministrin Berisha për angazhimin e tij dhe të miqve të tjerë të Shqipërisë për të dërguar një numër sa më të madh vëzhguesish ndërkombëtar për zgjedhjet lokale të 8 majit. Ai vlerësoi edhe një herë infrastrukturën e shkëlqyer që ekziston për sa i përket regjistrit elektronik të zgjedhësve, dokumenteve të identifikimit nga më të sigurtat në Evropë, si dhe procedurave të tjera të cilat bënë të mundur që zgjedhjet e 28 qershorit të cilësohen nga raporti i OSBE-së si zgjedhjet e para në Shqipëri që plotësuan shumicën dërrmuese të standardeve ndërkombëtare.

Në përfundim, Kryeministri Berisha e falënderoi zotin Grossruck për angazhimin e tij dhe të OSBE-së për arritjen e standardeve më të larta në zgjedhjet e ardhshme vendore.

 


09/03/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›