E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria miraton dëmshpërblimin e 408 ish të dënuarve politikë të regjimit komunist

Këshilli i Ministrave miratoi sot një tjetër vendim për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist.

Vendimi përcakton masën e dëmshpërblimit për 408 ish të dënuar politikë të regjimit komunist, kërkesat e të cilëve kanë përmbushur kriteret ligjore dhe që kanë vuajtur dënimin e kryer me burg nga data 30.11.1944 deri më 01.10.1991, si dhe për familjarët e të dënuarve me dënim kapital (të pushkatuar apo të ekzekutuar). Shuma e masave financiare e përllogaritur sipas këtij vendimi, në total është 1 526 724 105 lekë.

Kryeministri Berisha kërkoi nga ministria e Drejtësisë të përparësojë dëmshpërblimin e ish të dënuarve që janë mbi moshën 75 vjeç, si dhe të rishihet përllogaritja e dëmshpërblimit për këtë kategori, duke i vlerësuar këto si kërkesa të drejta të tyre.   

“Zoti ministër i Drejtësisë, këtë sistem shpërndarjeje që kemi, e kemi të drejtë, por është e domosdoshme që ish të dënuarit në moshën mbi 75 vjeç t’i përparësojmë në mënyrë absolute. Personat mbi këtë moshë mund të përfitojnë të parët, por edhe mund t’u rritet kësti, d.m.th mund të bëhet një përllogaritje e veçantë mbi moshën 75 vjeç. Kam edhe kërkesa prej tyre dhe këto kërkesa janë logjike, qëndrojnë plotësisht dhe ju e keni marrë porosinë. Kështu që përveç përparësimit që mund t’u bëjmë në renditje, mund t’u bëjmë edhe një përparësim në sasinë që marrin. Nuk besoj të ketë kundërshtime nga të përndjekurit, sepse vërtet këta janë ata që duhet të përfitojnë të parët”, u shpreh Kryeministri.


09/03/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›