E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Sali Berisha përshëndet nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit

Pas ceremonisë së nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, kryeministri Sali Berisha përshëndeti këtë ngjarje të rëndësishme për të gjithë shqiptarët, duke u shprehur për mediat:

"Dua të përshëndes nga kjo sallë të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen. Firmosja sot e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit shënon për shqiptarët hapjen e një horizonti të ri drejt të ardhmes së tyre, shënon fundin e një periudhe 15 vjeçare tranzicioni të zgjatur, të lodhshëm, por së fundi, të suksesshëm.

Sot është një nderim i madh për të gjithë; qytetarët, forcat politike, drejtuesit e tyre, administratën, që me votën, përkushtimin, dijet dhe përgjegjësitë e tyre, bënë të mundur që Shqipëria, nga vendi i monizmit më totalitar, të shndërrohet në vendin e pluralizmit politik, pluralizimit ekonomik, pluralizmit fetar të konsoliduar dhe të arrijë një sërë standartesh, normash, institucionesh demokratike, ligjesh të cilat e bënë të mundur nënshkrimin e marrëveshjes sonë.

Sot është një nderim për të gjithë ata të cilët 15 vjet më parë mbushën rrugët e Tiranës nën moton "ta bëjmë Shqipërinë si Europa" dhe shembën perden e hekurt. Eshtë një nderim për ata të cilët me shpejtësi shembën murin e korrupsionit dhe të krimit të organizuar dhe që bënë të mundur firmosjen e MSA-së brenda një kohe relativisht të shkurtër.

Gjithashtu, firmosja e MSA-së është një detyrim madhor për të gjithë shqiptarët. Kjo është një kontratë që ne nënshkruajmë me Bashkimin Europian. Eshtë kontrata më serioze që kemi nënshkruar në historinë tonë me kombet e qytetëruara të këtij kontinenti. Detyrimi ynë është t'i përmbahemi pikë për pikë kësaj kontrate dhe ta shndërrojmë atë në një hartë të vërtetë rruge, në një projekt për të ardhmen tonë.

Siguroj qytetarët shqiptarë se qeveria mbetet e hapur për bashkëpunim me të gjitha forcat politike, me të gjitha grupet e interesit dhe me mbarë qytetarët që, nëpërmjet reformave të thella e të gjithanshme, të zbatojë me dinjitet Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Kjo marrëveshje i bën shqiptarët më të lirë, më të ditur, më të denjë, më të begatë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›