E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret Zv/presidentin e Bankers Petroleum, z. Leonidha Çobo dhe Ambasadorin e Kanadasë për Shqipërinë, me rezidencë në Romë, z. James Fox

Kryeministri Berisha zhvilloi sot një takim me Zëvendëspresidentin e Kompanisë kanadeze Bankers Petroleum, z. Leonidha çobo, i cili shoqërohej në takim edhe nga Ambasadori i Kanadasë për Shqipërinë, me rezidencë në Romë, z. James Fox.

Zëvendëspresidenti i Kompanisë Bankers Petroleum, z. çobo dhe Ambasadori kanadez, z. Fox, pasi e falënderuan përzemërsisht për mikpritjen, i shprehën Kryeministrit Berisha mirënjohjen për bashkëpunimin e shkëlqyer që kanë pasur me qeverinë shqiptare, si dhe për mbështetjen e jashtëzakonshme që qeveria shqiptare dhe Kryeministri Berisha u bëjnë investimeve prestigjoze në Shqipëri.

Zëvendëspresidenti i kompanisë kanadeze çobo e informoi Kryeministrin Berisha se gjatë katër viteve te fundit, Bankers Petroleum ka kryer një investim në Shqipëri që arrin një vlerë totale prej rreth 200 milionë dollarësh amerikanë. Bankers Petroleum ka rritur prodhimin e naftës në vend, i cili do të shënojë në fund të këtij viti një shifër prej 15 mijë fuçi në ditë dhe parashikon që vitin e ardhshëm ky prodhim të arrijë në 24 mijë fuçi në ditë. Këtë vit, Bankers Petroleum ka parashikur të investojë në Shqipëri si kapitale te reja rreth 115 milionë dollarë, për zgjerimin e kapaciteteve të saj prodhuese, rritjen e eksporteve nga Shqipëria, por edhe për ndërtimin e disa veprave infrastrukturore të rëndësishme me vlerë mbi 12 milionë dollarë, disa prej të cilave do të vendosen edhe në shërbim të komunitetit.

Kryeministri Berisha vlerësoi interesin e lartë dhe suksesin e investitorëve kanadezë gjatë viteve të fundit në Shqipëri dhe ripohoi vendosmërinë e qeverisë shqiptare për krijimin e klimës më të favorshme për biznes e investime dhe për të mbështetur me të gjithë kuadrin ligjor e institucional, investitorët e huaj në Shqipëri.


21/04/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›