Kryeministri Berisha takon Ministrin e Punës së Maqedonisë, zotin Xhelal Bajrami
Kryeministri Berisha priti sot në një takim zotin Xhelal Bajrami, Ministër i Punës së Maqedonisë.
Duke e falënderuar për pritjen e ngrohte, Ministri Bajrami i përcolli Kryeministrit Berisha, në këtë takim përshëndetjet e kryeministrit maqedonas Gruevski, si dhe të Kryetarit të PDI-së, zotit Ali Ahmeti.
Duke vlerësuar në mënyrë të veçantë, rolin që kryeministri Berisha ka luajtur në demokratizimin e jetës politike shqiptare, Ministri i Punës së Maqedonisë, zoti Xhelal Bajrami u shpreh se Shqipëria ka bërë hapa të admirueshëm, përpara në zhvillimin politik e ekonomik, si dhe në rrugën e integrimit të saj perëndimor.
Në kuadrin e bashkëpunimit mes dy vendeve, Ministri Bajrami shprehu kënaqësinë që së bashku me homologët shqiptarë u iniciua krijimi i grupit të përbashkët të punës, për hartimin e marrëveshjes ndërshtetërore të sigurimit shoqëror të punës.
Nga ana e tij, Kryeministri Berisha duke uruar për nismën e mbarë të sigurimit, për mbrojtjen sociale të qytetarëve të dy vendeve i kërkoi ministrit Bajrami ti transmetonte Kryeministrit Gruevski dhe kryetarit të PDI zotit Ali Ahmeti vlerësimin për progresin e Maqedonisë, në demokratizimin e vendit, për organizimin zgjedhjeve të lira, si dhe në plotësimin e kushteve për integrimin euroatlantik të saj. Në këtë kontekst, kryeministri Berisha shprehu besimin se këto arritje dhe zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit është rruga më e dobishme për qytetarët e shtetit fqinj. “Shqipëria , u shpreh kryeministri Berisha do të jetë përherë një partner dashamirës për çdo marrëveshje dhe projekt me impact të përbashkët që i shërben dy popujve, zhvillimit, paqes dhe stabilitetit në rajon.”
Duke shprehur besimin për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, kryeministri u shpreh se investime të rëndësishme në infrastrukturën rrugore, si ato në rrugën e Arbrit që shkurton ndjeshëm distancën mes Tiranës dhe Shkupit, apo në infrastrukturën hekurudhore, do të shërbejnë për të lehtësuar më tepër lëvizjen e qytetarëve në të dy vendet . Kryeministri Berisha shprehu gatishmërinë e qeverisë shqiptare për nënshkrimin e marrëveshjeve të përbashkëta të bashkëpunimit, të cilat do ti shërbejnë komuniteteve të të dy vendeve.
21/04/2010