E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret drejtues dhe anëtarë të Bordit të kompanisë Verbund, që po realizon projektin për ndërtimin e hidrocentralit të Ashtës

Kryeministri Berisha priti sot pasdite, në takim, drejtues dhe anëtarë të Bordit të kompanisë Verbund AG Hydro Power, zotërinjtë Karl-Heinz Gruber, Gunther Rabensteiner dhe Dietmar Reiner. Kompania austriake Verbund ka vënë në zbatim projektin për ndërtimin e hidrocentralit të Ashtës në Bushat, Shkodër, në bashkëpunimin me kompaninë EVN. Ky projekt është një investim me vlerë rreth 200 milion euro që parashikon ndërtimin e dy hidrocentraleve Ashta1 dhe Ashta2, duke përdorur teknologjinë më të avancuar në këtë fushë.

Drejtuesit e kompanisë e informuan Kryeministrin Berisha për përfundimin e projektit të hidrocentralit Ashta1, ceremonia e inaugurimit të të cilit do të zhvillohet të martën.

Kryeministri Berisha falënderoi investitorët për këtë investim të rëndësishëm për sistemin energjetik shqiptar, për punën e bërë dhe teknologjinë e re të aplikuar në këtë projekt, duke e konsideruar atë pjesë të programit të qeverisë për rritjen e kapaciteteve prodhuese të energjisë në vend.

Kryeministri Berisha mbështeti gjithashtu synimet e kompanisë për të investuar edhe në projekte të tjera në fushën e energjisë në Shqipëri. 

 
04/07/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›