E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret kryetarin e Senatit të Parlamentit të Kanadasë

Kryeministri Berisha priti në një takim të përzemërt Kryetarin e Senatit të Kanadasë Noël Kinsella dhe delegacionin që e shoqëronte. Kryeministri Berisha duke i uruar mirëseardhjen në Tiranë zotit Kinsella, i shprehu mirënjohjen e tij dhe të qeverisë shqiptare për mbështetjen që Kanadaja i ka dhënë Shqipërisë për të gjitha proceset e zhvillimet dhe integrimit, veçanërisht për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Kryeministri Berisha, u shpreh se qeveria shqiptare është shumë e vendosur për të forcuar dhe për të çuar më tej marrëdhëniet shumë të mira mes Shqipërisë dhe Kanadasë, në të gjitha fushat e bashkëpunimit.

Zoti Kinsella falenderoi Kryeministrin Berisha për mikëpritjen, si dhe i përcolli në nisje të bisedës, një mesazh të veçantë nga Kryeministri kanadez, zoti Stephen Harper, bashkë me përshëndetjet e tij më të përzemërta.

Zoti Kinsella u shpreh mjaft i kënaqur që marrëdhëniet shumë të mira politike mes dy vendeve janë shtrirë edhe në një bashkëpunim të frytshëm ekonomik, gjithnjë në rritje dhe se disa kompani të mëdha kanadeze, tashmë po punojnë me sukses në Shqipëri.

Kryetari i Senatit Kanadez, shprehu vlerësimin e tij për politikat ekonomike të ndërmarra nga qeveria shqiptare. Kryeministri Berisha u shpreh se qeveria shqiptare do të mbështesë investimet e investitorëve kanadezë që ato të jenë një histori suksesi.

Kryeministri Berisha u shpreh se projekti i dytë madhor për shqiptarët është anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe se qeveria shqiptare po punon për të implementuar të gjitha standartet dhe reformat në këtë drejtim.

Zoti Kinsella u shpreh se Kanadaja është e gatshme të ndihmojë në të gjithë ata sektorë që bëjnë pjesë në procesin e integrimit evropian.

Kryeministri Berisha e njohu zotin Kinsella me të gjitha përpjekjet e qeverisë shqiptare në zhvillimin e reformave të thella në fushën ekonomike, si dhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ku Kryeministri theksoi se qeveria shqiptare ka adoptuar politikën e “tolerancës O”, gjë që ka bërë që Shqipëria të ketë një indeks të kriminalitetit më të ulët se mesatarja e vendeve të BE-së dhe se ka një rënie të dukshme në trafikun e drogës dhe të qënieve njerëzore.

Kryeminstri u shpreh se po punohet me vendosmëri në luftën kundër krimit ekonomik dhe të pastrimit të parave dhe në këtë fushë janë njohur progrese të qarta.

Kryeministri Berisha u shpreh se qeveria shqiptare po ndërmerr të gjitha masat për krijimin e një klime të favorshme për biznesin. Në këtë drejtim ai kërkoi që zoti Kinsella të inkurajojë investimet kanadeze në Shqipëri në të gjitha fushat, ku Shqipëria ka potenciale të mëdha, si në energji, turizëm, shfrytëzimin e pasurive minerale, arsim, kërkim shkencor etj.

Zoti Kinsella u shpreh se kjo vizitë do të jetë një kontribut në forcimin dhe thellimin e dialogut dhe lidhjeve mes dy vendeve. “Ne do të japim të gjithë kontributin tonë - theksoi ai, - për zhvillimin e mëtejshëm të marrdhënieve mes dy vendeve në çdo fushë”.

Zoti Kinsella u shpreh se është impresionuese ajo që ka arritur Shqipëria nën lidershipin e Kryeministrit Berisha vetëm brenda 5 viteve. “Kjo inkurajon së tepërmi zhvillimin e marrëdhnieve në të gjitha fushat të cilat bazohen në themele të forta të miqësisë mes dy vendeve”, – tha ai. Zoti Kinsella shprehu vlerësimet për pjesëmarrjen e forcave shqiptare në misionin në Afganistan, në kuadër të Kombeve të Bashkuara në Çad, si dhe në misionet e tjera paqeruajtëse dhe se ky bashkëpunim mes Kanadasë dhe Shqipërisë për çështjet e sigurisë do të jetë i vazhdueshëm.

Kryeministri Berisha, u shpreh se do të mirëpriste shumë një vizitë të kryeministrit kanadez Stephen Harper në Shqipëri.


12/10/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›