E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deklaratë e Ministrit të Shtetit z. Pollo para Komisionit Kuvendor për çështjet sociale e shëndetësinë lidhur me p/ligjin mbi Profesionet e Rregulluara

Ligji përmbush një nevojë të brendëshme të shoqërisë shqiptare të ndjerë prej kohësh dhe të vënë në dukje me zë të lartë prej shumë kohësh atë të cilësisë së profesionistëve. Gjithashtu, ky ligj përmbush edhe një kërkesë të Bashkimit Europian (direktiva e Komisionit Europian 2005/36/EC, datë 7.09.2005 ka shërbyer si bazë për përgatitjen e p/ligjit)

Thelbi i këtij ligji është Provimi i Shtetit, pra mund të marrësh diplomën në Universitet, por me këtë vetëm të çelet rruga drejt ushtrimit të profesionit si titullar. Provimi i Shtetit organizohet nga Ministria e Arsimit në bashkëpunim me ministrinë e linjës p.sh. me Ministrinë e Shëndetësisë për mjekët e farmacistët.  Por, gjithësesi, anëtarët e KOMKOV (Komisioni Kombëtar i Vlerësimit) janë profesorë universitarë të fushës përkatëse. Në këtë mënyrë Shteti del garant për aftësitë e njohuritë të atij që do të jetë mjek, dentist, infermier, farmacist, inxhiner etj. Pra, cilado të ketë qenë cilësia e diplomës, është diplomë e lëshuar në Tiranë apo jashtë kryeqytetit, në universitet publik apo privat, tashmë  filtri është unik për të gjithë vendin dhe quhet Provim i Shtetit.

Kusht tjetër për të ushturar profesionin është një praktikë profesionale që mund të zgjasë gjashtë muaj deri në tre vjet.

Por, kjo vepron jo për të gjitha diplomat, por vetëm për ato që prekin sigurinë dhe shëndetin publik.

Në p/ligj janë parashikuar dhjetë profesione të rregulluara. Në vende të pasura të BE,  kjo listë shkon mbi 100. Por, ka vende në botë, me po atë shkallë zhvillimi si Shqipëria, ku listohet 50 deri 70 profesione të rregulluara.

Gjithashtu, pas këtij ligji, hapet rruga për reformimin e Urdhërave Profesionale, të  cilët kanë një rol të rëndësishëm për të luajtur  dhe deri tani,  përgjithësisht, nuk e kanë përmbushur. Regjistrimi  në Urdhërin Profesional është hapi i fundit që duhet të kryejë profesionisti (pasi ka bërë praktikën profesionale dhe ka kaluar me sukses në Provimin e Shtetit) për të mundur të ushtrojë ligjërisht  profesionin e tij. Por Urdhërat Profesionale duhet të kujdesen më shumë për përditësimin e njohurive profesionale si dhe për disiplinime kur kemi shkelje të etikës dhe të rregullave nga profesionistët. Prandaj, edhe aty duhet bërë një reformë më vete.


12/10/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›