Kryeministri Berisha takohet me Drejtorin Rajonal të UNICEF, Steven Allen

Kryeministri Berisha priti sot në një takim Drejtorin Rajonal të UNICEF-it, Z. Steven Allen. Gjatë takimit Kryeministri Berisha shprehu vlerësimin maksimal për rolin e UNICEF në Shqipëri në mbështetje të programeve për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.
Kryeministri pohoi se UNICEF do të vazhdojë të jetë një partner i rëndësishëm edhe në të ardhmen duke theksuar disa nga fushat prioritare për bashkëpunim si: mbështetje për ngritjen e kapaciteteve të institucioneve për formulimin dhe zbatimin e politikave sociale si edhe përmirësimin e mëtejshëm të sistemit të mbrojtjes sociale; rritja e cilësisë së kujdesit shëndetësor tek fëmijët dhe nënat; mbështeje për arsimin duke rritur nivelin e pjesëmarrjes në arsimin bazë dhe të mesëm si edhe duke minimizuar largimet nga shkolla të fëmijëve. Kryeministri kërkoi gjithashtu asistencën e UNICEF për programet në mbështetje të fëmijëve romë.
Gjatë bashkëbisedimit , Kryeministri Berisha e njohu përfaqësuesin e UNICEF me reformat që po ndërmerren në dixhitalizimin e regjistrit të familjeve që përfitojnë ndihmë ekonomike, ku një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet ndihmës sociale për fëmijët.
Ndërkohë Z. Allen duke vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm me institucionet shqiptare theksoi se fushat e përmendura janë thelbësore si edhe shprehu bindjen se mbështetja financiare e UNICEF do të vazhdojë të jetë e rëndësishme për Shqipërinë. Duke përgëzuar qeverinë shqiptare për vëmendjen e madhe dhe reformat që ka ndërmarrë në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve, Z. Allen konfirmoi se këto çështje do të jenë në fokusin e programit të ardhshëm pesëvjeçar që do të miratohet në qershor nga bordi drejtues i UNICEF.
23/03/2011