E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret ministrin e Mbrojtjes së Maqedonisë, zotin Talat Xhaferri

Kryeministri Berisha priti sot në një takim ministrin e Mbrojtjes së Maqedonisë, zotin Talat Xhaferi, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Tiranë.

Pasi i uroi mirëseardhjen, Kryeministri Berisha i shprehu ministrit të Mbrojtjes së Maqedonisë përshëndetjet ndaj Kryeministrit Gruevski dhe zotit Ali Ahmeti për procesin e suksesshëm zgjedhor që realizuan, ndërsa theksoi se qeveria shqiptare ka gatishmërinë e plotë për bashkëpunim të gjithanshëm me Maqedoninë, veçanërisht në fushën e mbrojtjes.

Kryeministri Berisha tha se për Tiranën Maqedonia është de facto vend anëtar i NATO-s, ndërsa premtoi se Shqipëria si vend anëtar i NATO-s do të ndihmonte pa asnjë rezervë që vendi fqinj të bëhej i tillë edhe de jure. Bashkëpunimi mes dy ushtrive tona, - tha Kryeministri Berisha, - veç pjesëmarrjes në misione të përbashkëta në shërbim të paqes, duhet të shtrihet edhe në stërvitjet e përbashkëta për përballimin e fatkeqësive natyrore e deri në furnizimin e përbashkët me mjete ushtarake të dy ushtrive.

Ministri i Mbrojtjes të Maqedonisë, zoti Talat Xhaferri, e falënderoi Kryeministrin Berisha për mikpritjen dhe veçanërisht për mbështetjen që Shqipëria po i jep integrimit euroatlantik të vendit të tij, ndërsa përkrahu idenë e Kryeministrit Berisha për të riparë të gjitha marrëveshjet e vjetra mes dy vendeve, duke filluar me atë të ujërave dhe lidhjen hekurudhore të Tiranës me Shkupin.

Zoti Xhaferri tha se ne Shkup ishte mirëpritur ndryshimi i toponimisë në zonën ku jeton pakica maqedonase, ndërsa, sipas tij, perceptimi për turizmin në Shqipëri ishte shumë pozitiv.

Kryeministri Berisha  dhe ministri  Mbrojtjes i Maqedonisë ndanë të njëjtin mendim se zbatimi serioz i marrëveshjes mes Prishtinës dhe Beogradit do të kishte një ndikim afatgjatë në paqen dhe sigurinë e rajonit.  

Ministri Xhaferri tha se ata që vijne nga jashtë i dallojnë shumë më shpejt ndryshimet  e mëdha që janë bërë në Shqipëri. Ai i uroi Kryeministrit Berisha suksese në zgjedhjet e 23 qershorit, për të cilat Kryeministri tha se do të jenë shumë të mira e në zbatim të ligjit që vetë opozita e ka hartuar.


14/05/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›