Kryeministri Berisha: Sektori i akuakulturës do të përfitojë nga lehtësitë fiskale të njëjta si fermerët

Kryeministri Berisha informoi sot, në mbledhjen e qeverisë, se sektori i peshkimit do të jetë përfitues si edhe fermerët në tërësi, i lehtësive fiskale me heqjen e TVSH-së për ushqimin për fermat e akuakulturës dhe mjetet e peshkimit, sikundër do të veprohet si me fermerët edhe për akcizën e naftës.
Kryeministri u shpreh se është domosdoshmëri hartimi i planit kombëtar për peshkimin dhe peshkëzimin, i cili do t’u japë përgjigje problematikave të këtij sektori, ndërsa bëri prezent shqetësimet e dala nga takimi i një dite më parë me peshkatarë dhe sipërmarrës në industrinë e detit. Kryeministri kërkoi edhe rishikimin e procedurës së daljes në det të flotës së peshkimit, duke e konsideruar praktikën aktuale si qëndrim i së kaluarës.
“Ky sektor është një potencial shumë i madh në të gjitha aspektet. Ne do t’i lehtësojmë ata,” – u shpreh Kryeministri, ndërsa garantoi për një ridimensionin të plotë të akuakulturës.
Lidhur me zhvillimin e këtij sektori, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Në listën për lehtësitë fiskale duhet të përfshihet peshkimi, ushqimi për fermat e akuakulturës dhe mjetet e peshkimit. Ne kemi shpallur se do të hartojmë një plan kombëtar për peshkimin. Peshkatarët i konsiderojnë miliarderë, ndryshe nuk shpjegohen ato tarifa ankorimi, regjistrimi e me radhë. Edhe ato të gjitha të shkojnë në proporcionin duhur. U duhet një mijë euro për të ankoruar anijen, kur atyre u ndodh të dalin tre ditë në det dhe të mos sjellin asgjë dhe ndërkohë u duhet të paguajnë një mijë euro për ankorimin. Ky është një problem që do të shikohet në kompleks dhe duhen një seri masash.
Ne do të bëjmë gjithçka që ta nxjerrim këtë sektor në vendin që meriton. Një vend që ka 400 kilometra vijë bregdetare, liqene e ujëra që sëbashku përbëjnë mbi 50 përqind të territorit tokësor, një vend që ka 600 rezervuare dhe 300-400 të tjerë me hidrocentralet që po ndërtohet, duhet të ketë një riorganizim total të peshkëzimit. Peshkatarët m’u ankuan shumë edhe për policinë, pasi për të dalë në det duhet të vendosen në rresht. Do të shihet e gjithë procedura. Nuk duhet të kemi qëndrimet e vjetra ndaj tyre se mos arratiseshin. Këtë punë mund ta bëjë kapitenia, ku ata marrin edhe lejen. Atëherë përse duhet kontrolli i policisë?! Se mos kalojnë kufirin?! Kjo është një praktikë e vjetër, ndaj të rishihet plotësisht. Të marrim praktikat e vendeve të tjera si Italia. Në 20 vjet është mbajtur një qëndrim absolutisht i pamerituar ndaj tyre, përveç një gjesti që ne kemi bërë para dy vjetësh, për ta.
Ky sektor është një potencial shumë i madh në të gjitha aspektet. Ne do t’i lehtësojmë ata, do t’i heqim TVSH-në si fermerëve, për të gjitha mjetet që ata përdorin për peshkim. Akcizën, po ashti njëlloj si fermerëve. Deri tani, ky sektor nuk është parë objektivisht dhe ata i ngritën dje, këto çështje, me objektivitet. Duhet plani kombëtar i akuakulturës në tërësi dhe ne duhet të parashikojmë një ridimensionim shumë të madh të këtij sektori.”
15/05/2013