E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takon Kryeprokurorin e Task Forces Speciale hetimore të BE-së, zotin Clint Williams

Kryeministri Berisha takoi sot Kryeprokurorin e Task Forces Speciale hetimore të BE-së, Ambasadorin Clint Williamson, i cili drejton hetimet e EULEX në lidhje me pretendimet e ngritura në raportin e Dick Martit.

Zoti Williamson e falënderoi Kryeministrin për pritjen në këtë vizitë të dytë të tij në Tiranë, e cila ka për qëllim vazhdimësinë e bashkëpunimit të vendosur gjatë vizitës së tij të mëparshme.

Zoti Williamson nënvizoi se në takimet e zhvilluara deri tani ai kishte konstatuar gadishmërinë e plotë për bashkëpunim të qeverisë shqiptare  dhe e falënderoi Kryeministrin për këtë.

Në takim, bashkëbiseduesit diskutuan për nevojën e institucionalizimit të këtij bashkëpunimi. Kryeministri Berisha u shpreh plotësisht dakord me institucionalizimin e bashkëpunimit midis autoriteteve shqiptare dhe EULEX-it. Ai tregoi gadishmërinë e plotë që, sa më shpejt, të nënshkruhet  një marrëveshje apo të adoptohet legjislacioni i nevojshëm për krijimin e një kornize ligjore të plotë e të qartë, e cila që do t’i sigurojë EULEX-it zbatimin  e plotë të mandatit të tij në hetimin e gjithanshëm të pretendimeve të raportit të Dick Martit. Zoti Williamson e falenderoi Kryeministrin për këtë angazhim të qartë.

Në përfundim të takimit u ra dakort që institucionet përkatëse të fillojnë menjëherë punën për hartimin e kësaj  kornize ligjore.


26/01/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›