E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret në takim Kryetarin e Komunitetit Mysliman shqiptar, zotin Selim Muça

Kryeministri Berisha priti sot në takim, kryetarin e Komunitetit Musliman Shqiptar, zotin Selim Muça.  Z. Muça i prezantoi kryeministrit Berisha Projektin e Xhamise më të madhe të Kryeqytetit. Projekti është hartuar nga arkitekti i njohur Muharrem Hilmi Senalp i studios “Hassa”. Kjo studio ka hartuar projekte të ngjashme në Turqi, Japoni, Gjermani dhe Shtetet e Bashkuara te Amerikës.

Duke e cilësuar projektin e Xhamisë një kryevepër arkitekturore, kryeministri Berisha, i cili është njohur nga afër me projektin e saj, nga vetë arkitekti z. Senalp, u shpreh se kjo xhami vjen si një ndërtim madhështor dhe dinjitoz, i cili do të zbukurojë edhe më shumë kryeqytetin.

Ndërsa prezantonte projektin madhështor të xhamisë së Kryeqytetit, Kryetari i Komunitetit Mysliman z. Selim Muça theksoi se ky projekt, që integrohet më së miri me traditën shqiptare, i jep fund edhe praktikave dhe tendencave dashakeqëse të bllokimit apo hartimit të projekteve farse e të tipit bunker, me të cilat Bashkia e kryeqytetit mbajti zvarrë për vite me radhe ndërtimin e Xhamisë.

Kryeministri Berisha theksoi se ishte një padrejtësi tendencioze, zemërligë dhe ateiste bllokimi 11 vjeçar që ju bë ndërtimit të xhamisë së Kryeqytetit.  Ndërsa shprehu vlerësim dhe respekt për qëndrimin e matur, të urtë e të duruar të komunitetit mysliman dhe për familjet tiranase që me mirësi arritën marrëveshje me Komunitetin Mysliman, Kryeministri Berisha theksoi se xhamia e madhe do të pasurojë më tej kryeqytetin, sikurse u pasurua  me Katedralet e bukura Ortodokse e Katolike. Kryeministri shprehu se bukuria dhe magjia e shpirtit shqiptar ekspozohet qartë tek toleranca fetare që manifestojmë, tolerance kjo e konsoliduar nder shekuj.

Në fund të takimit, kryeministri Berisha garantoi së menjëherë do t’i hapet rrugë ndërtimit të xhamisë, ndërtim që do të zbukurojë shumë kryeqytetin e vendit.


15/04/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›