E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha zhvillon një bashkëbisedim me pedagogë, studentë dhe përfaqësues të kompanive partnere të FASTIP

Kryeministri Berisha zhvilloi sot një tryezë të rrumbullakët me pedagogë, studentë dhe përfaqësues të kompanive partnere të Fakultetit i Studimeve të Integruara me Praktikën (FASTIP), në Durrës. Ky fakultet është themeluar pak vite më parë dhe në të studiojnë 176 studentë. Risia e këtij fakulteti është ndërlidhja e studimit me praktikën , përmes vendosjes së partneritetit me sektorin privat. Aktualisht janë diplomuar 44 studentë, të cilët bashkë me diplomën kanë marrë edhe kontratën e punës. Fakulteti funksiono në tre drejtime: menaxhim i bankave, menaxhim në hoteleri-turizëm dhe menaxhim i ndërmarrjeve të vogla e të mesme. Për realizimin e fakulteti ka vendosur bashkëpunim me mbi 50 kompani private në këto fusha. Gjithashtu funksionon edhe Fakulteti i Studimeve Profesionale, me 9 degë ku përgatiten specialistë të fushave të menaxhimit të ndërtimit, menaxhimit të transportit, të teknologjisë së automobilave.

Shumë studentë të FASTIP sollën eksperiencat e tyre, ndërsa e konsideruan ngritjen e këtij fakulteti një sukses. Kryeministri Berisha theksoi se përshtatja e arsimit me tregun e punës është domosdoshmëri dhe mbetet përparësi në fushën e arsimit.

Në bashkëbisedim me ta, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Vij këtu për herë të dytë. Kam qenë i pranishëm në themelimin e FASTIP dhe tani, kur ky fakultet jep diplomat e para dhe kurorëzon me sukses të plotë vitet e para të themelimit të tij. Ky është një rast për të falenderuar shumë përzemërsisht kompanitë, stafin akademik të fakultetit dhe universitetit, për modelin e shkëlqyer që krijuan këtu në Durrës, të përshtatjes së universiteteve tona me tregun dhe kërkesat e tij. Ky fakultet u ngrit me mbështetjen e madhe të qeverisë gjermane dhe ne i jemi shumë mirënjohës. Gjermania kryeson sot Europën sa i përket ndofta problemit më të rëndësishëm të ekonomisë së sotme, tregut të punës. Ne jemi të prirur të bëjmë gjithçka, të mësojmë sa më shumë prej tyre dhe të aplikojmë sa më shumë elementë të asaj reforme, që i kanë bërë të mundur ekonomisë gjermane të ketë për një nivel të caktuar rritjeje ekonomike, punësimin më të lartë, të ketë për një nivel të caktuar të rënies ekonomike, çpunësimin më të ulët dhe jo një, por 3-4 herë krahasuar me vende të tjera. E gjithë shtylla më kryesore e kësaj reforme është trajnimi i vazhdueshëm profesional i punonjësve. Dua të përgëzoj gjithashtu bankat e kompani të tjera që kanë përzgjedhur FASTIP-in për kualifikimin e përgatitjen e personelit të tyre.

Ne duhet të bëjmë gjithçka, zoti ministër, që këtë model suksesi ta shtrijmë edhe në nivele të tjera. Ne  kemi universitete në shumicën e qendrave të qarqeve të vendit. E vërteta më e madhe e këtyre universiteteve është se roli i tyre më kryesor duhet të jetë zhvillimi rajonal. Ato duhet të jenë promotorë të fuqishëm të zhvillimit rajonal. Universitetet kalkulojnë gabim në rast se i shohin të ngushta territoret. Territori i një qarku, në kompleksitetin e tij është sa vendi në tërësi. Potenciali më i madh për të kontribuar është rajoni ku je. Ne po bëjmë çmos për t’i orientuar universitetet drejt këtyre profileve. Këtu në Durrës si FASTIP ashtu edhe Fakulteti i Arsimit të Lartë Profesional po ecin në drejtimin e duhur. Unë po vij nga shkolla e mesme dhe aty gjeta një formë të shkëlqyer bashkëpunimi midis fakultetit të arsimit të lartë profesional dhe shkollës së mesme.  

Të dashur miq, për ne si forcë politike, të rinjtë kanë qenë e mbeten në krye të axhendës sonë. Ne kemi bërë një hap shumë të madh përpara, kemi krijuar mundësi që secili prej tyre të ndjekë universitetin, si dhe i dhamë fund arbitraritetit zyrtar ndaj ëndrrës së tyre universitare. Çdo i ri, çdo e re do të ketë të drejtë të provojë për ta bërë këtë ëndërr, të vërtetë. Ne e realizuan këtë, por ky është një hap. Hapi tjetër shumë i rëndësishëm është se çdo e re, çdo i ri do të ketë të drejtë që me dijet që ka marrë të ndërtojë projektin tjetër, atë të jetës, të së ardhmes së tij. Në këtë kontekst, ne do të bëjmë gjithçka për krijimin e vendeve të punës, do të bëjmë gjithçka për përshtatjen e forcave të punës me tregun e punës. Në të gjithë këtë kontekst, arsimi profesional është vendimtar, me një rol të pazëvendësueshëm.

Unë jam sot këtu, më së shumti për të dëgjuar mendimet, propozimet, kritikat e vërejtjet tuaja, në mënyrë që të vendosim në qendër të përpjekjes sonë punësimin e të rinjve dhe kualifikimin e vazhdueshëm të punonjësve në vendin tonë, si një kusht për t’u përshtatur me kushtet e tregut. Dje takova studentët e ekselencës. Vajza e djem të shkëlqyer, të përkushtuar, të cilët me të drejtë më shtronin pyetjen: si do t’ia bëjmë, kur jemi kaq shumë në ‘x’ degë dhe vërtet mund të jenë shumë, sepse ata kanë ndjekur pasionin e tyre. Unë jam e do të jem që të rinjtë të ndjekin pasionin e tyre, të zgjedhin vetë, por, nga ana tjetër, ne duhet t’u krijojmë atyre mundësi. Duhet të ecim gjithnjë me një platformë, pasi ka gjithnjë një shans të dytë dhe për të pasur një shans të dytë duhet që universitetet të përshtaten, të kenë parasysh që një i ri mund të mos punojë dot për shembull avokat apo në një degë  tjetër, por që me njohuritë e tij juridike mund të bëjë shumë mirë diçka tjetër, në një degë të ngjashme. Ndaj të përpiqemi t’i bëmë sa më poliedrike fakultetet tona. Kjo është rruga dhe jo t’ju diktojmë të rinjve se në cilin fakultet do të shkojnë. Ata do të zgjedhin fakultetin ku i besojnë vetes se do të japin më shumë. Kjo është detyra jonë. Pastaj mund t’u lindë një tjetër ëndërr. Në shkollë të mesme, ëndrra ime më e madhe ishte të bëhesha kritik letrat. Pasi dështova në idenë time për t’u bërë poet apo shkrimtar, atëherë zgjodha të jem kritik letrat dhe vazhdova të kërkoj të drejtën për të ndjekur Fakultetin e Letërsisë, por që nuk m’u njoh kurrë ajo e drejtë. Në vitin e tretë të Fakultetit të Mjekësisë, unë u pasionova aq shumë pas mjekësisë, saqë çuditesha me veten përse nuk e desha atë që në fillim. Është në natyrën e të riut të ndryshojë, të krijojë ëndërr të re, të vrapojë pas saj. Atëherë, ne nuk ishim të lirë, nuk kishim mundësi zgjedhjeje, ndërsa ju tani keni mundësi dhe ne duhet të mendojmë gjithnjë për shansin tuaj të dytë, e pas të dytit, të tretin e me radhë.  

Faleminderit zoti Kryeministër. Ne kemi menduar që FASTIP të hapet në forma të tjera studimi. Ne jemi të përgatitur të hapemi këtë vit në fushën e multimedias dhe të teknologjisë së informacionit, një formë studimi, siç kemi qenë të suksesshëm me bankat, hoteleri turizëm e ndërmarrjet e vogla e të mesme. Ne kemi bindjen se kjo do të jetë forma ku do të zhvillohet FASTIP, duke zgjeruar gamën e fushave të studimit.  

Kryeministri Berisha: Edhe një herë dua t’ju falënderoj shumë për kontributin që ju keni dhënë. BKT që në themelim ka qenë partner kryesor i FASTIP dhe jam plotësisht dakord me sugjerimet tuaja. Ky sukses duhet të transpozohet në universitete të tjera. Është shumë e rëndësishme. Sikundër Ministri i Arsimit duhet menjëherë të hyjë në kontakt me Ministrinë e Arsimit të Kosovës dhe do të jetë një zhvillim shumë pozitiv  për Kosovën, për tregun e saj që të ketë një fakultet si ky. Jam i bindur se qeveria gjermane do ta asistojë hapjen e tij edhe në Kosovë, me një kërkesë që mund t’i bëhet nga qeveria e Kosovës. Aspekti tjetër shumë i rëndësishëm është, siç ju e theksuat, që dhomat e tregtisë t’i bindni të punojnë me biznese të tjera, në mënyrë që këtu, ata të përgatisin menaxherët dhe ekspertët e tyre. Sot ka fusha të tëra që punojnë në një linjë dhe ato do të përfitonin shumë nga ky fakultet, kundrejt partneritetit me të. Shumë e rëndësishme për ne është që këtë fakultet ta kenë edhe universitete të tjera, për ta shndërruar në një qendër të fuqishme, të suksesshme, të kualifikimit të forcës së punës dhe ekspertizës.  

Mirëserdhët, zoti Kryeministër! Ne së bashku me Serjanin dhe me universitetin e Durrësit bëmë hapat e parë, por me e rëndësishmja është që gjatë këtyre viteve ka ndodhur ajo që nuk ka qenë kurrë në Shqipëri, dyert e shkollave dhe universiteteve janë të hapura për çdokënd. Kjo është vlera dhe arritja më e madhe sot, të mësojmë. Nëse krahasohemi me vendet Evropiane, akoma duhet të shtohen njerëzit nëpër universitete dhe fakultete. Por gjëja e bukur është që për herë të parë eksperiencën e FASTIP-it po e marrin edhe universitete të tjera private. Universiteti Luarasi, për të parën herë, ka nënshkruar një marrëveshje që eksperienca e FASTIP të futet në universitetet private. Kjo është pjesa kryesore që ja seç ndodh me një eksperiencë të suksesshme, për të arritur atë çka ne si biznese duam të transmetojmë, duam që rinia të përçojë dëshirën e saj nëpërmjet bizneseve tona.

Kryeministri Berisha: Faleminderit, zoti Santo! Më vjen shumë mirë për lajmin që ju dhatë këtu, se universitetet private kërkojnë të kenë fakultete analoge me FASTIP-in dhe është, absolutisht, një nga shërbimet e mëdha që ato mund t’i bëjnë vendit. Një universitet privat, për vetë mënyrën e menaxhimit, e ka më të thjeshtë vendimmarrjen dhe, në rrafshin burokratik, e ka më të shpejtë realizimin e projektit. Unë me këtë rast, duke përgëzuar universitetin Luarasi, ftoj universitet private të shohin më me interes drejt profileve profesionale dhe përshtatjes me tregun e punës. Ky do të ishte një shërbim i madh që ato do t’i bëjnë vendit.

Jam një ish studente e FASTIP-it dhe prej dy vitesh jam e punësuar në BKT, në sektorin e kredive të korporatave dhe tregtare. Dua të ndaj me të gjithë studentët aktuale dhe të ardhshëm bindjen e plotë se ky fakultet është një sukses. Përfundova shkollën e mesme “Petro Nini Luarasi” në Tiranë dhe pasi mësova se do të hapej një simotër e Beruf-Akademive për herë të parë në Shqipëri nuk u mendova dy herë, ishte zgjedhja e duhur. Jam krenare që jam studente e FASTIP dhe aktualisht e punësuar në BKT.

Kryeministri Berisha: Ju përgëzoj! Rektori më thotë se rezultatet tuaja kanë qenë të shkëlqyera. Unë do t’ju bëja thirrje të gjithë studentëve, maturantëve, nxënësve që mbarojnë klasat e 9-ta të konsiderojnë në mënyrën më serioze arsimin profesional. Ne si qeveri i garantojmë ato se do të kenë ekuivalencë të plotë në diplomat dhe në maturat e tyre me arsimin jo-profesional. Ato do të kenë ekuivalencë të plotë, por është jashtëzakonisht e rëndësishme të mendojmë siç ka menduar zonja. Ajo mbaroi gjimnazin dhe bëri një zgjedhje. Në këtë fakultet, siç theksoi rektori, siç theksoi edhe zonja, japin mësim personalitete botërore. Ky është një shans shumë i madh për nxënësit, por edhe për universitetin. Ky është një shans që duhet ta shfrytëzojmë. Ju përgëzoj për rezultate, për besimin që ke treguar dhe për punën që bën në një nga bankat kryesore të vendit.

Prej 6 muajsh jam i punësuar në Bankën Kombëtare Tregtare, por përvoja ime me këtë bankë është prej 4 vitesh. Paraprakisht kam mbaruar shkollën e mesme “Ismail Qemali” në Tiranë dhe kam pasur një përvojë 1 vjeçare në universitetin e Tiranë edhe krijova një bindje se si funksiononte shkolla e lartë. Në momentin që FASTIP u hap nuk kam pasur informacion, e mora vesh pas  1 viti dhe në fillim ishte diçka e frikshme, ishte diçka e panjohur. Brezi i parë që kaloi këtë më krijoi një bindje shumë të fortë për suksesin që do të kishte ky projekt. Ndaj mora guximin dhe aplikova te FASTIP. Gjatë këtyre viteve kam pasur një mbështetje shumë të madhe nga BKT për sa i përket pjesës mësimore, por edhe pjesës profesionale. Gjithashtu edhe përvoja me pedagogut e huaj.

Kryeministri Berisha: Faleminderit shumë!

Punoj pranë Bankës Kombëtare. Pasi përfundova shkollën së mesme, unë dhe familja ime vlerësuam shumë faktin se po me jepej një mundësi kaq e mirë studimi, e cila në fund do të finalizohej me një kontratë pune. Hyra në FASTIP, prej profesorëve morëm jo vetëm mësime, por edhe përvojën e tyre jetësore. Doja shumë që vizionin që ka BKT ta kenë edhe shumë biznese të tjera.

Kryeministri Berisha: Edhe unë shfrytëzoj rastin t’u bëj thirrje bizneseve që të konsiderojnë në mënyrën më serioze shfrytëzimin e këtij potenciali të madh, potenciali të jashtëzakonshëm për të përgatitur drejtuesit, specialistët dhe ekspertët e tyre, në interesin më të mirë të suksesit të tyre.

Realisht kjo është një eksperiencë e suksesshme, e cila ka rezultuar gjatë viteve që ka diplomuar edhe studentët e parë. Ne si Dhomë Tregtie falënderojmë bankat që e kanë mbështetur këtë projekt, por kemi pasur kërkesa edhe nga biznesmenë që janë të fokusuar në ato aktivitet, të cilat ky universitet u plotëson. Kjo është mënyra më e mirë për të bërë një kombinim të teorisë me praktikën, në mënyrë që këta studentë të dalin të trajnuar. Zoti Kryeministër, unë ju falënderoj për atë promovim të jashtëzakonshëm që i bëni sistemit arsimor gjerman dhe austriak. Ne i kemi dhënë mundësinë FASTIP-it që të përfshihet edhe në panairin “Ëork and study”, kemi gjetur mënyrën se si të tërheqim nxënësit që sapo mbarojnë shkollën e mesme të orientojnë dëshirat e tyre në përputhje me nevojat që ka ekonomia shqiptare, administrata dhe sipërmarrja private. Zoti Kryeministër, ju falënderoj dhe dua të them se ministria e Arsimit duhet të zgjerojë këtë praktikë edhe në universitete të tjera, në mënyrë që të kemi edhe atë çfarë pret ekonomia shqiptare.

Kryeministri Berisha: Faleminderit, zoti Jaka. Ka një element shumë të rëndësishëm që është dialogu konstant i FASTIP-it dhe i universiteteve në tërësi me Dhomat e Tregtisë, si partnerë të pazëvendësueshëm në rolin e tyre të çdo lloj aspekti. Faktikisht, sipërmarrja private këtu është promotor i FASTIP-it, diku tjetër është promotor i inovacionit. Për Administratën Publike dhe për qeverinë është detyrë të bëj gjithçka për të ridimensionuar këtë bashkëpunim.

Unë zhvillova dje një takim me studentët më të shkëlqyer të universiteteve. Me shumë të drejtë çdonjëri prej tyre, për të gjithë përkushtimin që ka dëshmuar që nga fëmijëria deri në fund të universitetit, pret që shoqëria ta shpërblejë atë me një vend pune. Ai e ka bërë me dinjitet detyrën e tij. Dhe shoqëria mund ta bëjë këtë për kategorinë e tyre. A mund ta bëj këtë Administrata Publike? Jo, Administrata Publike mund ta bëj pjesërisht, por në bashkëpunim me biznesin mund ta bëj plotësisht. Unë mora një aspekt, por ka një seri aspektesh. Këtu bankat kanë krijuar një traditë të shkëlqyer, një sukses të vërtetë. Dhe e vërteta është se bankat janë partneri i FASTIP-it. Atëherë të hapim dialog me biznese të tjera, po të grupuara, t’i bindim ato për t’u bërë partnerë në FASTIP apo ekuivalente të FASTIP-it që do të hapen. Bashkëpunimi me Dhomat e Tregtisë dhe me biznesin është i një rëndësie parësore për arritjen e këtij qëllimi.

Jam e angazhuar në Raiffeisen Bank dhe aktualisht jam studente e vitit të III-të. Unë kur zgjodha këtë degë studentët e FASTIP ishin në vitin e III-të dhe kisha më shumë informacion për të dhe më tërhoqi për të studiuar.

Kryeministri Berisha: Shumë, shumë mirë. Përgëzime!

Në emër të Dhomës së Tregtisë falenderoj edhe njëherë zotin kryeministër për  vëmendjen e madhe që i jep lidhjes së biznesit me botën akademike. Atyre që u thanë këtu unë mund të shtoj vetëm faktin se Dhoma e Tregtisë  Durrës, në misionin e saj për promovimin e territorit sheh të veçantë promovimin e burimeve njerëzore, ku ne fusim natyrisht  shtresën e biznesit, shtresën e menaxherëve, por edhe kualifikimin e punonjësve dhe arsimit profesional. Në lidhje me këtë rrol të FASTIP  në qarkun Durrës një vëmendjen të veçantë jo vetëm Dhoma e Tregtisë, por edhe Agjencitë Shtetërore duhet ti kushtojnë klasave, sidomos në fushën e turizmit. Duhet të hartojmë strategjinë tonë rajonale për zhvillimin e turizmit dhe të mos konceptohen bizneset që kanë lidhje me turizmin si familjare?

Kryeministri Berisha:  Unë ju falenderoj për problemet që ngritët. Ju garantoj se turizmi është një nga potencialet më të mëdha të këtij vendi , por edhe turizmi kërkon konceptim të ri. Konceptim të ri, në radhë të parë menaxhim dhe në qoftë se e koncepton si biznes familjarë, ti ke nevojë për kualifikim, familjarët e tu kanë nevojë për kualifikimin, familjarët e tu kanë nevojë për një koncept  më të gjërë, për një sukses më të madh dhe unë mendoj se turizmi, ose industria turistike ka te FASTIP  një bazë të shkëlqyer për përgatitjen e menaxherëve të saj, të cilët të shkolluar, të pajisur me njohuri më të mëdha, do të mund të arrinin një menaxhim shumë më të mirë, do të mund të garantonin një sukses shumë më të madh. Ndaj dhe unë përfitoj nga rasti t’ju bëj thirrje të gjithë industrisë turistike të Durrësit, ta konsiderojnë në mënyrën më serioze potencialin e jashtëzakonshëm që ofron FASTIP për këtë industri , por jo vetëm të Durrësit, në tërësi  industrinë turistike të vendit. Mos tregohen të shtrenjtë në krunde dhe të lirë në miell, nuk është kjo mënyra e bërjes biznes, është shansi i madh për të shkolluar menaxher të tyre në këtë fakultet.

Përshëndetje zoti kryeministër. Ne sot jemi mbledhur për të diskutuar për FASTIP-in, por universiteti ynë ka edhe tete profile të studimeve profesionale,  me të cilat ne bashkëpunojmë me rreth 150 biznese të vogla. Unë do të kërkoja ndihmën e komunitetit të biznesit për ta mbështetur edhe këtë formë studimi, ne do të hapim edhe tre profile të tjera këtë vit të ardhshëm akademik, në formën e studimeve profesionale, ku rreth 40 përqind e kohës studentët janë praktikë. E vetmja gjë që do të kërkonim, mbase një përshtatje e legjislacionit,  lidhet me  kohën që qëndrojnë studentët në kompani , sepse shpesh studenti që është në praktikë konsiderohet si i punësuar dhe mbase do të gjendet një mbështetje ligjore për ta rregulluar këtë aspekt?

Kryeministri Berisha: Çdo lloj përshtatje që i përket arsimit profesional ne jemi të gatshëm ta bëjmë, por një përgjigje merr edhe në kuadrin e heqjes së të gjitha tarifave, taksave për çdo të ri të punësuar dhe trajnimin e tij, tre vitet e para. Në qoftë se kjo nismë nuk plotëson tërësisht kërkesat tuaja, sepse edhe investitorë të tjerë më kanë ngritur çështjen e punësimit të studentëve  për interesin më të mirë të tyre, ne jemi të gatshëm ta krijojmë atë.  Jemi të gatshëm të krijojmë çdo lehtësi, jo vetëm për praktikën, por edhe për punësimin e tyre gjatë viteve studentore. Ka student që nuk kanë të ardhura për të përballuar universitetin dhe do të punojë , unë e respektoj atë dhe do të përpiqemi ti krijojmë kushte ta lehtësojmë në mënyrë që edhe të punësohet dhe të ndjekë edhe universitetin.

Presidenti i Shoqatës së Turizmit. Unë si biznes kam studentë, të cilët kanë kontrata për të punuar me ne dhe unë mendoj se duhet nxituar  arsimi profesional dhe më vjen mirë që po shkohet drejt kësaj, sepse sot gjërat janë më specifike pasi jo çdo njëri bën çdo lloj pune. Gjithashtu do të doja dhe një rregullim ligjor, i cili i bën këta studentë edhe më të sigurt për vendet e punës, pasi vendi i punës duhet të meritohet sipas kualifikimeve në shkollat profesionale?

Unë jam administrator i kompanisë Harmonia,  e cila është partner bashkëpunues me shkollën e FASTIP. Ne garantojmë mbështetjen tonë ndaj këtyre studentëve. Unë do të propozoja që disa student që mund të jenë më të mirët të shkëmbejnë disa eksperienca një mujore apo dy mujore edhe me shtete e tjera fqinje, të cilët janë konkurrues në treg në fushën e turizmit?

Kryeministri Berisha:  Faleminderit. Ndërhyrjet e Presidentit të Shoqatës së Turizmit dhe ndërhyrjet tuaja, janë shumë të dobishme në këtë takim. Edhe në takimin që patëm me operatorët turistik u insistua që të ketë një sistem regjim të operatorëve turistik, të ketë një sistem raitingu të industrisë turistike të hotelerisë, restoranteve dhe kjo është një kërkesë e drejtë. Kërkesë, e cila vjen në skemë para së gjithash për shkallën e lartë dhe të shpejtë të zhvillimit të kësaj industrie sot. Në këtë kontekst qëndron plotësisht ideja e certifikimit të atyre që punojnë, në disa nga pikat kyçe të këtij sektori, pasi kemi të bëjmë me një shërbim shumë të rëndësishëm. Në çfarë shkalle janë përpjekjet për të ofruar shërbimin më cilësor. Pak javë më parë, dekania dhe stafi akademik i fakultetit të bio-teknologjisë, ankohet, sepse ndërmarrjet e agrobiznesit, ndërmarrjet ushqimore nuk vlerësojnë rolin e bio-teknologëve. Ndërkohë fakulteti përgatit specialistë shumë të mirë dhe mund të kualifikojë specialist shumë të mirë. Është e domosdoshme që duke respektuar lirinë, e sipërmarrjet  ekonomike, të kemi dialog me ta për ti ndërgjegjësuar, sepse po të jesh gjeolog do merresh me minierat, sa për  verën mund të jesh shijues i mirë, por duhet t’ia lëmë teknologut. Po kështu marrim industrinë e qumështit, janë një numër shumë i madh fabrikash, padiskutim që ato duhet të bazohen në teknolog të fushës dhe po kështu edhe industri të tjera. Ndaj dhe këto janë disa rregulla që duhet të diskutohen pasi dialogu është i rëndësishëm dhe pastaj edhe konkretizimi në ligj, sepse interesi publik duhet të prevalojë.

Zoti  Kryeministër, unë mendoj se partneriteti  publik privat që ne kemi zhvilluar në universitetin tonë është një nga aspektet më të rëndësishme, në të cilën ne duhet të ecim për të grumbulluar të gjitha energjitë e kombit tonë për zhvillimin dhe përgatitjen e brezit të ri dhe kjo firmë më mirë se është mishëruar në FAKTIP nuk besoj se e gjejmë ne vend tjetër,  pasi kompanitë kanë bashkuar jo vetëm aftësitë, por edhe financat. Mendoj  se kjo formë  e nxitjes  së partneritetit në këtë fushë është avantazhi më i madh, madje ne duhet ta hapim formën e FASTIP në të gjitha fushat e vendit tonë.

Kryeministri Berisha: Edhe një herë ju përgëzoj për historinë e suksesit që keni realizuar në këtë fakultet. Falenderoj shumë bankat e vendit dhe të gjithë partnerët e tjerë të fakultetit. Kjo histori suksesi obligon qeverinë të bëjë gjithçka për zgjerimin e saj. Së pari këtu në Durrës, të gjejë të gjitha format për të inkurajuar bizneset e tjera, që të marrë pjesë në këtë partneritet në interesin më të mirë të tyre dhe të bëjmë gjithçka, që modelin FASTIP ka krijojmë ta zhvillojmë edhe ne universitete të tjera të vendit. Ne këtë model që e sollëm këtu në Shqipëri dhe e mbështetëm, qeveria gjermane me partnerët privat dhe që sot kemi çdo potencial për ta krijuar në Shkodër, në Vlorë, në Korçë, në Elbasan, në Tiranë. Kemi çdo mundësi kundrejt një marrëdhënie të veçantë për ta krijuar në universitet private të vendit, natyrisht sipas interesit të tyre, por dua të jem i hapur me ju, katër vitet që vijnë në përpjekjen tonë për punësimin, e të rinjve në radhë të parë për punësimin në tërësi ne kemi vendosur të sjellim në qendër të kësaj përpjekje tregun e punës, përshtatjen e sistemit tonë arsimor me tregun e punës, vendosjen e një sistemi efiçentë kualifikimi. Ne kemi krijuar disa modele të shkëlqyera. Unë po vij nga shkolla Beqir Çela një model i shkëlqyer. Drejtori i shkollës më informoi se kemi kërkesa të mëdha nga të rriturit për të ardhur dhe për tu trajnuar. Kemi krijuar shkolla profesionale me kurrikula  të përgatitur nga ekspertët më të mirë të vendeve që i kanë shumë të avancuara. Ne duhet të bëjmë gjithçka për ti dinamizuar ato. Duhet të kemi të qartë se kualifikimi në profil është kushti kryesor për tu punësuar në sektorë. Ju këtu thatë se ai që hyn këtu ka fat dhe kjo është e drejte, sepse është fat të dëgjosh studentë, që kanë edhe një kontratë pune është një fillim i shkëlqyer për këta studentë, por ky fillim tregon se ka një mundësi reale që ne duhet ta zgjerojmë në mbarë vendin. Dhe njëherë ju uroj suksese dhe ju garantoj se do të bëjë gjithçka, që këtë model  të suksesit ta përhapim edhe më tej gjithnjë e më shumë në interesin e të rinjve shqiptarë. Faleminderit .


16/04/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›