E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret në takim, Ministrin e Transportit të Italisë, zotin Altero Matteoli

Kryeministri Berisha priti sot në një takim Ministrin e Transportit të Italisë, zotin Altero Matteoli.

Ministri Italian i Transporteve e falënderoi Kryeministrin Berisha për takimin, dhe i përcolli përshëndetjet më të ngrohta dhe miqësore të Kryeministrit Italian, Silvio Berluskoni. Zoti Matteoli u shpreh i impresionuar për ndryshimet e jashtëzakonshme dhe zhvillimin e madh të Shqipërisë në këto vitet e fundit.

Duke i uruar mirëseardhjen, Kryeministri Berisha u shpreh se kjo vizitë e Ministrit Italian vinte në një moment mjaft të rëndësishëm për zhvillimin e infrastrukturës shqiptare por edhe asaj rajonale, duke nënvizuar rëndësinë e jashtëzakonshme të Korridorit 8-të si për Ballkanin dhe lidhjet e tij me tregjet evropiane, por edhe për Italinë e cila kështu fiton një hapësirë të re e të gjerë për tregun e saj.

Ministri Matteoli u shpreh se Italia dhe qeveria italiane ka mbështetur dhe mbështet fuqishëm realizimin e Korridorit 8-të, duke lobuar fort edhe në BE në këtë drejtim, duke shtuar se lidhur me këtë Korridor Italia do t’i qëndrojë impenjimeve që ka marrë.

Kryeministri Berisha u shpreh se ky Korridor e gjen rajonin e Ballkanit një rajon tjetër, shumë më të zhvilluar dhe se çdo vend duhet të japë kontributin e tij, për realizimin e këtij projekti aq rëndësishëm për ekonomitë e vendeve të rajonit. Kryeministri tha se një mënyrë për ta realizuar atë është dhe pjesëmarrja e vetë qeverive ku ky korridor kalon, për financimin e tij. Italia, u shpreh Kryeministri, e ka mbështetur fuqishëm këtë projekt dhe duhet ta udhëheqë atë.

Duke theksuar se Italia e sheh këtë projekt, si një zhvillim të madh për zonën e euro-mesdheut. Minisri i Transporteve Atteoli u shpreh se qeveria italiane ështe e bindur për realizmin e tij dhe se kjo është bërë e qartë edhe në Bashkimin Evropian.

Gjatë takimit u diskutua, ndër të tjera mbi marrëdhëniet dypalëshe në fusha të ndryshme të zhvillimit si në infrastrukturë, energji etj, marrëdhënie të cilat u cilësuan të shkëlqyera dhe me hapësira të reja për intensifikimin e tyre.

Gjithashtu në takim u diskutua gjerësisht lidhur me bashkëpunimin në fushën e modernizimit të Aviacionit Civil dhe intensifikimin e transportit ajror dhe atij detar me Shqipërinë, si dy fusha me interes reciprok mjaft të madh.


29/04/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›