Kryeministri Berisha pret në takim Presidentin e Kroacisë z.Ivo Josipoviç

Kryeministri Berisha priti sot në një takim Presidentin e Kroacisë z.Ivo Josipoviç dhe delegacionin që e shoqëronte atë.
Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Berisha i shprehu Presidentit Josipoviç urimet më të përzemërta për arritjen historike të Kroacisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian, siç ishte nënshkrimi i Traktatit të Aderimit në BE, të cilin qytetarët kroatë e rikonfirmuan me mbështetje spektakolare, gjatë referendumit që u organizua një ditë më parë. Kryeministri Berisha e konsideroi këtë ngjarje një arritje historike, jo vetëm për Kroacinë, por edhe për mbarë rajonin dhe aspiratën evropiane të tij.
Presidenti kroat Josipoviç e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe miqësore dhe e siguroi atë se Kroacia, edhe pasi të jetë anëtare e plotë e BE-së, do të vijojë të mbështesë fuqishëm Shqipërinë dhe të gjitha vendet e rajonit në këtë rrugë.
Në takim u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera politike mes dy vendeve dhe qeverive, ndërsa vizita e Presidentit Josipoviç në Tiranë u konsiderua një kontribut i ri i rëndësishëm në konsolidimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve, si edhe në nxitjen e thellimit të bashkëpunimit të ngushtë e të gjithanshëm që të dy vendet kanë krijuar gjatë kësaj periudhe, në të gjitha fushat.
Në këtë kontekst, u rikonfirmua vullneti i palëkundur i të dy vendeve për të rritur e zgjeruar bashkëpunimin në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, si në kuadrin dypalësh, ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Sektorë si ai i turizmit, energjetikës, arsimit, shkëmbimeve tregtare-ekonomike, u konsideruan si fusha të rëndësishme ku bashkëpunimi i deritanishëm do të shënojë hove të reja edhe në të ardhmen. Në këtë kontekst, u vlerësua gjithashtu bashkëpunimi i suksesshëm mes dy vendeve, si gjatë periudhës para anëtarësimit, ashtu edhe si Aleate të plota të NATO-s dhe u rikonfirmua se edhe në sektorin e mbrojtjes dhe në kuadër të angazhimeve si anëtare të Aleancës më të suksesshme politike e ushtarake të vendeve të lira, ekzistojnë mundësi reale për të zgjeruar edhe më tej bashkëpunimin e frytshëm të deritanishëm.
Në takim u diskutuan edhe zhvillimet e fundit në rajon, ku ndër të tjera u vlerësua se bashkëpunimi i suksesshëm, gjithëpërfshirës e konstruktiv i të gjitha vendeve të rajonit është dhe mbetet kusht i domosdoshëm për konsolidimin e paqes e stabilitetit, por edhe e projektit evropian të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha i shprehu mirënjohjen Presidentit Josipoviç për mbështetjen që Kroacia i ka dhënë në vijimësi Republikës së Kosovës, në veçanti në kuadër të bashkëpunimit rajonal, si një kusht i domosdoshëm për paqen e stabilitetin në rajon.
23/01/2012