E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takohet me Kryeministrin e Malit të Zi, zotin Igor Lukšić

Kryeministri Berisha, i cili ndodhet sot për një vizitë zyrtare në Podgoricë, zhvilloi një takim me Kryeministrin e Malit të Zi, zotin Igor Lukšić, ku të pranishëm ishin edhe dy delegacionet, ai shqiptar dhe malazez.

Pas takimit, në praninë e të dy Kryeministrave, u nënshkrua Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Malit të Zi, “Për përcaktimin e pikës së përbashkët të kalimit kufitar “Zatrijebacka Cijevna – Grabon” dhe për pikën e kalimit kufitar “Cerem – Vranica”. Për palën shqiptare marrëveshja u nënshkrua nga ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Mal të zi z. Tonin Beci dhe për palën malazeze u nënshkrua nga ambasadori i Malit të Zi në Republikën e Shqipërisë z. Željko Perović.

Në përfundim të nënshkrimit të marrëveshjes, Kryeministri Berisha dhe Kryeministri Igor Lukšić dhanë një konferencë të përbashkët për mediat, gjatë së cilës u shprehën:

Kryeministri I Malit të Zi, z. Igor Lukšić: Mendoj se kjo vizitë ka ardhur pikërisht në momentin e duhur që të dy vendet janë duke ecur në rrugën e integrimit. Kështu që, dita e sotme dhe takimet që janë zhvilluar, ishin një rast për të informuar për progresin e proceseve të integrimit.  Gjithashtu, dua të falënderoj Kryeministrin Berisha për gjithë mbështetjen që vjen nga Shqipëria në procesin e integrimit të Malit të Zi në NATO.

Proceset integruese janë një platformë dhe një bazë e rëndësishme për stabilitetin e rajonit dhe marrëdhëniet e mira mes Shqipërisë dhe Malit të Zi janë një domosdoshmëri, për t’i përdorur dhe për t’i gëzuar të gjitha resurset e përbashkëta që kemi për zhvillimin ekonomik të të dy vendeve. Për këtë dëshmon edhe marrëveshja e nënshkruar sot, një marrëveshje që si qëllim ka rrugën mes Plavës e Podgoricës, gjë që do të afrojë Plavën me Podgoricën dhe që do të jetë një simbol i bashkëpunimit shumë të mirë mes dy vendeve. Ky është një nga 3 drejtimet rrugore që janë duke u ndërtuar mes dy vendeve dhe që do të kontribuojnë për një bashkëpunim edhe më të mirë ekonomik mes dy vendeve tona.  Në interesin tonë të përbashkët janë edhe Liqeni i Shkodrës dhe Lumi Buna dhe ne jemi marrë vesh që të investojmë përpjekje gjithnjë e më të mëdha për përdorimin e këtyre resurseve, në të mirë të zhvillimit më të mirë ekonomik mes Malit të Zi dhe Shqipërisë.

Duhet të them se bashkëpunimi mes dy vendeve tona i tejkalon kufijtë  dhe kornizën e bashkëpunimit ekonomik dhe se ne kemi hapësira për zhvillime edhe në fusha të tjera, pasi ju e dini të gjithë se proceset integruese janë të bazuara mbi bashkëpunimin e mirë rajonal dhe bashkëpunimi i mirë rajonal është i bazuar në marrëdhëniet e mira mes fqinjëve. Kështu që, mendoj se modeli që ne kemi vendosur mes dy vendeve tona mund të shërbejë edhe si model i marrëdhënieve të mira edhe për vende të tjera.

Edhe njëherë, dua të shpreh kënaqësinë që jeni sot këtu.

Kryeministri Berisha: Së pari, dëshiroj të falënderoj shumë përzemërsisht  Kryeministrin Lukšić për pritjen e përzemërt dhe miqësore që më rezervoi dhe të shpreh kënaqësinë time të madhe që ndodhem sot në këtë vend mik. Dua të shpreh kënaqësinë time për mirëkuptimin e plotë që gjetëm në bisedimet tet a tet dhe në bisedimet mes dy delegacioneve, me mikun dhe kolegun tim.

Kemi diskutuar bashkërisht për një perspektivë të re, të madhe, në marrëdhëniet dhe bashkëpunimin mes dy vendeve tona mike. Është një kënaqësi e veçantë që të dy vendet po investojnë bindshëm për të zgjeruar, për të dyfishuar, infrastrukturën që i lidh ato me njëra-tjetrën.

Natyrisht, në diskutimet tona, një vend të veçantë kanë zënë përpjekjet për inkurajimin e turizmit në të dy vendet tona. Shqipëria dhe Mali i Zi janë ndër zonat më të bukura, më të pasura, më tërheqëse turistike të Evropës. Ato kanë në vetvete pasuri dhe trashëgimi të mëdha kulturore, bukuri natyrore të pashembullta dhe, e vërteta është se, gjithnjë e më shumë, po bëhen një “Ansambël” i përbashkët turistik. Qeveritë tona do të shqyrtojnë investime të tjera dhe mundësitë e ndërhyrjes, qoftë edhe të sektorit publik, në organizimin e tureve turistike në Bunë, në Liqenin e Shkodrës, etj.

Është kënaqësi e veçantë që qeveria e Malit të Zi po investon në rrugën që afron Plavën me Podgoricën dhe projekti ynë më i madh, i përbashkët, do të jetë përpjekja për t’i servirur Evropës dhe botës kompleksin turistik të Bjeshkëve të Namuna, të cilat janë ndër malet më mahnitëse në mbarë Evropën. Sot ato quhen Bjeshkët e Namuna, por unë jam i sigurt se në një të ardhme jo të largët, do të jenë po turistët, që duket se u kanë dhënë këtë emër në të shkuarën, që do t’i pagëzojnë me Bjeshkët e Bekuara.

Ne diskutuam që të shqyrtojmë bashkërisht thjeshtimin e të gjitha procedurave të lëvizjes së lirë të mallrave dhe të njerëzve. Shqipëria vlerëson shumë progresin e Malit të Zi në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Ajo mbështet plotësisht përpjekjet e Malit të Zi për anëtarësim e plotë në NATO dhe ka besim të madh dhe është e bindur se anëtarësimi i Malit të Zi forcon më tej krahun juglindor të NATO-s.

Shqipëria vlerëson progresin e ndjeshëm dhe real, që shqiptarët, me të drejtat dhe liritë e tyre minoritare e njerëzore, kanë bërë në Malin e Zi. Vlerëson dialogun konstant, konstruktiv, që ato kanë me qeverinë dhe forcat e tjera politike të këtij vendi. Ne kemi bindje të përbashkët se marrëdhëniet mes dy vendeve tona janë dhe do të bëhen gjithnjë e më shumë një model i shkëlqyer  bashkëpunimi dhe miqësie në rajonin tonë.

Edhe njëherë faleminderit shumë për mikpritjen, zoti Kryeministër”.

Pyetje: Zoti Berisha, disa herë keni thënë se Mali i Zi dhe Shqipëria ndajnë bukuri mahnitëse natyrore dhe më parë keni përmendur se pikërisht në atë zonë do të ndërtohet një central bërthamor. A i përmbaheni akoma këtij qëndrimi? A e keni përmendur këtë sot gjatë bisedimeve?

Kryeministri Berisha: Unë besoj se energjia më e pastër dhe me kosto më të ulët është ajo nukleare, por Fukushima të imponon të rishqyrtosh qëndrim, sepse, siç dihet, zonat tona janë tektonike. Kështu që ky projekt mbahet ‘on hold’ deri sa shkenca të zgjidhë të gjitha problemet dhe rreziqet e lidhura me përdorimin e kësaj teknologjie.

Pyetje: Zoti Berisha dhe zoti Lukšić, sipas jush, cili është ndikimi i elementëve nacionalistë në rajon për çështjen e stabilitetit të rajonit dhe për çështjen e minoriteteve?

Kryeministri Lukšić: Ajo që kanë treguar marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi është përkushtimi ynë i plotë në drejtim të bashkëpunimit të mirë dhe, elementët ekstremistë ne jemi duke bërë përpjekje për t’i margjinalizuar maksimalisht. Politika jonë e gjithhershme është të përkushtohemi maksimalisht në përmbushjen e standardeve. Pse jo, diku të jemi edhe ne  pishtar, në atë kuptim që të gjithë qytetarët e Malit të Zi ta ndjejnë veten të lirë në këtë vend. Pikërisht kjo është arsyeja se përse kërkesën e qytetarëve të Tuzit për t’u bërë një komunë e plotë dhe jo një komunë urbane, asnjëherë nuk e kemi trajtuar si një çështje jolegjitime. Përkundrazi, mendoj se këtë çështje edhe më shumë e kemi kristalizuar me ligjin e ri mbi organizimin territorial që është miratuar në Parlament. Këtë po e them vetëm si shembull. Si shembull i politikës që në mënyrën më të mirë mund të përmirësojë dhe të avancojë standardet jetësore të popullit të Malit të Zi. Ajo që ne po mundohemi që të shohim në marrëdhëniet ndërmjet Malit të Zi dhe Shqipërisë është me të vërtetë një bashkëpunim i mirë, një politikë plotësisht evropiane, që mund të shërbejë si shembull edhe më gjerë dhe, kjo amortizon plotësisht çdo lloj qëndrimi që mund të jetë nacionalist apo ekstrem.

Kryeministri Berisha: Lidhur me pyetjen tuaj, çdo njeri i qytetëruar ka për interes të parë, interesin kombëtar. Sot unë mendoj se interesi kombëtar i shqiptarëve është integrimi i tyre në Bashkimin Evropian. Bashkimi Evropian ka faktuar se është një komunitet apo është një rend, i cili bazohet, para së gjithash dhe mbi të gjitha, në liritë dhe të drejtat e individit, në respektim të të gjitha diversiteteve dhe sensitiviteteve në hapësirën e tij. Në këtë kontekst, gjithnjë e më shumë ideali kombëtar bëhet ose barazohet me idealin evropian. Kështu që zërat e ekstremistëve ngjajnë me klithma të një të shkuare që nuk e do më askush. E vërteta është që popujt tanë dhe vendet tona kanë përkushtimin më të madh për integrimin në Bashkimin Evropian. Le të marrim shembullin e kroatëve. Kombi kroat votoi këto ditë pothuajse me 2/3 për integrimin në Bashkimin Evropian, çka tregon se qytetarët e vendeve tona, thellë në shpirtin e tyre, janë pro evropian dhe dëshirojnë integrimin në Bashkimin Evropian. Ata të gjithë e dinë se në këtë proces do të japësh copëza, pjesëza të sovranitetit tënd, por votojnë për të si interesi më i mirë i tyre dhe i vendit të tyre.

***

Në vijim, Kryeministri i Malit të Zi z. Igor Lukšić shtroi një drekë për nder të Kryeministrit Berisha dhe delegacionit që e shoqëronte. Gjatë drekës, Kryeministrat diskutuan për një sërë çështjesh në fusha të ndryshme, në të cilat pritet të konsolidohet edhe më tej bashkëpunimi midis dy vendeve, si bashkëpunimi në fushën e turizmit detar, liqenor e malor, zgjerimi i lidhjeve infrastrukturore rrugore, hekurudhore, por edhe ujore  mes të dy vendeve, projektet në fushën e mjedisit, në veçanti për sa i përket zonës së liqenit të Shkodrës e më gjerë.

Të dy Kryeministrat u ndalën edhe në projektin e Trans Adriatic Pipeline (TAP), të cilin e vlerësuan si një projekt shumë të rëndësishëm dhe strategjik për të ardhmen e sektorit energjetik të vendeve të rajonit. Kryeministri Berisha dhe Kryeministri Lukšić e cilësuan atë si projektin më feasible e me më interes për përfshirjen e rajonit në tregun ndërkombëtar të gazit natyror e përfitim nga kjo lloj energjie e rëndësishme.


25/01/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›