Kryeministri Berisha pret një delegacion të Parlamentit grek, anëtarë të Grupit të Miqësisë Greqi-Shqipëri
Sot në mesditë, Kryeministri Berisha priti në një takim të veçantë një delegacion të Parlamentit grek, anëtarë të Grupit të Miqësisë Greqi- Shqipëri, kryesuar nga kryetari i këtij grupi zoti Antonios Foussas.
Pasi u uroi mirëseardhjen në Shqipëri, Kryeministri Berisha vlerësoi rolin që luan diplomacia parlamentare, veçanërisht mes dy vendeve tona, si vende me miqësi dhe marrëdhënie të shkëlqyera.
Duke folur në emër të delegacionit grek, z Foussas i përcolli Kryeministrit Berisha përshëndetjet e Presidentit grek z. Karolos Papulias, Kryeministrit grek, z. Kostandinos Karamanlis, të Kryetares së Parlamentit grek znj. Anna Psarouda Benaki, si dhe të gjithë përfaqësuesve të parlamentit. Më tej, ai u shpreh: "Është nder dhe gëzim që ndodhemi sot këtu me Ju, z. Kryeministër. Ne vlerësojmë vizitën tuaj në Greqi, si një tregues i marëdhënieve tona të shkëlqyera. Greqia përkrah dhe mbështet anëtarësimin e Shqipërisë në BE e NATO dhe vlerëson përpjekjet e mëdha të qeverisë shqiptare në këtë drejtim".
Duke i falenderuar për vizitën, Kryeministri Berisha vlerësoi nivelin e shkëlqyer të marëdhënieve mes dy vendeve në të gjitha fushat. Më tej, z. Berisha i njohur bashkëbiseduesit me nismat e qeverisë, si: luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, reformat ekonomike, etj. "Të gjitha këto nisma, vijoi Kryeministri Berisha, kanë si qëllim krijimin e tregut më atraktiv për investimet e huaja në rajon".
Bashkëbiseduesit vlerësuan se minoriteti grek në Shqipëri dhe emigrantët shqiptarë në Greqi shërbejnë si një urë lidhëse për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve dhe popujve tanë.