Ministri i Financave Ridvan Bode: Taksa e sheshtë ndihmon strategjine ekonomike për zhvillimin dhe integrimin e vendit
- Do të merren masa të posaçme për të mbrojtur kategorinë e pagave të ulëta.
Në komunikimin javor me mediat, ministri i Financave Ridvan Bode shpjegoi paketën e re fiskale të miratuar nga qeveria në mbledhjen e saj të fundit.
Ministri Bode theksoi se vendimet e marra nga qeveria synojnë transformimin e sistemit tonë fiskal, në sistemin me taksat më të ulëta në rajon, duke mundësuar krijimin e një mjedisi të përshtatshëm për investime dhe përmirësimin e mënyrës së funksionimit të tregut.
"Ndodhem këtu për tju njoftuar lidhur me vendimet e mbledhjes së fundit të Këshillit të Ministrave. Në këtë mbledhje, qeveria mundësoi realizimin e njërit prej aspekteve më të rëndësishme të reformave të saj në fushën e ekonomisë, reformë e cila synon shndërrimin e vendit në një vend atraktiv për zhvillimin e ekonomisë dhe të nismës private, për të përshpejtuar ritmet e rritjes ekonomike, për të rritur nivelin e punësimit dhe për të krijuar perspektiva më të qëndrueshme për ekonominë shqiptare.
Katër vendimet e marra nga qeveria, të cilat propozojnë një sërë ndryshimesh, përbëjnë një paketë ligjesh që transformojnë sistemin tonë fiskal në sistemin me taksat më të ulëta në rajon, në sistemin më atraktiv për investime dhe për zhvillimin e aktivitetit ekonomik, si dhe bëjnë përmirësime thelbësore për të rritur mënyrën transparente të funksionimit të tregut dhe për ti rikthyer tregut dimensionin e tij të vërtetë, konkurrencën.
Katër ligjet e propozuara bëjnë të mundur që niveli i taksave në Shqipëri të jetë më pak se gjysmë me atë që ka qenë në fund të vitit 2005, e thënë ndryshe, niveli i taksave është ulur mbi dy here, në krahasim me nivelin e taksave që kanë qenë në fund të viti 2005.
Tatimi mbi fitimin arrin në nivelin 10 për qind nga 25 për qind që ka qenë në vitin 2005. Ky akt i guximshëm i qeverisë përbën njëkohësisht dhe uljen më të thellë dhe më të madhe të taksave të ndërrmarra në ndonjë vend nga një qeveri. Ky është jo thjesht një veprim i guximshëm i qeverisë, por edhe i koordinuar që masat dhe efektet që vijnë prej këtij vendimi të mund ti ndihmojnë strategjisë ekonomike për zhvillimin e vendit dhe integrimin e tij.
Nga data 1 korrik, duke u zbatuar më pas në 1 janar të vitit 2008, do të vendosim taksën e sheshtë, që nënkupton që tre taksa që bëjnë arbitrazh me njëra tjetrën të jenë me të njëjtin nivel. Tatimi mbi fitimin ose taksa koroporative do të jetë 10 për qind, tatimi mbi të ardhurat personale do të jetë 10 për qind dhe tatimi ose taksimi i dividentit do të jetë 10 për qind. Kjo masë, kjo ulje kaq e ndjeshme e nivelit të taksave do të krijojë njëkohësisht mundësinë për ta administruar në mënyrë më transparente.
Ulja e qenësishme e taksave, sipas paketës së propozuar, u mundësua në sajë të përmirësimit të administrimit fiskal të zhvilluar gjatë dy viteve të fundit dhe është konsultuar gjerësisht me partnerët tanë ndërkombëtarë, me komunitetitn e biznesit, por edhe me publikun e gjerë. Në tërësi masat e marra kanë gjetur një mbështetje të gjithëanshme dhe mundësojnë përfitimin e të gjithëve, prej efekteve që ato japin në fushën e ekonomisë.
Tatimi mbi të ardhurat personale deri më sot ka qenë në 5 shkallë, duke arritur deri nivelin maksimal në 20 për qind. Nga data 1 korrik gjithë tatimi mbi të ardhurat personale do të jetë në nivelin 10 për qind. Për të mënanjuar efektet negative që mund të japë vendosja e kësaj takse, në një sërë biznesesh të cilat bazohen mbi punën e krahut dhe që kanë një nivel të ulët pagash, qeveria ka ofruar që deri në nivelin 10 mijë lekë për pagat deri në 30 mijë lekë të mos ketë taksim të të ardhurave të tyre dhe duke filluar nga 10 mijë lekë e lart të mund të fillojë taksimi mbi këto paga. Nga ana tjetër, qeveria po merr të gjitha masat dhe do të garantojë që futja e kësaj takse të sheshtë mbi të ardhurat personale nuk do të prekë të ardhurat e punonjësve publikë. Në të gjithë sektorët do të garantohet një rritje e re pagash, që do të synojë një rritje më të madhe për pagat e ulëta dhe që afektohen nga veprimi i këtij ligji, në mënyrë që të gjithë të mos kenë asnjë konsekuencë në të ardhurat e tyre nominale prej vendosjes së këtyre taksave, ose pagat reale që priten gjashtë mujorin e dytë.
Nga ana tjetër qeveria nëpërmjet përmirësimive ligjore mundëson dominimin mbi informalitetin. Ne kemi propozuar një sërë masash në ligjin e tatimit mbi të ardhurat, por dhe në ligjin mbi procedurat tatimore, të cilat mënjanojnë të gjitha transaksionet që kryhen jashtë kanaleve bankare. Në bazë të diskutimit publik edhe në komunitetin e bankierëve dhe atë të biznesit u mundësua që të gjithë së bashku ti zhvillojnë të gjitha transaksionet përmes kanaleve të kontrollueshme bankare për të rritur transparencën e tregut dhe konkurrencën në të, për të mënjanuar konkurrencën e pandershme dhe veprimet arbitrare të një pjese të biznesit. Gjithashtu janë bërë përmirësime në disa ligje të tjera, të cilat kanë synuar ose të eleminojnë efektet e proporcionalitetit absolut në tatimin mbi të ardhurat personale, siç është taksa lokale që vendoset për banesat në zonat turistike, të cilat janë kthyer tashmë jo në zona të zhvillimit të turizmit si aktivitet ekonomik, por në zona rezidenciale, pasi, sigurisht, kategoritë e njerëzve dhe e familjeve me të ardhura më të mëdha përmes këtij ligji përfitojnë më shumë, por për shkak të disponimit të kapiteleve të ngurtësuara, vendoset kjo taksë lokale e cila do të mundësojë të mënjanojë efektet e saj dhe të japë një impakt, për të dekurajuar shndërrimin e një pjesë të shoqërisë në rentiere dhe në disponuese të kapitaleve jo aktive për zhvillimin ekonomik të vendit.
Së fundi, janë bërë edhe disa ndryshime në fushën e akcizave, të cilat reflektojnë një rritje të moderuar të tyre, rritje që në tërësinë e tyre nuk implikon çmimet e tregut dhe përkundrazi reflekton nevojën që tregu i karburanteve të mund të reagojë njëlloj si mallrat e tjera, pasi, sikurse e dini, ne vazhdojmë të kemi çmimet e karburanteve të njëjta me ato të periudhës së krizës botërore, ndërkohë që në të gjitha vendet e tjera niveli i këtyre çmimeve ka pësuar ulje.
Të gjitha këto masa mundësojnë krijimin e një mjedisi më të mirë dhe konukurrues për biznesin dhe nxitjen e inisiativës ekonomike, për të investuar më shumë, për të punësuar më shumë. Vetën nga përgjysmimi, ulja me 50 për qind i nivelit të saj, i tatimit mbi fitimin nga 20 për qind në 10 për qind, komunitetit të biznesit u lihet në dispozicion, pra nuk u merret në formën e taksës një shumë prej 150 milionë dollarë, çka do të thotë një mundësi e madhe për të investuar, për të financuar zgjerimin e aktiviteteve të tyre, për të punësuar më shumë dhe për ti dhënë një impakt pozitiv ritmeve të zhvillimit të ekonomisë shqiptare.
Edhe njëherë unë deklaroj se qeveria është duke marrë të gjitha masat që të gjitha këto ndryshime në fushën fiskale të mos prekin nivelin e të ardhurave të buxhetit, përmirësimin e administrimit, mënjanimin e informalitetit dhe në tërësi rritja e performancës fiskale do të mundësojë që këto reforma kaq të thella të mos japin efekte në nivelin e shpenzimeve, investimeve, të pagave dhe të pensioneve që do të paguajë qeveria."
Pyetje: Komuniteti i biznesit ka kërkuar që të rritet përqindja e shpenzimeve për reklamat?
Ministri Bode: Shpenzimet për reklama dhe për përfaqësim, që janë e njëjta kategori ekonomike fiskale e shpenzimeve, deri më sot kanë qenë të limituara me ligj deri në 0.3 për qind të xhiros. Në takimet publike me komunitetin e biznesit na është kërkuar që të shtohet niveli i këtyre shpenzimeve. Prandaj në projektligjin që kemi hartuar dhe kemi ofruar për miratim në parlament kemi parashikuar një trefishim të nivelit aktual të shpenzimeve të përfaqësimit dhe reklamave dhe e kemi çuar në 1 për qind të xhiros. Sigurisht ne mbetemi të hapur për të diskutuar dhe konsideruar çdo kërkesë të komunitetit të biznesit, por duke respektuar normat dhe standardet ndërkombëtare lidhur me këto natyra shpenzimesh, përndryshe ne nuk mund të vendosim standarde të reja. Nuk është e vërtetë se ato kanë qenë të pakufizuara, mund t'i ketë pasur të pakufizuara dikush ose një grup njerëzish, por ato kanë pasur një limit. Edhe kërkesën për shtesë e kemi pasur nga komuniteti i biznesit, prandaj është trefishuar niveli i tyre. Në qoftë se konsiderohet në parametra, edhe krahasuese, të vendeve të tjera i pamjaftueshëm, ne jemi të gatshëm ta diskutojmë dhe ta korrigjojmë.
Pyetje: Zoti Bode, mendoni se sistemi ynë bankar i ka kapacitetet e duhura për kryerjen e të gjitha transaksioneve?
Ministri Bode: Ne kemi pasur një takim publik midis komunitetit të biznesit dhe komunitetit të bankave. Shqipëria ka një sistem bankar me zhvillim të shpejtë dhe me mundësi e potenciale kapitalesh të mjaftueshme për të mbuluar të gjitha transaksionet ekonomike që ndodhin në Shqipëri. Shto këtu se veç bankave, që kanë ende një rrjet jo aq kapilar në Shqipëri për shkak të përqendrimit të aktiviteteve ekonomike në qendrat kryesore urbane, në këtë shërbim do të inkorporohen edhe postat dhe të gjitha njësitë e tjera private që ofrojnë shërbime financiare sipas kritereve, rregullave dhe licencimeve që atyre u bëhen nga organet kompetente. Ne mendojmë se infrastruktura financiare dhe bankare, në shërbim të transaksioneve përmes kanaleve ligjërisht të njohura, është mëse e mjaftueshme.
Pyetje: Zoti ministër, thatë se janë rritur akcizat edhe për shkak të lidhjes që kanë me çmimet në tregjet ndërkombëtare. Kjo është bërë që të mos kemi rritje të çmimeve apo do të kemi rritje çmimesh?
Ministri Bode: Problemi i akcizave ka tre aspekte. Së pari, ne ende e kemi nivelin më të ulët të akcizave të karburanteve se në vendet e tjera, sikurse edhe disa akciza për alkoolet. Dhe i kemi jo pak më të ulëta, por me herë se disa vende të tjera të rajonit.
Së dyti, përgjysmimi i nivelit të taksave krijon një hendek në të ardhurave e buxhetit. Nuk është se prej tyre do të sigurohet ndonjë gjë, sepse ato japin një efekt diku te 1 për qind të të ardhurave gjithsej në buxhet. Kjo nuk është se kompenson, por kjo bëhet për arsyen e tretë, që çmimet në tregun e karburanteve në Shqipëri kanë një elasticitet tepër të dobët, nuk influencohen as nga konjukturat ndërkombëtare, as nga niveli i taksave, ato vendosen në një moment dhe kjo tregon se ky treg ende vuan nga një farë mbylljeje dhe një funksionim jo transparent monopolitik, çka mbetet një detyrë për të fuqizuar konkurrencën në tregun e karburanteve. Është fakt që çmimet aktuale janë vendosur në një periudhë krize dhe vazhdojnë të mbeten në të njëjtat nivele të asaj periudhe.Çka do të thotë që pretendimet për arsye të tjera janë jo fort të qena.
Pyetje: Zoti Bode, është e dukshme se edhe përjashtimi i 100 mijë lekëshit të parë për t'u tatuar nuk e mbyll rritjen që pëson me taksën e sheshtë tatimi i pagës. Vetë fakti që ju do të rrisni rrogat e buxhetorëve, mendoni se rrogat e buxhetorëve do të kompensohen me rritjen, po sektori privat që do të taksohet në të njëjtën mënyrë? Këtu kam parasysh edhe diçka tjetër rritjen e pagave minimale, pagat referuese do të ketë një efekt besoj negativ. A ka ndonjë projekt për këtë?
Ju thatë se jeni të hapur për vërejtje, por ndërkohë qeveria e ka miratuar këtë paketë fiskale. Vërejtjet duhet të kalojnë në komisionet parlamentare, pra do të jenë pjesë e procedurës parlamentare?
Së treti, 150 milion euro ia lini biznesit, por ia hiqni buxhetit.
Ministri Bode: Gjatë fjalës sime i dhashë përgjigje një pjese të pyetjeve. Lidhur me pagat e ulëta ju thoni se nuk është e vërtetë se përjashtimi nga taksimi i 10 mijë lekëve të para jep impakte. Një pagë deri në 30 mijë lekë do të paguajë 2 mijë lekë taksë vjetore dhe pagat deri në 30 mijë lekë kanë paguar shumë më tepër se kaq. Në sektorin privat për shkak të informalitetit dhe, në rast se ju do të bëni llogari me pagat tuaja të deklaruara dhe sasinë e kontributeve dhe të tatimit mbi të ardhurat e paguara, do të shikoni se jeni jashtëzakonisht larg parametrave dhe standardeve që kanë të tjerët për të qenë aksionerë në shtetin tonë të përbashkët. Në qoftë se i referohemi nivelit të taksave në Shqipëri dhe performancës që ka administrata fiskale shqiptare për mbledhjen e taksave me vendet e tjera të rajonit, ne jemi më mirë në arkëtimin e tatimit të vlerës së shtuar, jemi më mirë në arkëtimin e tatimit mbi fitimin, jemi krahasueshëm për akcizën dhe jemi të pakrahasueshëm, me herë më pak me vendet e rajonit, për kontributin e sigurimeve shoqërore, taksën e punës dhe të tatimit të të ardhurave personale, për të mos folur për tatimin mbi pasurinë që në shumë vende të zhvilluara, dhe që tashmë ka filluar edhe në rajon, jep pjesë të konsiderueshme, në disa vende pjesën dërrmuese, të të ardhurave të buxhetit të shtetit.
Në këtë kuadër, ne jemi të interesuar që sistemi ynë fiskal dhe të ardhurat e buxhetit të shkojnë drejt një strukture normale që garantojnë qëndrueshmërinë në perspektivë. Në qoftë se ne mendojmë se ende mund të fshehim rrogat, se do të paguajmë më pak të ardhura personale apo kontribute, siç kemi bërë deri dje, sigurisht që do të mbetemi larg objektivave për të mënjanuar informalitetin. Për këto arsye ne po përafrojmë standardet e vendeve të tjera. Ne kemi 1/3 e të ardhurave që realizon Maqedonia në tatimin e të ardhurave personale dhe po më shumë se 1/3 në taksën e punës ose të kontributit të sigurimeve shoqërore.
Këto ndryshime mendohet të normalizojnë e formalizojnë gjithçka që ka të bëjë me pagesat, të ardhurat personale që krijohen dhe nuk besoj se do të ketë impakt aq të ndjeshëm sa thoni ju. Impakti maksimal që mund të ndjehet, në qoftë se deklarohen të gjithë me transparencë, nuk do të jetë më shumë se 1 mijë deri në 1.5 mijë lekë. Në qoftë se deklarohen të gjithë dhe është fjala për ata që e kanë pagën më të lartë. Ndërkohë që kategori të tjera kanë përfitime edhe më të mëdha se nuk preken nga ky taksim, sepse kanë paguar deri më sot 20 për qind. Ka sektorë që kanë qenë transparentë dhe sigurisht prej vendosjes së kësaj takse kemi një përgjysmim të nivelit maksimal që ka qenë më përpara, ndërsa të tjerë kanë marrë miliona dhe kanë deklaruar paga nga 14 mijë lekë. Mendohet se është një taksë e cila duhet të ruajë fizionominë proporcionale. Le të heqim progresivitetin e taksave. Në qoftë se duam të "luftojmë" kapitalistët, siç mendojnë ata që mund të mbështesin taksën progresive, ka rrugë të tjera dhe ne kemi ofruar një alternativë, taksa mbi pasurinë, aty akumulohet kapitali. Të mos dekurajojmë rritjen e të ardhurave personale, por të dekurajojmë përdorimin e të ardhurave personale për t'i ngurtësuar në asete që mbeten jashtë xhiros ekonomike të vendit.
Ndryshimet sigurisht që do të diskutohen edhe në komisionin e ekonomisë dhe ne jemi të gatshëm për të bërë ndryshime të natyrës që janë në të njëjtën filozofi me objektin që ka pasur qeveria në ndërmarrjen e këtyre masave, mënjanimin e informalitetit dhe zbutja e barrës fiskale në parametra të pranueshëm.