E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha në Inaugurimin e Ekspozitës “Viza për lirinë, diplomatë spanjoll përballen më Holokaustin”

Kryeministri Berisha ka marrë pjesë sot në  Inaugurimin e Ekspozitës  “Viza për lirinë, diplomatë spanjoll përballen më Holokaustin”.   Kjo  ekspozitë e organizuar nga Shtëpia Stefarad  Izrael,  është  çelur në ambientet  e  Muzeut Kombëtar .

Gjatë fjalës së tij kryeministri Berisha u shpreh: 


Shkëlqesi Ambasador

Të nderuar të pranishëm

Së pari dëshiroj të falënderoj përzemërsisht Ambasadorin e Spanjës, Sekretarin e Përgjithshëm të Shtëpisë Stefarad , për  nderin e madh që i bën Shqipërisë duke hapur këtë ekspozitë në nderim të atyre diplomatëve spanjoll, italian e të tjerë, për një nga momentet më të errëta të qytetërimit perëndimor. Momentin më të zi të historisë së Europës, që është Holokausti, një mega krim i bazuar në doktrinën raciste naziste, por dhe zgjimin e demonëve të urrejtjes  raciste të fjetur në subkoshiencën e kombeve tjera.  Këto diplomat u ngritën mbi këtë gjendje të mjerë, të vështirë dhe mbrojtën vlerat më të mira të njeriut, bënë gjithçka të shpëtojnë dhe shpëtuan mijëra hebrenj, të cilët ndiqeshin dhe  gjahu i tyre bëhej për  faktin e vetëm të origjinës së tyre etnike , paçka se ata kishin një kontribut thelbësor  në zhvillimin e çdo vendi ku ata jetonin.

Zoti Ambasador

Kjo ekspozitë dëshmon gjithashtu për një marrëdhënie të re, që i bën nder kombit tuaj, që u vendos nga fillimi i shekullit të kaluar dhe në vazhdim me kombin hebre.  Pavarësisht nga regjimi që ishte në vendin tuaj  e vërteta është se qeveritë tuaja  bënë përpjekje për një rindërtim të marrëdhënieve  midis dy kombeve, kombit  spanjoll dhe kombit hebre.  Mendoj se  në histori ka pasur krime të tjera të mëdha, por në historinë moderne ky ka qenë krimi më i madh mbi baza etnike ndaj dhe sa më shumë ta nderojmë ne atë, sa më shumë ta rikujtojmë ne, të nderojmë viktimat, të nderojmë ata që kontribuuan  që u ngritën në atë errësirë të thellë kundër tij, hedhim më shumë dritë në të ardhmen drejt së cilës në ecim.

Zoti Ambasador

Sigurisht që për ne  është një nder shumë i veçantë, që ju keni zgjedhur Tiranën për të sjellë këtë ekspozitë.  Në marrëdhëniet e komplikuara në shekuj midis kombit  tuaj dhe kombit hebre ,Shqipëria gjithnjë ka qenë e pranishme në një mënyrë ose në një tjetër, natyrisht jo si  vend i pavarur, por si një komb që adaptoi disa standarde tjera qëndrimi ndaj kombit hebre.

Gjatë luftës  së dytë botërore, siç  e theksuat  edhe ju, diplomatët spanjollë, suedezë, apo diplomatë  të vendeve të tjera neutrale, bënë  detyrën e  tyre shumë fisnike.  Vendi  im nuk kishte shans  tjetër veç se të ishte i pushtuar në luftën  e dytë botërore, por shqiptarët  edhe nën okupacion  dhe  në kushte shumë të vështira bënë detyrën e tyre dhe numri i qytetarëve me origjinë hebreje në Shqipëri u rrit.  Asnjë nuk u dorëzuar  dhe kjo është një gjë që e afron më shumë Shqipërinë me të gjithë ata që qëndruan në rrethana  të ndryshme kundër holokaustit .  Kjo përben një trashëgimi të shkëlqyer midis kombi shqiptarë dhe kombit hebre

Dhe njëherë faleminderit  shumë  për  nderin që na keni bërë me hapjen e kësaj ekspozite në Tiranë.


26/05/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›