Kryeministri Berisha pret përfaqësues të kompanisë azere të gazit e naftës SOCAR dhe të Konsorciumit të Shah Deniz
Është zyrtare. Azerbajxhani ka shpallur fitues projektin TAP për të sjellë gazin në Evropë, në pjesën perëndimore të saj
Kryeministri Berisha priti sot në takim Këshilltarin e Presidentit të kompanisë azere të gazit e naftës SOCAR, zotin Murad Heydarov, ambasadorin e Azerbajxhanit për Shqipërinë zotin Rahman Mustafayev dhe Zv/Presidentin e BP pranë Konsorciumit të Shah Deniz, zotin John Baldëin. Delegacioni njoftoi zyrtarisht Kryeministrin Berisha për përzgjedhjen përfundimtare të projektit të gazsjellësit Trans Adriatik - TAP. Ky është projekti më i madh energjetik i të gjithë kohërave në Evropë, me një investim fillestar 40 miliard dollarë. Me këtë vendim të marrë nga qeveria e Azerbajxhanit dhe Konsorciumi i Shah Denizit shënohet hapja e Korridorit të Jugut, si burim i një rëndësie strategjike për energjinë në Europë, sikurse edhe për zhvillimin e tregut të gazit në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe diversifikimin e burimeve energjetike të të gjithë rajonit. Delegacioni shprehu mirënjohjen për të gjithë punën serioze të realizuar nga qeveria shqiptare brenda një kohe të shkurtër për ngritjen e të gjithë kuadrit ligjor e rregullator të nevojshëm për të garantuar zbatimin me sukses të projektit në Shqipëri. Veçanërisht, ata shprehën mirënjohjen dhe vlerësimin maksimal e të sinqertë për kontributin politik të paçmueshëm që Kryeministri Berisha personalisht investoi në mbështetje të projektit që në fazën fillestare të tij në 2006 dhe në vazhdim, mbështetjen dhe lobimin e tij të fuqishëm për këtë projekt. Pa rolin dhe kontributin e Shqipërisë, ky vendim për projektin TAP nuk do kishte qenë i mundur, theksuan ata. Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për qeverinë e Azerbajxhanit, Presidentit Alyiev dhe konsorciumin e Shah Deniz-it për vendimin e marrë në mbështetje të projektit TAP, duke e konsideruar këtë si një vendim me rëndësi të jashtëzakonshme strategjike që mbështetet nga të gjitha forcat politike dhe që zgjidh me këtë projekt përfundimisht problemin e energjisë për Shqipërinë, e cila fiton një rol të ri në rajon, në këtë fushë. Shqipëria është një përfituese e padiskutueshme nga projekti, gjatë ndërtimit do krijojë mijëra vende pune dhe më pas hapjen e tregut të gazit në Shqipëri, jo vetëm për qëllime industriale, por edhe rezidenciale.
...