E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret përfaqësuesit e grupit italian, Caraglio

Kryeministri Berisha priti sot në një takim përfaqësues të grupit italian Caraglio, i njohur në Itali dhe jashtë saj në fushën e prodhimit të energjisë dhe pajisjeve elektrike. Në këtë takim grupi italian shoqërohej nga Ambasadori i Italisë në Tiranë, Saba D`Elia.

Në vazhdim të takimit të parë të zhvilluar në muajin shkurt, përfaqësuesit e grupit Caraglio i prezantuan Kryeministrit Berisha dy projekte për ndërtimin e 23 hidrocentraleve të vegjël në kaskadën e lumit Shkumbin. Projekti i parë parashikon ndërtimin e 9 HEC-eve në zonën e Orenjës, me fuqi totale 15 megavat, ndërsa projekti i dytë përmban ngritjen e 14 HEC-eve në zonat e Slabinës dhe Qukësit me fuqi totale 17 megavat dhe prodhim energjie 390 milionë kilovat/orë në vit.

Përfaqësuesit e grupit Caraglio kanë dorëzuar tashmë në Ministrinë e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës projektet për të marrë pjesë në garat e hapura për kaskadën e Shkumbinit.

Kryeministri Berisha falenderoi përfaqësuesit e grupit italian për kurorëzimin e idesë së mëparshme me projekte konkrete për investime në Shqipëri. Kryeministri i garantoi përfaqësuesit e grupit Caraglio për transparencë të plotë dhe vlerësim profesional të projekteve të tyre në garat e organizuara për kaskadën e Shkumbinit.          

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›