E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë në inaugurimin e shkollës 9-vjeçare “Sejdi Dida” në Krumë

Kryeministri Berisha ishte sot, i pranishëm, në ceremoninë e inaugurimit të shkollës 9-vjeçare “Sejdi Dida” në Krumë, Kukës.

Pasi vizitoi ambientet e shkollës, e cila është ndërtim i ri, me vlerë investimi 170 milionë lekë, nga buxheti i shtetit, Kryeministri Berisha vlerësoi se ambientet moderne të saj e vendosin atë, në të njëjtin standard me shkollat e vendeve të zhvilluara.

Kryeministri theksoi se arsimi është përparësi e të gjitha përparësive dhe në projektin e Shqipërisë, vend i zhvilluar, arsimi është themelor dhe ndërtimi kudo i një infrastrukture moderne arsimore, mësues të përgatitur e të trajnuar, trajtimi i merituar financiar i tyre janë në fokusin e qeverisë.

Kryeministri i garantoi qytetarët e Krumës për investime të reja në vitet e ardhshme. “Ne, – tha Kryeministri, - e mbajmë fjalën tonë dhe sërish, ne do të shihemi në inaugurime të reja”.

Duke shprehur kënaqësinë që kjo shkollë inaugurohet në vitin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, Kryeministri theksoi se ishte sakrifica,  trimëria dhe burrëria e shqiptarëve, në të katër anët e trojeve etnike shqiptare, që shndërruan në realitet pavarësinë e Shqipërisë. “Në të gjitha betejat e mëdha të zhvilluara për pavarësinë e Shqipërisë, në Kosovë, Hasi, Kukësi, Tropoja kanë qenë pikëmbështetjet më të fuqishme të tyre”, - u shpreh Kryeministri.

Fjala e Kryeministrit Berisha në ceremoninë e inaugurimit.

“Kam ardhur sot tek ju, për të ndarë sëbashku gëzimin e inaugurimit të shkollës së re “Sejdi Dida”, një nga shkollat më të bukura dhe më të mëdha të Shqipërisë. Kjo shkollë është investim rreth 170 milionë lekë dhe ka një kapacitet prej 1100 nxënësish, 24 klasa, laborator të informatikës, bibliotekë, sallë mësuesish, mjedise sportive dhe të gjitha mjediset ndihmëse.

Kjo shkollë është e njëjtë dhe moderne, si çdo shkollë tjetër në bashkitë  e vendeve më të zhvilluara. Ndaj ta gëzoni shkollën e re, mësuese e mësues, nxënëse e nxënës të Krumës!

Por kënaqësia ime është e madhe, sepse në të katër anët e këtij rrethi, i cili  ka një prej traditave më të shkëlqyera, arsimin e dashurinë për dijen, gjatë këtyre pak viteve, ne kemi ndërtuar shkolla të reja, të standardeve më të mira europiane. E fundit që ka mbetur është shkolla në Ershan, e cila është tenderuar dhe do ta ndërtojmë.

Ndërtimi i kësaj shkolle dhe i një numri të madh shkollash gjatë këtij viti  bëri që sot, në mbarë Shqipërinë të kemi shkolla të reja apo të rindërtuara mbi 71 përqind të të gjitha shkollave të Shqipërisë, një investim ky prej qindra e qindra milionë euro.

Ne jemi të vendosur që arsimin ta shndërrojmë në përparësi të të gjitha përparësive. Shqipëria e dijes është Shqipëria e të ardhmes. Shqipëria e dijes është Shqipëria e imagjinatës suaj. Shqipëria e dijes është Shqipëria e ëndrrës suaj. Ndaj, ne do ta bëjmë atë realitet, me shkollat e universitetet më moderne, me mësuesit më të përgatitur, me pajisjet më të mira për shkollat tuaja.

Në rrugën tonë të Shqipërisë së dijes, ne e kemi vendosur e do ta mbajmë mësuesin në piedestalin që meriton. Vetëm duke  mbështetur mësuesit, duke u dhënë atyre mundësitë e trajnimit të vazhdueshëm dhe shpërblimit që meritojnë, ata do të mund të përmbushin misionin madh, misionin e edukimit e të ndriçimit të mendjes së fëmijëve tanë. Në një hark kohor të shkurtër, si asnjë vend tjetër, ne kemi rritur me 120 përqind rrogën e arsimtarëve të shkollës 9-vjeçare. Paga e tyre ishte 227 mijë lekë, sot është 550 mijë lekë. Ne kemi rritur mbi 220 përqind rrogën e mësuesve të shkollës së mesme. Nga 270 mijë lekë, ajo është sot, mbi 590 mijë lekë. Pak vite më parë, kryeministri i vendit merrte një rrogë të barabartë me rogat e 9 arsimtarëve. Sot, ai merr një rrogë të barabartë me 4 rroga e gjysmë të arsimtarit dhe ju garantoj se do të shkojmë duke e ngushtuar më tej, atë dhe duke rritur më tej rrogat e arsimtarëve.

Të dashur nxënës e nxënëse, qytetare e qytetarë ët Krumës,

Shqipëria kishte një trashëgimi ndër më të hidhurat, më të vështirat, më të varfrat, por ajo po ecën me shpejtësi, drejt niveleve të vendeve të zhvilluara. Në këtë drejtim, përqendrimi kryesor i qeverisë ka qenë ndërtimi i një infrastrukture rrugore moderne, në të katër anët e vendit. Gjatë dy viteve që vijnë, ne përfundojmë rrjetin rrugor më modern, më të bukur e më funksional të rajonit e më gjerë. Në këto vite, Shqipëria ndërtoi rrugë, autostrada e tunele, më shumë se i gjithë rajoni i Ballkanit i marrë sëbashku.

Për t’u bërë një vend i zhvilluar, ne do të bëjmë gjithçka që fëmijët tanë të shkollohen njëlloj si fëmijët e vendeve më të zhvilluara të Europës. Ne kërkojmë prej jush, të dashur fëmijë, të doni shkollën, të mësoni, të studioni sa më shumë, sepse kjo do të jetë për ju leva kryesore për të shndërruar ëndrrat më të bukura që keni sot, në realitet, kur të rriteni.

Të dashur nxënëse e nxënës, mësuese e mësues dhe qytetarë të Krumës,

Gëzohem shumë që këtë shkollë e inaugurojmë në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Ky është shpërblimi më i mirë, mirënjohja më e thellë për të gjithë ata, mësuese e mësues, që gjatë 100 viteve, me sakrificat më të mëdha e shndërruan Krumën në djep të arsimit, shkollës e dijes. Tek vizitoja këtu, në shkollën tuaj, kabinetin e informatikës, nxënësit kishin përzgjedhur në ekranin e kompjuterit të tyre logon e 100 vjetorit të pavarësisë, momente të historisë sonë 100 vjeçare, si vend i pavarur. Në të gjitha përpjekjet një shekullore të shqiptarëve për liri e dinjitet, Hasi e Kruma kanë qenë në krye të këtyre përpjekjeve. Gjyshërit dhe baballarët tuaj nuk e reshtën kurrë, përpjekjen e tyre për liri e dinjitet.

Në të gjitha betejat e mëdha të zhvilluara për pavarësinë e Shqipërisë, në Kosovë, Hasi, Kukësi, Tropoja kanë qenë pikëmbështetjet më të fuqishme të tyre. Zonat veriore dhe verilindore njohën në ato vite, barbaritë më të mëdha, prej atyre, të cilët donin me çdo kusht që shqiptarët kurrë të mos kishin shtetin e tyre, që shqiptarët të shuheshin nga harta e Europës, për “fajin” e vetëm se ata ishin ndofta kombi më i vjetër i kontinentit. Por ishte sakrifica,  trimëria dhe burrëria e shqiptarëve, në të katër anët e trojeve etnike shqiptare, që shndërruan në realitet pavarësinë e Shqipërisë. Ndaj edhe sot, në këtë 100 vjetor, le të shprehim dashurinë, respektin e mirënjohjen më të thellë për shqiptarët e të gjitha trojeve etnike shqiptare, që me luftën, heroizmin, sakrificën e tyre bënë të mundur Shqipërinë e pavarur, bënë të mundur që sot, ne të festojmë 100 vjetorin e saj.

Të dashur nxënëse e nxënës,

Nuk ka dashuri më të ëmbël, për njeriun, se dashuri për nënën, nuk ka dashuri më fisnike se dashuria për familjen, por dashuria e të gjitha dashurive është dashuria për vendin, për tokën, për kombin. Ata, të cilët vendosin të parën, këtë dashuri, ata kanë rrugën me dritë përpara, ata bëhen djem e vajza, burra e gra me fuqi të pakufishme për realizimin e ëndrrave të tyre. Pse shqiptarët, gjatë një shekulli vendosën të parën dashurinë për vendin, për kombin, ndaj ne jemi të lirë. Pse shqiptarët, pak vite më parë vendosën dashurinë për Kosovën, dashurinë për kombin, më të parën dhe sot jemi të lirë kudo ku jemi. Pse shqiptarët vendosën dashurinë për dinjitetin kombëtar, sot janë të lirë në Maqedoni e kudo ku janë. Ndaj, edhe ne duhet ta kremtojmë këtë 100 vjetor si 100 vjetor të krenarisë për njëri-tjetrin, të dashurisë për njërin-tjetrin, të besimit se 100 e 1000 vitet që vijnë do të jenë vite të bardha për shqiptarët.

Nxënëse e nxënëse, qytetare e qytetarë të Krumës,

Me investimet që kemi bërë, kemi shënuar ndryshime të mëdha. Unë jam sot, tek ju, për t’ju premtuar se investime shumë më të mëdha do të bëjmë në vitet që vijnë. Zoti kryetar i bashkisë, djemtë e vajzat e qytetit, e duan stadiumin  modern, ndaj, ne do të bëjmë gjithçka që skuadra juaj gradualisht të dalë në kategoritë më të larta e ta kenë frikë skuadrat e tjera. Gjithashtu do të përfundojmë rrugën, të asfaltojmë çdo skaj të këtij rrethi e të çdo rrethi në Shqipëri.

Edhe njëherë ju uroj gëzuar shkollën dhe ju premtoj se ne do t’i mbajmë fjalët. Ne e mbajmë fjalën tonë dhe sërish, ne do të shihemi në inaugurime të reja”.


25/09/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›