E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret z.Anthony Smith, Drejtor për Evropën dhe Marrëdhëniet me Donatorët në DFID

-Z. Smith e siguroi Kryeministrin Berisha se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të jetë partner i Shqipërisë në procesin e saj të integrimit evropian, si dhe do të ketë mbështetjen e saj politike dhe financiare, por kjo tashmë nëpërmjet programeve të asistencës së BE-së

Kryeministri Berisha priti pasditen e sotme z. Anthony Smith, Drejtor për Evropën dhe Marrëdhëniet me Donatorët në Departamentin Britanik për Zhvillim Ndërkombëtar (DFID), i cili shoqërohej në këtë takim dhe nga ambasadori Britanisë në Tiranë z. Fraser Wilson.

Në këtë takim u diskutua rreth mbylljes së misionit të DFID-it në Shqipëri, duke parë zhvillimin dhe progresin e arritur në vendin tonë, si dhe në vende të tjera të Ballkanit.

Kryeministri Berisha i shprehu zotit Anthony Smith falënderime të përzemërta për ndihmën e madhe që Departamenti Britanik për Zhvillim Ndërkombëtar ka dhënë në Shqipëri gjatë gjithë këtyre viteve, ndihmë kjo që arrin në rreth 20 milionë euro. Kryeministri Berisha vlerësoi mbështetjen që me anë të këtij programi bilateral është dhënë në sektorë të rëndësishëm si hartimi i Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim, mbështetja për përmirësimin e programeve dhe politikave buxhetore në Ministrinë e Financave,  mbështetje për zhvillimin e zonave malore, statistikat, etj.

Nga ana e tij, Zoti Smith theksoi progresin e dukshëm dhe hapat e rëndësishëm që ka bërë Shqipëria, si dhe reformat dhe ecurinë e procesit të integrimit evropian.

Z. Smith e siguroi Kryeministrin Berisha se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdoje të jetë partner i Shqipërisë në procesin e saj për integrim, si dhe do të ketë mbështetjen e saj politike dhe financiare , por kjo tashmë nëpërmjet programeve të asistencës së Bashkimit Evropian.


24/02/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›