Kryeministri Berisha takon Asistent/Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Kinës

Kryeministri Berisha priti në një takim të përzemërt Asistent/Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Kinës, zotin Hu Zheng Yue
Zoti Yue, i cili ndodhet në Shqipëri në vizitën e tij të parë në vazhdën e organizimeve dypalëshe me rastin e 60 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-Kinë shprehu vlerësimin e tij të lartë për marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve dhe popujve miq, duke nënvizuar përpjekjet e vazhdueshme të Kryeministrit Berisha në forcimin e bashkëpunimit të ndërsjellë.
Asistent/Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Kinës i përcolli Kryeministrit Berisha përshëndetjet e Kryeministrit të Kinës, zotit Wen Jiabao si dhe kënaqësinë e këtij të fundit për një takim dypalësh gjatë pjesëmarrjes së Kryeministrit Berisha në Samitin Ekonomik të Azisë.
Z. Yue u shpreh se marrëdhëniet me Shqipërinë përbëjnë një pjesë të rëndësishme të politikës së Jashtme të Kinës në Europë. Marrëdhëniet mes dy vendeve tona, vijoi z. Yue janë provuar nga historia.
“Kina e konsideron Shqipërinë mike të vjetër dhe partnere me rëndësi në Europën Juglindore. Ne kemi mbështetur Shqipërinë në proceset e saj integruese dhe të zhvillimit dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”, u shpreh Asistent/Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Kinës.
Kryeministri Berisha e falënderoi z. Yue për vizitën në Shqipëri si dhe përcolli përshëndetjet për Kryeministrin e Kinës Wen Jiabao duke i shprehur mirënjohjen dhe falënderimin për ndihmën dhe mbështetjen që Kina i ka dhënë Shqipërisë.
Në këtë kontekst Kryeministri Berisha theksoi se marrëdhëniet mes dy vendeve janë shumë të mira dhe se bashkëpunimi ekonomiko-tregtar ka një tendencë në rritje në dy vitet e fundit.
Më tej Kryeministri Berisha u shpreh se kompanitë kineze janë të mirëpritura të investojnë në Shqipëri në fusha me interes për ta, si në miniera, energji, infrastrukturë, turizëm etj. dhe siguroi se qeveria shqiptare do të ofrojë të gjitha lehtësitë për bizneset kineze që të kenë një histori suksesi në investimet e tyre në Shqipëri.
Gjithashtu Kryeministri Berisha shprehu dëshirën e tij dhe të qeverisë shqiptare për një vizitë të Kryeministrit të Kinës në Shqipëri dhe z. Yue tha se kjo ftesë do të pritej me kënaqësi nga Kryeministri i Kinës si një zhvillim historik dhe inkurajim në marrëdhëniet midis dy vendeve. Biseda u ndal gjerësisht në disa aspekte thelbësore të bashkëpunimit ekonomik si në nënshkrimin e një Marrëveshje Partneriteti Strategjik, Shqipëri-Kinë, për mundësinë e një kredie të butë për qeverinë shqiptare, për thellimin e ndihmës të Kinës në kuadër të përhapjes së mëtejshme të informatizimit të shoqërisë shqiptare etj.
Z. Yue u shpreh se Kinën e gëzonte rritja në vitet e fundit e shkëmbimeve tregtare me Shqipërinë dhe se Kina mirëpret produktet shqiptare në tregun e saj të gjerë.
Gjithashtu Asistent/Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Kinës u shpreh se Kina do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë me grante në kuadër të fuqizimit të ekonomisë së saj.
Të dyja palët theksuan se duhet të fillojë menjëherë puna e grupeve ndërministrore në kuadër të zhvillimit të projekteve të përbashkëta.
25/02/2009