Kryeministri Berisha pret zëvendësministrin e Jashtëm të Egjiptit, z. Ahmed Amin Fathallah
Kryeministri Berisha priti sot në një takim zëvëndësministrin e Jashtëm të Egjiptit, z.Ahmed Amin Fathallah.
Kryeministri Berisha dhe z. Fathallah, pasi vlerësuan marrëdhëniet shumë të mirë midis dy vendeve tona, shprehën vullnetin për forcimin e bashkëpunimit në fushën ekonomike. Kryeministri Berisha i shprehu z. Fathallah mirënjohjen për mbështetjen që Egjipti ka dhënë veçanërisht në fushën e arsimit, me ofrimin e një numri të konsiderueshëm bursash studimi. Pasi bëri një paraqitje të shkurtër të potencialeve që ka Shqipëria në fusha të ndryshme, Kryeministri theksoi se ekzistojnë hapësira të mëdha për rritjen e shkëmbimeve ekonomike dhe të investimeve.
Nga ana e tij, z. Fathallah, pasi i shprehu Kryeministrit falënderimet për pritjen shumë të ngrohtë, u shpreh se qeveria egjiptiane mbetet e angazhuar për të forcuar më tej bashkëpunimin me Shqipërinë veçanërisht në fushën e bujqësisë, turizmit dhe infrastrukturës rrugore etj..
Në takim u diskutua edhe për zhvillimet në rajon. Kryeministri Berisha theksoi se njohja e shtetit të ri të Kosovës është një kontribut i qenësishëm për paqen e stabilitetin në rajon.
12/04/2011