E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Në 4 vite, Shkodra do të jetë kryeqendra më e zhvilluar e të gjithë rajonit

Gjatë mandatit që shkoi, në qytet, në komuna, në fshatrat e qarkut të Shkodrës, ne kemi ndërtuar 448 kilometra rrugë, 130 shkolla. Këto 4 vite, ne do të investojmë në këtë qytet më shumë se 20 vite të marra sëbashku.

Kryeministri Berisha ishte sot i pranishëm në tubimin me qytetarë të Shkodrës, ku u prezantua kandidati i koalicionit “Aleanca për qytetarin” në zgjedhjet vendore të 8 majit për bashkinë e Shkodrës.

Kryeministri Berisha u shprehu qytetarëve të Shkodrës mirënjohjen për mbështetjen dhe kontributin e tyre që në ditët e para të demokracisë shqiptare.  

Në prezantimin e kandidatit Lorenc Luka, Kryeministri vlerësoi përkushtimin dhe e punën e zotit Luka në 4 vitet e mandatit që shkoi dhe shprehu mbështetjen për realizimin e projekteve të mëdha për këtë qytet në infrastrukturë, në fushën e arsimit, të artit e kulturës, si dhe në mbështetjet të biznesit dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Investimi në të gjithë infrastrukturën rrugore e arsimore të Shkodrës, By pass-i, shumëfishim i investimeve për trashëgiminë e saj kulturore, terrene sportive moderne, rikonstruksioni i stadiumit, teatrit, janë disa nga projektet e rëndësishme për këtë qytet, në katër vitet e ardhshme.

Ne, - u shpreh Kryeministri - i hoqëm Shkodrës nga fytyra e saj e bukur rrudhat e pamerituara të regjimit të shëmtuar komunist, por sëbashku këto 4 vite do të nisim ndërtimin e Shkodrës së shekullit të ri.

Më tej, në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Të dashur qytetare e qytetarë të Shkodrës,

shkodrane e shkodranë,

vëllezër e motra, zonja e zotërinj,

zonja Kryetare e parlamentit,

zotërinj deputetë,

zoti kryetar i bashkisë,

zoti Salihi,

Gjëja e parë që buron nga shpirti e zemra është përulja me nderimin më  të thellë para jush, qytetareve e qytetarëve të Shkodrës, për mbështetjen e jashtëzakonshme, të fuqishme, të pamposhtur që i dhatë Partisë Demokratike  që nga dita e themelimit të saj, gjer sot. 20 vjet, ju u shndërruat në Rozafën e demokracisë.

Sot jam tek ju për t’ju garantuar juve se 4 vitet që vijnë me Lorenc Lukën, me secilin prej jush do ta ndryshojmë Shkodrën shumë më tepër se 20 vitet e fundit të marra sëbashku. Shkodra, në 4 vite, do të jetë kryeqendër e Shqipërisë, vend i zhvilluar. Shkodra, në 4 vite do të jetë kryeqendra më e zhvilluar e të gjithë rajonit.

Zonja  e zotërinj

Këto vite, me Lorenc Lukën dhe sëbashku me ju, me një dashuri të madh për këtë qytet ia kemi dalë realisht të ndryshojmë Shkodrën, por, të dashur qytetare e qytetarë, i dashur Lorenc, të mos harrojmë se nuk kemi bërë gjë tjetër veçse i kemi hequr rrudhat që Shkodrës i qiti rruga e vetme e diktaturës komuniste. Ne i hoqëm Shkodrës nga fytyra e saj e bukur rrudhat e pamerituara të regjimit të shëmtuar komunist, por sëbashku, këto 4 vite do të nisim ndërtimin e Shkodrës së shekullit të ri, e Shkodrës së ëndrrës më të bukur të qytetarëve të saj. Këto 4 vite, ne do të investojmë në këtë qytet më shumë se 20 vite të marra sëbashku. Këto 4 vite, ne do ta bëjmë Shkodrën epiqendrën kryesore kulturore të veriut e më gjerë. Këto 4 vite, bota akademike e Shkodrës do të njohë dimensione të reja, të mëdha. Këto 4 vite, sëbashku do t’i japim fund fatkeqësisë ciklike natyrore. Shkodra do të ketë By pass-in e saj, do të ketë mbrojtjen e saj njëherë e përgjithmonë.

Qytetare e qytetarë të Shkodrës,

Gjatë mandatit që shkoi, në qytet, në komuna, në fshatrat e qarkut të Shkodrës, ne kemi ndërtuar 448 kilometra rrugë. 4 vitet që vijnë ne do të ndërtojmë e rindërtojmë çdo rrugë e rrugicë të këtij qyteti, çdo rrugë e rrugicë të fshatrave të këtij qarku nga Fierza në Vermosh, në Hajmel, në të gjithë zonën e saj. 4 vitet që shkuan, ne kemi ndërtuar e rindërtuar në këtë qark 130 shkolla. 4 vitet që vijnë do të ndërtojmë e rindërtojmë çdo shkollë e çdo kopsht në të katër anët e këtij qarku. Në 4 vitet që shkuan, ne kemi bërë investime të mëdha në ujësjellës e kanalizime. 4 vitet që vijnë, 24 orë ujë për të gjithë banorët e qarkut të Shkodrës është e do të mbetet motoja jonë. Shkodra, djep i kulturës sonë aktuale, i kulturës sonë të lashtë. Investimet tona në kulturë do të shumëfishohen në të gjithë trashëgiminë e saj kulturore, në të gjitha institucionet e saj. Shkodra dhe qytetarët e saj do kenë terrenet sportive më moderne në rajon. Le të përshëndesim me një duartrokitje Hamdi Salihin. Hamdi, golin tjetër e ka Saliu tjetër. Sëbashku në 8 maj. E thashë,  kur u bë goli, u fikën dritat diku aty, në Tiranë.

Zoti kryetar i ardhshëm i bashkisë,

Në 4 vitet që vijnë, ne do të investojmë në të gjithë infrastrukturën e këtij qyteti, do të mbyllim landfill-in e vjetër, do të krijojmë terrene të reja sportive, do të krijojmë kampuse universiteti, do rikonstruktojmë stadiumin, teatrin, do të ndërtojmë shtëpinë e artit. Dimensione të reja do të marrë biznesi shkodran. Do të krijojmë parqet industriale dhe një numër të madh vendesh punë.

Qytetare e qytetarë të Shkodrës,

Kjo është rruga jonë, rruga e gjithsecilit prej jush, rruga e lirisë. Rrugë, në të cilën secili nga ne ka në dorë të bëhet arkitekt i jetës së tij, arkitekt i të ardhmes së tij, familjes së tij, lagjes, komunitetit, qytetit e vendit të tij. Krahas kësaj rrugë, sërish bijtë na sjellin rrugën e etërve, rrugën e vetme. Le t’ua lemë atyre rrugën e vetme. Më duhet t’i them shokut Edvin Rama se vërtet në këtë fushatë nuk do harxhoj qoftë edhe 30 sekonda të merrem me ty, absolutisht, se njeriu që merret me shumë me Edvin Ramën është vetë Edvin Rama. Duaj fatin tënd, ne do të fitojmë.”


11/04/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›