E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha prezantoi në konferencë për shtyp, programin e Partisë Demokratike për bujqësinë

Kryeministri Berisha prezantoi sot, në një konferencë për shtyp, programin e Partisë Demokratike për bujqësinë, në katër vitet e ardhshme. Zhvillimi i qëndrueshëm rural dhe zhvillimi i bujqësisë, tha Kryeministri, përcaktohen si një proces i pandarë dhe jetik për Shqipërinë-vend i zhvilluar.

Ndërsa u ndal në objektivat në bujqësi, blegtori, akuakulturë, bletari dhe agrobiznes, Kryeministri theksoi se dhjetëfishimi i prodhimit bujqësor, blegtoral dhe të peshkimit është ajo çka ky program synon.

Disa nga drejtimet e kësaj platforme zhvillimi janë kompletimi i infrastrukturës edhe me 2 mijë kilometra rrugë rurale; ndërtimi e rindërtimi i 400 shkollave; furnizimi me ujë dhe energji elektrike të cilësisë më të lartë; ndërtimi i rrjetit modern të ujitjes; trefishim i granteve për fermerët; rritja e sipërfaqes së tokës bujqësore; 50 milionë të tjerë rrënjë ullinj, pyjet arrorë me 250 milion rrënjë arrorë; dyfishim i potencialit në peshkim.

Por, fillimisht, Kryeministri Berisha bëri një koment mbi lajmet në media mbi mundësinë e largimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim nga qeveria.

“Thirrja e kësaj konference shtypi ka si objektiv kryesor paraqitjen para jush të programit të Partisë Demokratike për zhvillimin rural dhe bujqësinë si një nga pjesët më thelbësore të programit të saj për mandatin e ardhshëm. Por nuk mundem të mos plotësoj kërkesën e pashkruar, por që e lexoj në sytë e secilit prej jush lidhur me komentim tim për zhvillimet e fundit. Komenti im lidhur me lajmet për mundësinë e largimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim nga qeveria,  personalisht jam shprehur në mënyrë të përsëritur se çdo forcë politike është e lirë dhe e pavarur të marrë vendimet që i interesojnë, që i konsideron në interesin më të mirë për veten e saj dhe të ardhmen. Përsa më përket si kryeministër dhe Partisë Demokratike, unë dua të theksoj se kjo kohë është koha e përgjegjësisë më të madhe të qeverisë, ndaj unë mbetem shumë i vendosur që qeveria të bëjë gjithçka për t’ju garantuar shqiptarëve një proces zgjedhor të standardeve më të mira ndërkombëtare, një proces zgjedhor në respekt të plotë ligjit shqiptar të zgjedhjeve dhe Kushtetutës së vendit.

Së dyti, problemi që krijohet nga një vendim i tillë është një problem që ka zgjidhje të plotë në Kushtetutën e vendit. Kushtetuta e Shqipërisë është demokratike dhe e standardeve më të avancuara. Ka marr fund koha, kur Kushtetuta linte dy palë ministra në këtë vend. Ajo është qartësuar e plotësuar me ndërhyrjet që i bëri Partia Demokratike, bashkë me Partinë Socialiste dhe nuk lënë vend për asnjë boshllëk apo koment. I garantoj qytetarët se ajo kushtetutë do të respektohet pikë për pikë në germë e në frymë.

Së treti, duke punuar me përkushtimin më të madh, si kryetar qeverie, në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë gjithashtu siguroj anëtarët, simpatizantët e mbështetësit e Partisë Demokratike se ndihem më i motivuar se kurrë, më me energji se asnjëherë, për t’i udhëhequr ata drejt një fitoreje spektakolare në zgjedhjet e 23 qershorit, drejt një mandati plotësisht të merituar.

Ky ishte komenti im për atë çka ju, jam i sigurt, prisnit me padurim të dëgjonit fjalën time.

Por sot, unë jam për të parashtruar para jush dhe nëpërmjet ekraneve televizive dhe valëve të radios projektin tonë të katër viteve që vijnë, për Shqipërinë rurale dhe bujqësinë shqiptare. Në dy javët e shkuara, ne përpunuam sëbashku me qindra e qindra specialistë ndër më të shquarit, ekspertë kombëtarë e ndërkombëtarë, biznesmenë, fermerë, të rinj, individë që kanë përfaqësuar gjerësisht mendimin e shoqërisë në këtë fushë, platformën tonë të punësimit të shqiptarëve.

Ne e konsiderojmë themelor në projektin tonë Shqipëria-vend i zhvilluar, zhvillimin e qëndrueshëm rural dhe zhvillimin e bujqësisë shqiptare. Zhvillimi i qëndrueshëm rural dhe zhvillimi i bujqësisë shqiptare janë procese të lidhura në mënyrë të pazgjidhshme, janë jetike e përcaktuese për Shqipërinë-vend i zhvilluar.

Gjatë viteve të shkuara, Shqipëria rurale, cila në raport me infrastrukturën e saj ishte e afërt me Shqipërinë e botës së tretë dhe më tutje, ka qenë objektiv madhor i investimeve tona. Unë mund t’ju rikujtoj se vetëm pak vite më parë, në funksionin e kryeministrit të vendit, unë inaugurova në Peqin, në një nga rrethet më pjellorë të vendit, rreth 40 kilometra nga Tirana, segmentin e parë rrugor të asfaltuar, përveç rrugës kombëtare. Shqipëria rurale ishte Shqipëria e baltës, e gropave, Shqipëria që rropatej në një prapambetje të paimagjinueshme.

Në një hark kohor gjashtëvjeçar, në Shqipërinë rurale, ne kemi asfaltuar mbi 8 mijë kilometra rrugë. Po në këtë Shqipëri janë për t’u asfaltuar edhe 2 mijë kilometra të tjerë. Ne jemi të vendosur të asfaltojmë çdo kilometër rrugë. Ne jemi të vendosur t’i japim Shqipërisë rurale rrjetin rrugor më modern që ajo meriton.

Ne besojmë se zhvillimi rural fillon nga shkolla dhe rruga. Në Shqipërinë rurale, ne kemi ndërtuar e rindërtuar mbi 1100 shkolla, kemi për të ndërtuar e rindërtuar edhe afërsisht 400 shkolla të tjera. Ne do të përdorim çdo mjet e mundësi që gjatë mandatit të ardhshëm, fëmijët e fshatrave tona të ulen në banka shkolle të standardeve më të mira shqiptare e europiane.

Shqipëria rurale e zhvilluar është Shqipëria e furnizimit 24 orë me ujë dhe kanalizimeve të sigurta. Gjatë këtyre viteve, ne kemi ndërtuar në Shqipërinë rurale mbi 400 sisteme ujësjellësish dhe sot 97 përqind e shqiptarëve marrin ujë të rrjedhshëm, jo 24 orë dhe në katër vitet që vijnë, ne do të bëjmë që shqiptarët të marrin ujë të rrjedhshëm 24 orë.

Shqipëria rurale ka vuajtur terrin, me mungesa të mëdha të energjisë elektrike dhe cilësinë më të dobët të këtij furnizimi. Ne e kemi ndryshuar. Furnizimi i energjisë, përveç defekteve teknike, është i garantuar 24 orë. Por e vërteta është se janë mijëra e mijëra biznese në Shqipërinë rurale, të cilat nuk kanë furnizimin me energji elektrike në cilësinë e duhur. Investime të mëdha do të bëhen në këto zona, në mënyrë që ata të kenë furnizimin më të mirë, të cilësisë më të lartë të  energjisë elektrike.

Në tërë projektin tonë të Shqipërisë rurale ne synojmë që në të gjitha fshatrat e komunat shqiptare të ndërtohet e njëjta infrastrukturë e lagjeve të qyteteve, përsa i përket rrugëve, ujësjellës-kanalizimeve, energjisë elektrike, qendrave shëndetësore.

Me këtë zhvillim është lidhur në mënyrë të pandashme zhvillimi i bujqësisë e sektorëve të saj. Ne jemi përgatitur e kemi projekt të shkëlqyer, për ndërtimin gjatë katër viteve të rrjetit të ujitjes më të shkëlqyer që ekziston. Projektet e para pilot fillojnë së shpejti, me një shumë prej 60 milionë dollarë. Lushnja, kryerrethi i bujqësisë shqiptare, do të jetë zona ku do të bëhet zbatimi i parë pilot i këtij sistemi. Ne jemi të vendosur që këtë sistem ta shtrijmë në të katër anët e vendit.

Për ne, bujqësia e zhvillimi i saj ka rëndësi shumë të madhe, sepse ky është sektori, në të cilin është faktuar katërçipërisht që prodhimi, duke zbatuar metodat më të avancuara, mund të dhjetëfishohet. Atyre që mund t’i duket çudi, unë i ftoj të vizitojnë Korçën e do të gjejnë se prodhimi i mollëve nuk është 10-fishuar, por 16-fishuar.

Por përse bujqësia, kaq në fokus të programit tonë? Studimi i krizës ekonomike e financiare botërore ka faktuar se heqja dorë nga prodhimi i mallrave është gabim i rëndë dhe se ata që synojnë zhvillimin e qëndrueshëm, duhet të  kenë përqendrim të madh në prodhimin e mallrave.

Përse bujqësia, kaq në fokus të programit tonë? Bujqësia është rruga ndër më të sigurtat për të ngushtuar disbalancën tregtare që ekziston sot në Shqipëri. Hapa të mëdha janë bërë, por hapa të tjerë të mëdha duhet të bëhen.

Vetëm pak vite më parë, nevojat e vendit për ushqime mbuloheshin 90 përqind nga importi dhe sot, megjithëse Shqipëria merr 4.7 milionë turistë, këto nevoja mbulohen në masën 40 përqind nga prodhimi vendas, madje në shumë sektorë mbulohen plotësisht dhe ka eksport. Eksportet janë rritur 2 herë e gjysmë. Potenciali është i madh dhe ne duhet të rendim pas tij.

Sërish, përse bujqësia? Ne jemi një vend me sipërfaqe toke bujqësore më të voglën në Europë, 1800 m2 për frymë. Kaq ishte trashëgimia jonë. Por kjo nuk është sipërfaqja e Shqipërisë. Ndërkohë toka e saj është ndër tokat më pjellore, me diell e ujë dhe me cilësinë më të lartë. Atëherë do të bëjmë gjithçka që shqiptarët të kenë sipërfaqe toke bujqësore më të madhe.

Drejtimet tona themelore të punës në bujqësi janë pyjet frutorë. Ne kemi deklaruar e deklarojmë projektet tona janë ambicioze. 20 milionë rrënjë ullinj e po ecet drejt finalizimit të këtij projekti dhe më pas 50 milionë të tjera. 250 milion rrënjë arrorë. Projekte që po lëshojnë shtat çdo ditë e më shumë në shpatet e kodrave, të maleve, në luginat e fushat e vendit. Shqipëria mund të bëhet një nga eksportuesit e rëndësishëm të arrorëve në Europë. Kapacitet e saj të prodhimit të arrorëve janë dy tre-herë më të mëdha se të prodhimit të ullinjve.

Shqipëria ka një klimë të mrekullueshme, është vendi ku me pak shpenzime, në territore të gjëra të saj mund të mbillet e korret gjatë gjithë vitit. Ne do të bëjmë gjithçka që çdo sipërfaqe toke e kësaj klime të jetë nënkulturë dhe të prodhojë me rendimentet më të larta.

Zonja e zotërinj,

në diversitetin e saj, potencialet jo vetëm që shumohen si lloje, por edhe fuqizohen shumë. Sot, në qarkun e Fierit mbarështohen 35 mijë lopë race. Përmirësimi racor, rritja e prodhimeve blegtorale, qumështit, mishit e nënprodukteve të tyre është një objektiv madhor. Ne do të bëjmë gjithçka që, gjatë katërvjeçarit që vjen, gjedhët e racave më të mira të dyfishohen në Shqipëri, do të bëjmë çdo gjë që racat të përmirësohen edhe në të imtat, Shqipëria të jetë një eksportuese e produkteve më të shijshme të djathërave të saj, që po bëhen gjithnjë e më të famshëm në rajon e më gjerë. Po ashtu mishi.

Një vëmendje të veçantë në të gjithë përpjekjen tonë do të ketë akuakultura. Një vend ujor si Shqipëria mund e duhet të ketë një nga akuakulturat më të zhvilluara. Detet, liqenet e 600 rezervuara ujore në territorin e saj e bëjnë Shqipërinë një vend pothuajse ideal për rritjen dhe zhvillimin e fermave të peshkut, ndër më të suksesshmet, në ujërat e ëmbla e të kripura të saj. Ne do të bëjmë çdo gjë të dyfishojmë potencialet në fushën e akuakulturës dhe peshkimit në tërësi.

Shqipëria është vendi ideal i bletës. Në të gjitha kohërat, ky truall ka qenë i famshëm dhe i përmendur për mjaltin e saj. Ne nuk do të lëmë përpjekje pa bërë që të trefishojmë numrin e zgjojeve dhe prodhimin, gjatë katër viteve që vijnë.

Në ferma, në agrobiznes, në sera, gjatë katër viteve që shkuan u punësuan 100 mijë qytetarë. Ne mbështetëm me grante 42 mijë familje shqiptare. Ne jemi të vendosur katër vitet që vijnë të trefishojmë grantet për fermerët shqiptarë.

Turizmi malor është potencial tjetër i këtyre zonave.

Ne shohim një mundësi shumë të madhe dhe synojmë dhjetëfishimin e prodhimeve të bujqësisë, të blegtorisë, peshkimit dhe të gjitha llojet e produkteve të saj fushe. Ne do të rendim me vendosmëri gjer në realizimin e këtij objektivi që interesi më i mirë i çdo shqiptari.

Ju faleminderit dhe jam i hapur për çdo pyetje.

Pyetje: Aktualisht qeveria ka ndërmarrë një sërë masash për të stimuluar rritjen ekonomike, por nga ana tjetër Banka e Shqipërisë ka prezantuar një paketë për nxitjen dhe stimulimin  e kreditimit. Cili është komenti juaj lidhur me këtë paketë?

Kryeministri Berisha: Unë përshëndes masat qe Banka e Shqipërisë ka marrë për nxitjen  e kreditit. Krediti është oksigjeni i ekonomisë, por gjithashtu shpreh kënaqësinë e madhe për vendimet që morëm në mbështetje të plotë të biznesit, në tërësi, por dhe në mbështetje të plotë fermerëve shqiptarë. Sot, unë vizitova Pularinë Agrotek, një impiant absolutisht nga me modernet që mund të ekzistojë, i cili funksiononte në cikël të plotë të mbyllur, me rritjen e pulave për mish, me  thertoren dhe fabrikën e përpunimit, 4 milion euro investim, 1200 ton mish pule. Zoti Belku presidenti i kompanisë dhe pronari i saj më informoi se brenda vitit me këto vendime që mori qeveria siç ishte heqja  e TVSh, për të gjitha makineritë, siç ishte heqja  e tvsh për të gjitha produktet që nevojiten për prodhim, pra kjo, brenda vitit i bëri të mundur atij të dyfishojë kapacitetin tërësor të prodhimit dhe përpunimit, të dyfishonte numrin e të punësuarve, kishte 60 të punësuar, do të ketë 120 të punësuar.

Biznesi në qytet dhe fermerët shqiptarë i kanë pritur me kënaqësinë më të madhe vendimet e fundit për heqjen e tvsh-së dhe çdo tarife doganore për çdo lloj makinerie mjeti apo imputi të importuar. Një ligj i tillë, jo i këtyre përmasave, jo me këtë gjerësi shtrirje, por në tërësi direkt për makineritë e të gjitha fushave u vendos në 1995, u gropos në 1998. Edhe sot e kësaj dite biznesmenët  e kujtojnë atë kohë e cila bëri  që Shqipëria të  kishte rritje 2 shifrore. Dhe unë jam i sigurtë se ky është stimuli më i fuqishëm që ne i kemi dhënë rritjes ekonomike që pas vendosjes së taksës së sheshtë  e deri më sot. Heqja  e taksës mbi kapitalin, dhe taksa e sheshtë përbëjnë dy shtylla e sistemit fiskal më modern që mund të ekzistojë.

Pyetje: Përsa i përket kabinetit qeveritar ju thatë se do ti jepnit një zgjidhje kushtetuese, por kjo lëvizje që do të ndodhë a do të ketë efekt në administratën publike?

Kryeministri Berisha: Lidhur me qeverinë, vendi do të ketë qeveri, në përputhje të plotë me Kushtetutën e tij. Dy gjëra janë që duhet të qartësojmë: Kushtetuta e Shqipërisë nuk lejon dhe nuk parashikon qeveri teknike. Me të drejtën e mocionit dhe parashikime të tjera, Kushtetuta e Shqipërisë përcakton vetëm qeveri maxhorancën, në frymën dhe moralin e saj dhe kjo është aspekti më modern i kësaj kushtetute. Kushtetuta e Shqipërisë parashikon që ata që duan të zëvendësojnë kryeministrin duhet të kenë një votë më shumë për atë që parashikojnë si kryeministër. Zoti Rama, pas dështimit të marrjes të pushtetit me dhunë më 21 janar, bëri përpjekje nga më absurdet, veçanërisht betimi i tij se Sali Berisha nuk do të jetë kryeministri i 100 vjetorit të pavarësisë mbeti në arkivat e ligësisë së tij. Përpjekja e tij, zotimi i tij dhe rrahja e gjoksit se ne me këtë qeveri nuk do të shkojmë në zgjedhje, do të arkivohet përsëri në arkivat  e ligësisë së tij. Kjo qeveri dhe ky kryeministër do ti japin vendit zgjedhjet e standardeve më të mira. Mund të informoj qytetarët shqiptarë se ne disponojmë gjithçka që Kushtetuta e vendit cilëson si maxhorancë për të vazhduar qeverisjen me forcën e plotë të ekzekutivit, deri ditën e mandatit të ardhshëm, në të cilin natyrisht kompozimi i qeverisë do të jetë ai që do të propozojnë qytetarët shqiptarë, por një gjë dua tu them, të dashur miq, se puna e madhe që është bërë gjatë këtyre viteve në Shqipëri, transformimet e mëdha të këtij vendi në çdo skaj të tij, përpjekjet shumë të ndershme dhe të sinqerta për të qartësuar alternativën e qendrës së djathë kanë faktuar sot dhe në mënyrë përfundimtare se ne Shqipëri shumicë dërrmuese, si kurrë ndonjëherë tjetër janë të djathtët shqiptarë. Populli shqiptar 53. 7 % të tij ka shpallur veten si i djathë. Ndihem i privilegjuar, i bekuar nga Zoti për këtë fushatë elektorale, për tu udhëhequr prej tyre dhe për ti udhëhequr ata drejt një mandatit të ri.

Pyetje: Besoj se është në interes të opinionit publik të dimë se cfarë ndodhi midis Jush dhe zotit Meta, cfarë ndodhi mes PD dhe LSI se për hir të së vëretëts deri më sot nuk kemi dëgjuar ndonjë deklaratë që ju kritikonte apo akuzonte apo anasjelltas. Çfarë ndodhi realisht që ju erdhët në këtë pikë. Cili është vlerësimi juaj për LSI në qeverisje sepse tashmë mund ta bëni këtë bilanc për 4 vjet dhe si do të funksionojë pushteti lokal

Kryeministri Berisha: Në këtë jetë, martesat dhe divorcet janë bërë ligjësi, po  flasim me gjuhë të thjeshte, por po të flasim me gjuhë politike, natyrisht ka qënë një koalicion, i cila ka qenë legjitim dhe unë do ju lutesha që për hir të nocioneve të bëheshe gjithnjë dallim midis koalicionit parazgjedhor dhe koalicionit paszgjedhor. Koalicioni parazgjedhor në rregullin e tij dhe ne moralin e tij është koalicioni brenda spektrit, dmth duhet të jemi fare të sinqertë se një koalicion parazgjedhor midis PD dhe LSI ishte i panatyrshëm dhe nuk mund të ndodhte. Kjo është e vërteta. Në këtë kontekst, unë  i pyetur nga ju në disa konferenca shtypi më parë, kisha deklaruar se zoti Meta do të marrë vendimet që janë në interesin më të mirë të LSI dhe larg çdo lloj komenti apo mundësie që unë të komentoja se cili është interesi më i mirë i LSI-së.

Tani lidhur me momentin, nuk është e thjeshtë ta përcaktosh me precizion se kur dhe se çfarë. Një gjë dua tu sqaroj. Që nga viti 1992, kur  unë isha president me fuqi ekzekutive dhe deri në vitin 2009, unë gjithnjë kam ecur me koalicione, është në frymën time koalicioni dhe deri më sot nuk ka patur qoftë edhe një force të vetme politike, që të jetë larguar me arsyen se kryeministri apo dhe ish presidenti Sali Berisha  në atë kohë, nuk u krijoi hapësirën dhe mundësitë e bashkëpunimit. Kjo ka qenë e vërtetë për të gjithë aleatët e mi dhe kjo do të jetë  e vërtetë. Koalicioni ka funksionuar në mënyrë të padiskutueshme, jo pa probleme, sepse nuk ka koalicion që të mos ketë probleme, sepse edhe po të mos jesh në koalicion do të kesh probleme.

Nuk mund të ishte koalicioni parazgjedhor, këtë e them me bindje se kështu është rregulli, ndaj dhe këto janë në tërësi. Dua të them këtu se ky koalicion ka patur në mënyrë të pamohueshme vështirësi psikologjike fillestare, por çdo demokrat e di se sovrani i dha koalicionit të drejtuar nga PD, 70 mandate. Unë konsideroj detyrën kryesore të politikanit të lexoje gjithnjë me gjakftohtësi vendimin e sovranit.   Ai nuk i dha PD dhe koalicionit të saj  një shumicë për të qeverisur  dhe në këto  rrethana u bë një koalicion i cili qeverisi vendin për 4 vite me rradhë.

Nuk mund të parashikoj zhvillimet në këtë fushë, por një gjë është e sigurtë që ne si forcë politike do të bëjmë gjithçka që ligji të funksionojë në të gjitha nivelet.

Pyetje: Tani që LSI do të shkojë në koalicion me PS a e shikoni të mundur nga ana juaj një ftesë për FRD e Bamir Topit, për një koalicion parazgjedhor dhe ju angazhoheni për të zhvilluar një proces elektoral të lirë dhe të ndershëm. Si do ta arrini ju këtë, kur me shumë gjasë KQZ do të kalojë në shumicë të opozitës dhe më e keqja kur më shumë se gjysma e KZAZ-ve të vendit do të kalojë në raport 5 me 2 për opozitën?

Kryeministri Berisha: Ka përcaktime ligjore kushtetuese shumë të qarta në lidhje me balancat dhe çdo gjë tjetër lidhur me institucionet  e administrimit të zgjedhjeve. Nuk ka asnjë lloj paqartësie në frymën dhe gërmen e kushtetutës dhe ligjeve të vendit. Ne kemi koalicion me gjithë spektrin, por e djathta që votoi majtas, pra në pamje e djathë, dhe në thelb e majtë, ka probleme. Ne kemi bashkuar si kurrë ndonjëherë spektrin e djathtë. Në tërë ekzistencën tonë ne nuk kemi patur  spektër më të gjerë të spektrit të djathtë, se sa kemi në këto zgjedhje. Ne përfshijmë në këtë spektër 53.7 % të të djathtëve shqiptarë, pra tërësinë e tyre.

Pyetje: Nëse nuk i largon LSI ministrat nga qeveria, do ta bëni ju këtë veprim dhe a do t'i zëvendësoni ministrat e larguar me ministra të PD-së apo aleatëve të tjerë?

Kryeministri Berisha: Kjo është jashtë çdo imagjinate që një forcë politike të jetë dhe qeveri dhe opozitë. Shqiptarët patën një moment, para zgjedhjeve të fundit lokale, që kryetarin e bashkisë së Tiranës e kishin edhe qeveri dhe opozitë dhe e hoqën. Nuk mund të ndodhin këto. Pa diskutim që në këtë periudhë më shumë se kurrë, qeveria duhet të jetë e plotë, aktive për t’ju përgjigjur kërkesave të momentit themelor të zhvillimit të demokracisë siç janë zgjedhjet e përgjithshme. Natyrisht unë u shpreha, maxhoranca ekziston në parlament dhe gjithçka do të eci në përputhje me Kushtetutën, por të jemi realist që Kushtetuta i ka përcaktimet. Do të ishte naive të mendohej se qeveria do të vinte në pushtet se nuk mund ta rrëzojnë kundërshtarët e saj me 70 vota, as edhe një ditë, vendi do të shkonte në zgjedhje të përgjithshme siç e përcakton Kushtetuta brenda 42 ditëve, por këto janë të papërshtatshme sepse janë përgatitur qindra vëzhgues nga mbarë bota për të parë zgjedhjet dhe në qoftë se ne shkojmë në zgjedhje të parakohshme, të siguroj se  as 10 %  e tyre nuk do të vijnë të vëzhgojnë zgjedhjet. Ndaj dhe qeveria ka një maxhorancë dhe në përputhje me të gjitha rregullat do të marrë të gjitha vendimet dhe vendi do të ketë një qeveri të plotë në funksion me të gjitha kapacitetet e saj. Ju lutem keni durim, të mos paragjykojmë, i ka të përcaktuara Kushtetuta të gjitha rregullat  që qeveritarët janë të detyruar të bëjnë  për mbështetjen e  tyre transparente në parlament. Ju a ka mbushur mendjen ai se do të ketë një qeveri teknike, sepse ai nga mëngjesi deri në darkë, meqë s’bëhet ai vetë, nuk do të jem as unë, por unë jam këtu dhe do të jem.

Pyetje: Lidhur me prodhimet e peshkut si prioritet i programit tuaj dhe mandatit të ardhshëm qeverisës. Po ngjalat të cilat janë të preferuarat e politikanëve të majtë a do të jenë në programin tuaj?

Kryeministri Berisha: Disa probleme le tua lëmë peshkatarëve , unë merrem me aquakulturën në tërësi.

Pyetje: Qarkullojnë zëra se do të emëroni si ministër të jashtëm zotin Eduard Selami, sa e vërtete është kjo dhe pyetja e dytë ka të bëjë me të gjithë ata persona të larguar nga PS. A do të jeni ju të gatshëm për ti pranuar, gjithnjë në se ata bëjnë një kërkesë për tu bashkuar me ju?

Kryeministri Berisha: Së pari megjithë dëshirën që do të kisha tu jap përgjigje të këtyre pyetjeve, ju siguroj se gjatë ditëve që vijnë do të merren të gjithë vendimet e përshtatshme, si për shumicën e ardhshme parlamentare, ashtu edhe për plotësimin  e kabinetit. Ajo çka mund të them në këtë moment është vetëm kjo.

Pyetje: Në programin tuaj për mandatin e tretë lidhur me zhvillimin e bujqësisë, ju jeni shprehur për një skeme të re për prodhimin bujqësor. Ku qëndron ndryshimi me skemën që keni aplikuar deri tani dhe më këtë skemën e re sa fermerë do të përfitojnë? Ju u shprehët pak më parë se në se aleati juaj zoti Meta do të largohet, ju do të veproni sipas Kushtetutës. A mendoni se zoti Meta e ka përmbushur marrëveshjen me ju dhe me qytetarët, kur fundi i mandatit është organizimi i zgjedhjeve të lira?

Kryeministri Berisha: Së pari, ne do të trefishojmë grantin dhe kredinë për bujqësinë, blegtorinë, peshkimin dhe të gjithë sektorët, përveç heqjes së çdo takse dhe tarife mbi imputet dhe makineritë, por do të diversifikohet mënyra. Ndër të tjera, ne p.sh japim pa akcizë karburante për sfera me ngrohje për një vlerë të caktuar. E drejtë, e ndershme është të paguash për njësi prodhimi dhe unë e mirëprita shumë këtë propozim dhe menjëherë do të përpunojmë skemën e dhënies për njësi prodhimi dhe unë ju siguroj ju se kjo skemë për njësi prodhimi mund ta shtrijmë me shpejtësi, duke dokumentuar në tërësi prodhimin bujqësor sepse është skemë jo me abuzivitet, është skemë e dokumentuar. Fermeri dokumenton prodhimin, ne nuk kemi asnjë hezitim. Në qoftë se ne nuk vazhduam me naftën pa akcizë, e cila në tërësi shkonte vetëm 5 milion euro, ne nuk vazhduam se e tërë ajo shkonte ne xhepat e qeveritarëve vendore dhe vetëm tek fermeri nuk shkonte. Vetëm heqja  e tvsh vetëm për imputet bujqësore dhe fidanët është mbi 20 milion euro, pra rreth 4 fishi i saj. Ne do të kalojmë shumë shpejt në skemën e subvencionimit për njësi prodhimi.

Lidhur me pyetjen e dytë, unë nuk them se koha që u përzgjodh nga LSI ishte në përputhje me marrëveshjen, por nga ana tjetër ishte krejtësisht e padëmshme, pa pasoja. Qeveria do të riformatohet me mbështetje të qartë , me maxhorancë të bë në parlament do të vazhdojë të përmbushë të gjithë detyrimet e veta ndaj qytetarëve. Nuk mund të them se krijoi pasoja.

Pyetje: me largimin e LSI, forca  e dytë në Parlament mes koalicionit tuaj  mbetet PDIU-ja. Zoti Idrizi re ka shprehur shumë herë se koalicioni i tij i ardhshëm do të varet nga miratimi i rezolutës. Sa e gatshme është qeveria ta kalojë rezolutën për çështjen çame brenda këtij mandati dhe a është e mundur një bashkëpunim mes Vangjel Dules dhe jush , duke qenë se është PDIU  brenda?

Kryeministri Berisha: Së pari dua të shpreh respektin tim për punën që kjo parti ka bërë në avokatinë  e një problemi, i cili është ngritur nga unë që në dy muajt e parë të karrierës sime politike e ne vazhdim, ka marrë disa përgjigje bazuar në dokumente bilaterale kulturore të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe siç është në traditën e atyre që punojnë për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, problemet shqyrtohen me dialog dhe avancohen për zgjidhje në përputhje me ligjet e vendit dhe ligjet ndërkombëtare. Të gjithë problemet me PDIU janë probleme që diskutohen, qartësohen dhe ecet, por një gjë do tu them, në gjykimin tim, këto forca politike nuk janë antagoniste të njëra tjetrës. PD ka patur aleat e saj Partinë e të drejtave të njeriut, e cila ka patur një rol të rëndësishëm në spektrin politik shqiptar, së pari si avokate e të drejtave të minoritetit dhe është shumë e rëndësishme që minoritete të kenë  avokatët e tyre,  por për hir të së vërtetës kjo parti ka patur një shtrirje të gjerë në mbarë vendin, si parti e të drejtave të njeriut. Partitë në tërësi, por ato që janë më të vogla pësojnë ondulacionet e tyre, sidoqoftë ato në  spektrin  politik janë një pasuri  e pluralizmit. Ne kemi patur që në themelim bashkëpunim  me Partinë e të drejtave të njeriut dhe jemi të hapur për të bashkëpunuar me të në interesin më të mirë të forcave tona politike.

Pyetje: Cili do të jetë qëndrimi i Partisë demokratike në Parlament për sa i përket rezolutës çame dhe duke qenë se maxhoranca është kompakte a do të ketë një tryezë të përbashkët me partitë më të vogla për të parashtruar kërkesat për zgjedhjet e 23 qershorit dhe pyetja e fundit lidhte me seancën e djeshme, u votuan dhe miratuan dekretet e presidentit Nishani për anëtarët e gjykatës së lartë dhe gjykatës kushtetuese dhe dy prej anëtarëve u votuan kundër nga dy deputetë me argumentin se e shkuara a e dy anëtarëve lidhet me funksionet e tyre gjatë regjimit komunist, cka ka qenë kriter për dekretet e zotit Topi dhe vendimet e tij. Ka ndryshuar qëndrimi i maxhorancës në raport me këto kritere të përcaktuara më parë për zotin Topi?

Kryeministri Berisha: Pyetja e parë ajo rezolutë është në shqyrtim dhe shqyrtimi kërkon kohën e vet.  Nuk jam unë që bëj axhendën e parlamentit. Së dyti, siç jeni në dijeni unë hartova një ligj ose riktheva një ligj, të vitit ‘92, i cili kishte objektivat e tij, bëhet fjalë për lustracionin. Zoti Topi nuk e firmosi ligjin. Nuk besoj se ka përgjigje më të mirë se kjo, nuk firmosi ligjin. Mund të imagjinoni ju një të djathtë që nuk firmos një ligj të tillë?

Pyetje: Pas vendimit të zotit Meta për largimin nga koalicioni , cilët do të jenë aleatët e rinj të PD-së dhe a do të cenohet administrata publike në ato ministri dhe drejtori që aktualisht drejtohen nga LSI?

Kryeministri Berisha: Pyetja për bazën e mbështetjes së maxhorancës do të merrni vesh shumë shpejt në votimet më të afërta në Parlament. Pra, zoti Rama kishte rrahur gjoksin më shumë fitova dhe do shkoj në zgjedhje me qeveri teknike, humbi përsëri, por kjo është mjeshtëria e tij. Humbja është arti i tij.

Së dyti ka një rregull, çdo ministër në shumicën dërrmuese të vendeve të Evropës dhe të botës ka të drejtë të ketë ekipin e tij për të përmbushur detyrimet e tij ligjore. Çdo ministër, cdo agjenci ka dhe korpusin e punonjësve civilë që vijnë, të cilët nuk janë të lidhur me politikë, kështu që ministrat e rinj do të kenë të drejtën e plotë për të patur ekipin përzgjedhur nga ata vetë, dhe ekipi përveç zëvendësministrit që emërohet nga Këshilli i Ministrave, të tjerët janë të gjithë autoritet i ministrit kështu që rregullat janë shumë të kthjellëta në këtë administratë.

Përshëndetje zoti Kryeministër. Ju sapo deklaruar se mandatin e ardhshëm do të ndërtoni rreth 400 shkolla. A keni planifikuar ndërtimin e shkollave edhe në Tiranë, apo vetëm në zonat rurale, pasi në shkollat në qendër të Tiranës zhvillohet mësim me dy turne dhe nxënësit e klasave të para detyrohen të dalin nga mësimi në orën 5.30.

Kryeministri Berisha: Do t’ju jap këtë shembull. Në vitin 2005, në Kamzë mësimi zhvillohej me tre turne dhe klasat ishin me mbi 52 nxënës. Çdo gjë mund ta quaje, por vështirë se e quaje mësim. Gjatë këtyre viteve, në Kamzë u ndërtuan 13 shkolla. Ndërsa ish kryetarit të bashkisë së Tiranës i dhamë një kredi të Këshillit të Europës prej 21 milionë euro për ndërtimin e shkollave, me të cilën mund të ndërtonte 15 shkolla apo të themi edhe 12 shkolla të reja. Sa ndërtoi ai? Absolutisht as tre shkolla. Sepse jo vetëm që nuk ndërtoi shkolla, por dha pallate të Fidelit në oborret e shkollave. Juve ju kujtohen, por mund të kërkoni edhe në arkivat tuaja, sesi binin tavanet e shkollave mbi nxënësit. Kushtet i njoh shumë mirë. Kam mbesat e mia që vijnë në orën pesë nga shkolla. A është e përshtatshme situata? Jo, por kryetari i ri i bashkisë ka përcaktuar trojet për ndërtimin e 11 shkollave, me të cilat normalizojmë plotësisht ndjekjen e shkollës në Tiranë. Ndërsa, kur flasim për shkollën me dy turne, dua të jem transparent. Vendi më i pasur, më zhvilluar i Europës, Gjermania ka një përqindje shumë të madhe shkollash me dy turne, por rëndësi ka numri i nxënësve në klasa dhe ata e kanë këtë jo për pamundësi. Dhe këtu nuk po flas për dy turne për shembull në shkolla në periferi të Tiranës. Ndërsa këto 400 shkolla besoj se brenda 2-3 viteve do të përfundojnë tërësisht. Ka edhe një moment tjetër. Nga ndryshimet demografike edhe pozicionimet e shkollave imponojnë ndërtime të reja, ose ndonjëherë mbylljen e atyre ekzistuese. Vetë ndërtimi i infrastrukturës mundëson përqendrime më të mira. Por gjatë 2-3 viteve që vijnë rrjeti i shkollave do të jetë tërësisht i ri. Do të lëmë ndonjë shkollë si muze për Shqipërinë tjetër të Edi Ramës. Por shkollat do t’i ndërtojmë ato.

Përse po lejon qeveria mbylljen e fshatit SOS, duke pasur parasysh se Ministria e Arsimit i ka thënë ‘jo’ rinovimit të kontratës me mësuesit që japin mësim për fëmijët jetimë në këtë fshat. Do të thotë kjo se qeveria nuk do të marrë përsipër dhënien e parave për rrogat e këtyre mësuesve dhe çdo të bëhet me fshatin SOS dhe fëmijët aty?

Kryeministri Berisha: Për mua, ai fshat është një model i shkëlqyer. Nuk kam dijeni për këtë që thoni ju, por unë do ta shoh me shumë përparësi. Mendoj se ai model është modeli që ne duhet ta përhapim. Ndër modelet që unë kam parë e vizituar, ai më është dukur më njerëzori e më eficenti. Kështu që do ta shqyrtoj këtë çështje.

Zoti Kryeministër, çfarë e pengoi qeverinë që nuk arriti të kthejë pronat tek ish pronarët në këto 8 vite?

Kryeministri Berisha: Sigurisht që ka pasur zvarritje, por në malin e falsifikimeve tetëvjeçare të qeverisjes së mëparshme, të cilët në çdo superpozim kishin vendosur një pushtetar, të madh, të vogël, të rëndomtë, të parëndomtë apo çfarëdo lloji qoftë, u desh e duhet një kohë e madhe për të zgjidhur lëmshin që ata kanë bërë. Dhe kjo po ndodh. Ne kemi punuar për zgjidhjen më themelore të problemit, regjistrin dixhital të pronës. Pas regjistrit të shtetasve, regjistri dixhital i pronës është regjistri më i rëndësishëm i një shteti dhe ai po ecën me ritme shumë të shpejta e të sigurta, për të cilin janë angazhuar kompani me emër botëror, sëbashku me ekspertët tanë më të mirë. E vërteta është se progresi është shumë i madh dhe qindra mijëra parcela janë të dixhitalizuara. Projekti parashikon përfundimin e këtij regjistri gjatë vjeshtës së vitit 2013. Paralel me të po bëhet edhe kontrolli i tij. Pra, po bëhet një nga reformat më të mëdha në historinë e këtij vendi, që nuk krijon asnjë spekulim me të ashtuquajturin superpozim që ka bërë tetë vjet rresh makineria e sprovuar e qeverisjes së mëparshme.

Ka disa vite që është folur për krijimin e regjistrit të tokave, për të bërë kompensimin fizik të tyre. Kur do të nisë ky proces dhe a ka më toka të lira për këtë?

Kryeministri Berisha: Kompensimi do të fillojë shumë, shumë shpejt. Është pritur harta e re e vlerës. A ka tokë? Ka qindra e mijëra hektarë. Për këtë ju siguroj. Por harta e vlerës ka qenë një faktor, me të cilin kemi pasur probleme. Dhe nuk është e thjeshtë,. Me hartën e re kanë punuar ekspertët më të mirë të evropianë, ekspertët që kanë bërë hartën për Bashkimin Europian. Prapë se prapë nuk është një problem kaq i zhdërvjellët, por do të fillojë shumë shpejt.

Çfarë formule koalicioni do të përdorë e djathta në zgjedhjet e 23 qershorit?

Kryeministri Berisha: Ai është objekt i diskutimit me aleatët e mi, në një kohë të shpejtë, sapo të mbyllet problemi i qeverisë së ardhshme.

A do të bënit koalicion me zotin Meta, pas zgjedhjeve të 23 qershorit, nëse do të ishte e nevojshme?

Kryeministri Berisha: Çdo pyetje që të marrë përgjigjen e saktë duhet bërë në kohën e duhur. Për këtë kohë, unë u shpreha. Nuk mund të bënim koalicion parazgjedhor. Kjo është e qartë. Spektri politik i ndryshëm nuk pajtohet, sepse si do t’ju dukej juve kur unë të thosha Shqipëria blu dhe zoti Meta të thoshte edhe rozë. Secili me spektrin, por një gjë shoh të sigurt, atë që e ndjej dhe e prek kudo, një fitore të thellë, jashtëzakonisht solide, të cilën zgjedhësit mezi po presin ta shijojnë.


02/04/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›