Presidenti i Grupit “Jushi” i paraqet Kryeministrit projektin për të investuar në Shqipëri
Kryeministri Berisha priti Presidentin e Grupit kinez “Jushi”, më i madhi në botë për prodhim fibrash xhami, Yuqiang Zhang, i shoqëruar nga drejtues të tjerë të lartë të tij.
Zoti Zhang i paraqiti Kryeministrit projektin e aprovuar nga Bordi i Grupit për ndërtimin në Shqipëri të një fabrike për prodhim fibrash xhami. Ai e informoi Kryeministrin se vendimi i Grupit “Jushi”, për të shtrirë investimet në Europë, finalizoi Shqipërinë si vendin më të përshtatshëm për këtë qëllim. Vizitat paraprake të përfaqësuesve të Grupit, - shtoi zoti Zhang, - përforcuan këtë vendim dhe tashmë ne duam të fillojmë investimet. Zgjedhja e territorit përfundon fazën përgatitore dhe sipas parashikimeve, ky investim mund të përfundojë në fund të vitit. Fabrika do të ketë si kapacitet fillestar prodhimin e 8 milion ton fibrash xhami, me vlerë investimi rreth 5 milion euro. Sipas Presidentit të Grupit, pas fazës së parë, do të vazhdojë rritja e kapacitetit dhe investimeve.
Kryeministri Berisha e përgëzoi zotin Zhang për vendimin për të investuar në Shqipëri dhe i siguroi për mbështetjen e plotë të qeverisë për ta kthyer këtë një rast suksesi. Qeveria dhe administrata shqiptare, - tha Kryeministri - do t’i përgjigjen me zhdërvjelltësi kërkesave të Grupit “Jushi” si investitor.
Zoti Zhang u shpreh se ishte i impresionuar nga intensiteti i zhvillimit ekonomik të Shqipërisë dhe, njëkohësisht, i gëzuar që investimi i parë i këtij Grupi në Europë po bëhet në Shqipëri. Ai u shpreh se është i sigurt se ky do të jetë një investim pararojë për të tërhequr edhe investime të tjera në të ardhmen. Ai tha se Grupi "Jushi" do të sjellë shumë shpejt projekte të tjera investimi në sektorin e minierave dhe në ndërtim.